Reçica: Sistemi i sigurimeve sociale i domosdoshëm për Kosovën - Bota Sot
Reçica: Sistemi i sigurimeve sociale i domosdoshëm për Kosovën

Kosova

Reçica: Sistemi i sigurimeve sociale i domosdoshëm për Kosovën

Më: 12 janar 2019 Në ora: 12:17
Skënder Reçica

Krijimi i sistemit të sigurimeve sociale është prioritet i vitit 2019 për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i këtij dikasteri Skënder Reçica, sipas së cilit një sistem i plotë i sigurimeve sociale është themeli i sigurimeve sociale të një vendi.

Sipas ministrit Reçica ka një buxhet prej 465 milionë eurove për vitin 2019 që janë të kushtuara për skemat pensionale e sociale.

Kurse vitin që e lamë pas Reçica e konsideron vit të reformave.

Ai si reforma numëron fushën e marrëdhënieve të punës, trajtimin e personave me aftësi të kufizuara, ofrimin e shërbimeve sociale dhe atyre familjare.

Reçica: Kemi mbi 20 skema të pensioneve

“Në tërësi kemi mbi 20 skema të pensioneve dhe po të shikohen këto skema të gjitha janë të mbuluara me akte ligjore mbrapa. Realisht po ta analizohet në terësi shihet se vendit i mungon një sistem i mirëfilltë pensional dhe akoma më rënduese është fakti që ky vend 20 vite pas luftës nuk ka arritur të krijoj një sistem të sigurimeve sociale. Sistemi i plotë i sigurimeve sociale në një vend është korniza, baza, themeli i politikave sociale të një vendi ku synohet që drejtësia sociale të jetë parësore. Bazuar në gjithë këtë, ne kemi identifikuar që nuk kemi një sistem të sigurimeve sociale, kemi shumë skema pensionale, ka kundërshti të ligjeve dhe të neneve brenda ligjeve sa i përket trajtimit të këtyre kategorive. Mandej kemi presione vazhdimisht nga grupe të caktuara për skema të reja pensionale, ka vështirësi në zbatimin e kërkesave”, ka thënë ai.

Reçica bëri të ditur se do të bëjnë ligjin bazik për skemat pensionale dhe projektligjin i cili do ta rregullojë fushën e sigurimeve sociale.

Reçica: Sistemi pensional pas reformës do të ndërtohet nga 4 shtylla

“Sistemi pensional pas reformës do të ndërtohet nga 4 shtylla, shtylla zero e cila do të mbulojë pensionet kontribut dhënëse, pensionet e moshës të viteve 90-ta, pensionet invalidore të punës, pensionet familjare, pensionet e invalidëve të punës, do të jenë pensionet e TMK-së. Në një mënyrë do të jenë këto skema të cilat financohen nga shteti. Në shtyllën një, e cila do të krijohet nga Fondi për sigurime sociale që do të krijohet, do të jenë pensionet e moshës, pensionet kontribut dhënëse, pensionet e lehonave që punojnë, do të jetë trajtimi i fëmijëve, shtesat e fëmijëve. Shtylla e dytë, ajo që ne e quajmë trusti dhe do të jetë shtylla e tretë kursimet apo deklarimet vullnetare për kursime në skemën pensionale”, ka bërë të ditur ministri.

Ministri Reçica për KosovaPress ka bërë të ditur se janë mbi 37 mijë veteranë që nga kjo ministri marrin pensione. Buxhet të planifikuar për këtë kategori ka edhe për vitin 2019.

Reçica: Mbi 37 mijë veteranë

“Shifra është mbi 37 mijë aktualisht dhe ne kemi për obligim si MPMS që të gjitha kërkesat të cilat vijnë në bazë të kritereve të përcaktuara edhe nga komisioni dhe ligji për kategoritë e dala nga lufta t’i akomodojmë brenda buxhetit të ministrisë. Shifra të cilën tani e kemi është 37 mijë dhe natyrisht që kemi planifikuar buxhet të mjaftueshëm për mbulimin e kompensimit këtyre kategorive e cila është e garantuar edhe me ligj”, ka thënë ai.

Për rastet e shumta të vdekjeve të punëtorëve në vendet e punës gjatë vitit 2018, Reçica thotë se kanë ndërmarrë disa veprime për të parandaluar këtë dukuri dhe për të siguruar jetën e punëtorëve.

Ai shton se do të jenë të pa kompromis ndaj atyre që nuk respektojnë kriteret e përcaktuara.

Reçica: Puna është pezulluar në mbi 100 vend punishte

“Kemi ardhur në vjeshtën e këtij viti me një plan shtesë sa i përket inspektimit të fushës së ndërtimtarisë dhe kemi bërë një plan organizativ sa i përket trajtimit të kritereve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin në punë në sektorin e ndërtimtarisë. Filluam në tetor me Prishtinën, duke zbarkuar në kryeqytet inspektor edhe nga qytete të tjera, për të vazhduar më tutje në muajin nëntor në inspektimin më intensiv. Brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore ta zëmë vetëm në Prishtinë janë inspektuar brenda 10 dite mbi 170 kompani dhe brenda një jave është pezulluar puna në mbi 100 vend punishte dhe e mira është që  të gjithë punëdhënësit në sektorin e ndërtimtarisë kanë pritur këtë masë të cilin ne e kemi ndërmarrë”, ka deklaruar ai.

Të gjithë ata që nuk e kanë respektuar pezullimin, ministri ka bërë të ditur se janë gjobitur.

Për vitin 2018 sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë ka arritur 30.7. Për këtë kreu i Ministrisë së Punës thotë se vendi vazhdimisht është ballafaquar me një shkallë të lartë të papunësisë.

Reçica: Si vend jemi duke u ballafaquar me një shkallë të lartë të papunësisë

“Ne si vend jemi duke u ballafaquar me një shkallë të lartë të papunësisë, është shumë evidente dhe ajo që dua të nënvizojë është që shkalla e papunësisë në vend ka një historik. Sfida e papunësisë në këtë vend ka historinë e vet dhe unë dua të flas me statistika, dua të flas me shifra që ne i posedojmë. Aktualisht në regjistrat tonë si punëkërkues i kemi diku të regjistruar rreth 100 mijë punëkërkues, në anën tjetër në takimet që ne mbajmë me bizneset shpesh herë bizneset ankohen që nuk kanë fuqi punëtore profesionale çfarë atyre u nevojitet. Në anën tjetër kemi një shifër të publikuar nga ASK-ja afër 30 përqindëshit kemi një numër të punëkërkuesve të regjistruar mbi 100 mijë, kemi në anën tjetër biznese të cilat ankohen se nuk kanë punëtor profesionist. Unë bëjë një pyetje, çka nuk ka funksionuar në këtë vend, sepse nuk është ky problem që ka lindur sot, brenda këtij muaji apo brenda këtij mandati, është një dukuri që e ka përcjellë vendin për shumë vite. Të thuhet që problemi i papunësisë do të zgjidhet brenda natës është shumë e pavërtetë dhe ne jemi duke e hartuar një plan si t’i qasemi papunësisë në vend”, tha ai.

Reçica ka thënë se janë duke hartuar një plan si t’i qasen papunësisë, duke bashkëpunuar me sektorin privat që të ofrojnë më shumë vende pune për qytetarët.

Për më tepër për të zvogëluar shkallën e papunësisë Reçica tha se janë duke trajnuar punëkërkuesit në aftësim profesional.

Ai shprehet i bindur se vitin e ardhshëm, do të rritet edhe më shumë numri i atyre të cilët do të trajnohen për punë të përkohshme në Bashkimin Evropian, të cilët, pas përfundimit të periudhës sa punojnë, të kthehen në vend.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...