MSH fuqizon bashkëpunimin në shëndetësi me Turqinë

Kosova

MSH fuqizon bashkëpunimin në shëndetësi me Turqinë

Më: 17 janar 2019 Në ora: 16:40
Një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë po qëndron për vizitë në Turqi

Një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë, i udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm Naim Bardiqi po qëndron për vizitë në Turqi, gjatë së cilës ka zhvilluar takime të rëndësishme me autoritet më të larta shtetërore të shëndetësisë të këtij shteti.

Sekretari i përgjithshëm Naim Bardiqi në takim me zëvendësministren e shëndetësisë Emine Alp Mese dhe drejtorin e përgjithshëm për BE dhe marrëdhënie ndërkombëtare Selami Kiliç, diskutuan për mbështetjen e deritanishme të Turqisë në shëndetësi dhe bashkëpunimin reciprok në të ardhmen.

Delegacioni ka zhvilluar takim me presidentin e institucionit për barna dhe pajisje farmaceutike Makki Gursoz, ku është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e inspektimit farmaceutik. 

Sekretari i Përgjithshëm ka zhvilluar edhe një takim me Recep Akdag ish- zëvendëskryeministër dhe ministër i Shëndetësisë, tani deputet në Parlamentin e Turqisë që ka qenë ideator dhe zbatues i reformës më të madhe të shëndetësisë në Turqi.

Në këtë takim është diskutuar për reformat që po zhvillohen në sektorin e shëndetësisë si dhe përvojat e Turqisë gjatë këtij procesi. 

Ndryshe, delegacioni ka zhvilluar edhe një takim në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Turqi me Avni Spahiu, ku është njoftuar për zhvillimet në shëndetësi si dhe për mundësitë e ngritjes së bashkëpunimit me Republikën e Turqisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat