Sulmet seksuale ndaj të miturave nga Fushë-Kosova e Vushtrria, policia po kërkon autorët - Bota Sot
Sulmet seksuale ndaj të miturave nga Fushë-Kosova e Vushtrria, policia po kërkon autorët

Kosova

Sulmet seksuale ndaj të miturave nga Fushë-Kosova e Vushtrria, policia po kërkon autorët

Më: 18 janar 2019 Në ora: 16:43
Foto ilustrim

Dy vajza nën moshën 16 vjeçare dyshohet se janë sulmuar seksualisht gjatë ditës së mërkurë, njëra në Prishtinë e tjetra në Vushtrri. E mitura nga Fushë-Kosova që familja po e kërkonte gjithkund u gjet dje me lëndime trupore rrugës për Gërmi, në kryeqytet. Ndërsa një 15-vjeçare nga Vushtrria u fut nga një i rritur në veturë dhe më pas u dërgua në shëtitore të qytetit për t’u sulmuar seksualisht. Deri më tani policia nuk ka rënë në gjurmë të personave të dyshuar që shkaktuan këto dy sulme seksuale

Parqet dhe shëtitoret po del të jenë vende që shfrytëzohen nga të rriturit për t’i sulmuar seksualisht të miturat. Këtë të paktën e vërtetojnë rastet e vajzave që ndodhën vetëm brenda një dite në Kosovë. 

Policia e Kosovës mbrëmë konfirmoi se e mitura nga Fushë-Kosova për të cilën dje u raportua pasi foli me familjen, u gjet me lëndime trupore rrugës për Gërmi. Momentalisht ajo është mjaft e shqetësuar dhe ka lëndime në njërin gju si dhe në dorë. Kështu tha babai i saj sot për express.

“Ma së shumti lëndime ka në këmbë në gju, edhe në dorën e majtë. E kanë godit me naj thikë se me thikë është e pre në gju edhe në dorë i ka disa shenja janë shumë të vogla, dikah tjetër nuk ka shenja”, tha ai.

Megjithëse rasti në polici po cilësohet si keqpërdorim seksual ndaj vajzës nën 16 vjeçare, babai i saj tha se vajza nuk ka shenja se është sulmuar seksualisht, por për të vërtetuar këtë është në pritje të rezultateve nga mjekësia ligjore.

“Çika njëherë është e shqetësume, gjurin e ka të prerë, për dhunime që po i përmendin nuk i ka. Jo pse është vajza ime se qysh i ndodhi vajzës sime mund të ju ndodhë edhe të tjerave, po është e shqetësuar. Ama dhunim e këto hala nuk dihet mjekësia ligjore nuk e ka dhënë fjalën e saj, por nuk po vërehen shenja të tilla”, tha prindi i të miturës.

“Keqpërdorim seksual i personit nën 16-vjeç. Prishtinë 17.01.2019 – 13:50. Një femër k/Shqiptare 14 vjeçare është gjetur e shtrirë në rrugë me disa lëndime. Viktima është dërguar për tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit viktimës i është bërë ekzaminimi mjekësor në qendrën e mjekësisë ligjore. Për shkak të gjendjes së rëndë emocionale dhe fizike viktima nuk ka mundur të japë deklaratë”, tha policia në raportin 24 orësh për rastin e vajzës nga Fushë-Kosova.

Ky prind po shpreson se policia do ta gjejë personin që i shkaktoi lëndime vajzës së tij. Ai tha se vajza e tij mbrëmë ka pasur komunikim me dikë, që, sipas tij, i ka thënë të mos zbulojë emra.

“Diçka po fshihet, mbrëmë ka komuniku me dikënd i kanë thanë mos qit emra, por shpresoj që policia do ti zbulojë, do ti zbulojë edhe vetë. Po presim, njëherë për një herë s’po i bëj presion, se është e mitur”, përfundoi ai.

Ndërkaq rasti i një të miture nga Vushtrria po cilësohet si “sulm seksual”. Media merr vesh nga burimet e saja të besueshme në Policinë e Kosovës se sulmi seksual ka ndodhur ditën e mërkurë në shëtitoren “Enver Zymberi” në Vushtrri.

Viktima fillimisht është mashtruar, kur një person i rritur i ka blerë diçka më pas e ka futur në veturë dhe e ka sulmuar. E mitura ka deklaruar në prani të prindit se të dyshuarin nuk e ka njohur më parë.

“Rasti ka ndodhur në Vushtrri në shëtitoren ‘Enver Zymberi’. Një person dyshohet se e ka shti në veturë, fillimisht ja ka ble do dhurata dhe me ato e ka fut në makinë ku e ka sulmu seksualisht. Ajo ka thënë që se ka njohur më herët. I dyshuari është  rreth 22 vjeç ndërsa viktima 15”, tha ky burim.

Edhe ky rast po hetohet nga policia.

“Sulm seksual. Vushtrri 16.01.2019 – 15:30. Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka raportuar se vajza e tij e mitur femër K-Shqiptare është sulmuar seksualisht nga një i dyshuar i panjohur mashkull. Viktima nuk pa pësuar lëndime trupore. Nuk raportohet për të arrestuar”, njoftoi policia dje në raportin 24 orësh.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...