Këshilli i nxënësve: Mësimdhënësit ta dëshmojnë kërkesën për rritje pagash

Kosova

Këshilli i nxënësve: Mësimdhënësit ta dëshmojnë kërkesën për rritje pagash

Më: 21 janar 2019 Në ora: 12:11
Greva

Ka më shumë se një javë që nxënësit në shkollat e Kosovës nuk po mbajnë mësim për shkak të grevës së SBAShK-ut që erdhi si rezultat i pakënaqësisë së mësimdhënësve lidhur me koeficientin e pagave.

Derisa SBAShK-u po kërkon rritje të koeficientit të pagave për 30 përqind, nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës thonë se mësimdhënësit duhet të protestojnë edhe për kushtet jo të mira në shkolla.

Anëtari i KNK-së, Agon Rexhepi në një intervistë, thotë se KNK nuk e përkrahë grevën. Sipas tyre, arsimi ka probleme më të mëdha se sa pagat e arsimtarëve, për të cilat duhet të protestohet.

Rexhepi: Mësimdhënësit të protestojnë edhe për kushtet në shkolla

“Një prej arsyeve pse nuk e kemi përkrahë grevën është se ne po mendojmë se ka tema që duhet të shtjellohen më fuqishëm, që ndoshta do të duhej të kishte grevë për kushtet që na mësojmë, ndoshta do të duhej të kishte grevë për sistemin në përgjithësi të arsimit, për të metat që i ka, se sa për paga, ama jo, nuk ka ndodhë që në shkollën tonë mësimdhënësit të protestojnë ose të mbajnë grevë në shenjë të kërkimit të përmirësimit të kushteve”, thotë Rexhepi.

Rexhepi po ashtu është shprehur skeptik nëse mësimdhënësit meritojnë rritje pagash. Sipas tij, fillimisht duhet të dëshmohet përmirësimi i cilësisë në arsim nga ana e tyre.

Rexhepi: Mësimdhënësit ta dëshmojnë me punë kërkesën për rritje pagash

“Nuk e di sa e meritojnë, ndoshta po shprehem pak banal, por mund t’i shohim rezultatet e PISA-s, edhe mund ta shohim sa pak nxënës shkojnë me qejf në shkollë nëse flasim sinqerisht, edhe unë mendoj se aty ndikon mënyra se si mësimdhënësit i presin, si ligjërojnë dhe si e mbajnë një orë në përgjithësi. Greva i ka arsyet e veta që mbahet po në anën tjetër ndoshta nuk është momenti i duhur tash, ose thjesht nuk është mënyra e duhur për ta realizuar këtë, kur mund të mbajnë mësim dhe në anën tjetër të përdorin ndonjë ë apo kanal tjetër që në të njëjtën kohë edhe kërkojnë rritje të pagave dhe e dëshmojnë me punë që e meritojnë rritjen e pagave”, deklaron Rexhepi.

Ndërkaq, lidhur me orët e humbura, SBAShK-u ka bërë me dije se nuk do t’i zëvendësojnë, por një gjë të tillë do e bëjnë vetëm nëse duan mësimdhënësit.

E sipas Rexhepit, kjo do t’i dëmtojë më së shumti maturantët, të cilët e përfundojnë mësimin më herët për shkak të testit shtetëror të maturës.

Rexhepi: Humbja e orëve i dëmton shumë maturantët

“Ani pse është diskutuar për zëvendësimin e orëve, ne mendojmë që nuk e kanë efektin e njëjtë dhe shumica e atyre orëve plotësuese ose zëvendësuese neglizhohen prej nxënësve, edhe tek e fundit i dëmton vetë nxënësit, veçanërisht maturantët, domethënë është veçse fundi i vitit shkollor edhe ata duhet të fillojnë të përgatiten për testin e maturës ose testet e brendshme edhe mungesa e çdo ore veçse do t’i penalizojë ata”, thotë Rexhepi.

Sipas reagimit të këtij këshilli, kjo grevë po iu mohon të drejtën për arsim,  dhe si e tillë kanë kërkuar që të ndërpritet.  

KosovaPress ka kontaktuar Ymer Ymerin nga SBASHK-u për ta pyetur nëse greva do të vazhdojë edhe në javën e dytë.

Ymeri ka konfirmuar që nuk janë tërhequr nga greva dhe njëherësh ka paralajmëruar edhe protesta nga SBAShK-u, nëse kërkesat e tyre nuk përmbushen brenda javës së dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat