Rrëfimi i gruas nga Podujeva që hajnat i vodhën 60 mijë euro dhe 1 kg dukat

Kosova

Rrëfimi i gruas nga Podujeva që hajnat i vodhën 60 mijë euro dhe 1 kg dukat

Më: 21 janar 2019 Në ora: 19:55
Foto ilustrim

Në gjykimin lidhur me grabitjen e 60 mijë eurove, një kilogrami ar, si dhe gjësendeve të tjera me vlerë, për çka akuzohen Edon Qibukqiu, Ridvan Islami, Beqir Zeneli dhe Fejzullah Sejdiu, sot ka dëshmuar e dëmtuara Nerxhivane Rudari dhe dëshmitari Liridon Zeneli.

Ngjarja për të cilën akuzohen katër të akuzuarit ka ndodhur në një fshat të Podujevës në korrik 2017.

Beqir Zeneli dhe Ridvan Islami po akuzohen se grabitën nga një shtëpi 60.000 euro, një kilogram ari, shumë gjësende të tjera me vlerë, e po ashtu edhe lidhën të dëmtuarën dhe fëmijët e saj që gjendeshin në shtëpi.

Sipas Prokurorisë, Zeneli e Islami nuk ishin të vetëm në këtë grabitje.

Prokuroria Themelore e Prishtinës pretendon se ata u shtynë nga dhëndri i shtëpisë, Fejzullah Sejdiu, i cili e dinte se në atë shtëpi gjendeshin të hollat dhe gjësende me vlerë.

E dëmtuara, Nerxhivane Rudari, rrëfeu sot në Gjykatën e Prishtinës sesi grabitësit natën kur kanë hyrë në shtëpinë e saj kanë vjedhur një valixhe (kofer), brenda të cilit ka pasur sende me vlerë si ari dhe 60 mijë euro.

“Në kofer ka qenë ari i vjehrrës si dhe 60 mije euro. Ato para të gjithë kunetët e mi, që jetojnë jashtë Kosove, i kanë  sjell ato  para dhe qëllimi i atyre parave ka qenë blerja e një banese në Prishtinë”, deklaroi e dëmtuara.

Për të dëshmuar në këtë proces është thirrur edhe dëshmitari Liridon Zeneli, i cili është vëllai i njërit nga të akuzuarit, Beqir Zenelit.

Ai deklaroi se gjatë bisedimeve që i kishte bërë me  vëllanë  e tij, Beqirin, ka kuptuar se Fejzullah Sejdiu ka qenë iniciatori që i ka dërguar për të grabitur shtëpinë e miqve te tij.

“Fejzullahu u ka thënë me shku me grabit shtëpinë e miqve dhe se në atë shtëpi janë 1 milion euro dhe unë ju tregoj kur nuk është askush në shtëpi”, citoi dëshmitari vëllanë lidhur me të akuzuarin Fejzullah Sejdiu.

Gjithashtu dëshmitari tregoi se si është takuar me Fejzullahun për të biseduar lidhur me veprën për të cilën po akuzohet vëllai I tij, Beqir Zeneli.

Ai theksoi se Fejzullahu e ka pranuar që ka qenë nxitës i kësaj grabitjeje. “Jemi mashtruar mbas pareve”, tha Liridon Zeneli t’i ketë thënë i akuzuari Fejzullah Sejdiu.

Me tutje dëshmitari shtoi  se ishte takuar me vëllain e Fejzullahut dhe se ai i kishte ofruar shumën prej 50 mijë deri në 100 mije euro vetëm që ta tërhiqte Beqiri deklaratën e tij ndaj Fejzullahut.

“A e din që Fejza ka fëmijë, sa pare p’i don për me tërheq deklaratën që e ka dhanë Beqiri?  50 mijë euro a 100 mijë euro?”, tha Liridon Zeneli t’i ketë thënë vëllai i Fejzullahut.

Ai  tregoi gjithashtu se gjatë bisedimeve që i kishte bërë me vëllanë e tij, Beqirin, ai i kishte treguar se Fejzullah Sejdiu edhe para një viti u kishte thënë të shkonin në shtëpinë e miqve për të kryer grabitje.

Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Fejzullah Sejdiu, avokati Naser Sopjani, i propozoi Gjykatës që në seancën e radhës të ftohet dëshmitari Nuhi Zeka, i cili,  tij, do t’i sqaronte shumë dilema në këtë çështje penale si dhe dëshmitarët, Mentor Hysenin dhe Besnik Osmanin.

Më pas ky propozim i avokatit u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri.

Seanca e radhës do të mbahet më 20 mars.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 7 korrik 2017 rreth orës 2:30, kur të pandehurit Beqir Zeneli dhe Ridvan Islami, së bashku edhe me të akuzuarin Musa Zeneli, i cili gjendet në arrati dhe të akuzuarit Edon Qibukqiu, si anëtarë të grupit, të maskuar dhe me armë në dorë janë futur në shtëpinë e të dëmtuarës, Nerxhivane Rudari, që gjendet në një fshat të komunës së Podujevës.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Beqir Zeneli ka qëndruar në dhomë me të dëmtuarën dhe fëmijët e saj, ndërsa të akuzuarit e tjerë kanë demoluar tri katet e shtëpisë, ku kanë arritur që të gjejnë dhe të marrin 60.000 euro para të thata, rreth një kilogram ar, orë dore, xhaketë anti- plumb, armën e tipit “TT”, një kasafortë të vogël dhe gjësende tjera me vlerë.

Sipas Prokurorisë, Fejzullah Sejdiu me dashje ka shtyrë të akuzuarit Ridvan Islami, Beqir e Musa Zeneli, si dhe Edon Qibukqiu, që ta kryejnë veprën penale të grabitjes, ashtu që pasi që këta të akuzuar i ka njohur edhe më herët, i ka shtyrë dhe bindur që të shkojnë në shtëpinë e të dëmtuarës Nerxhivane Rudari, të marrin të holla dhe gjësende me vlerë.

Fejzullah Sejdiu është dhëndër i familjes së dëmtuar dhe Prokuroria pretendon se ai ka qenë në dijeni se në këtë shtëpi ka të holla dhe gjësende të tjera me vlerë.

Sipas Prokurorisë, Sejdiu ka kryer veprim kriminal në formë të bashkëpunimit të kryerjes së veprës penale të shtytjes për kryerjen e veprës penale të grabitjes./kallxo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat