Ligji për ndërmjetësim do të ndikojë në zvogëlimin e lëndëve në gjykata

Kosova

Ligji për ndërmjetësim do të ndikojë në zvogëlimin e lëndëve në gjykata

Më: 23 janar 2019 Në ora: 11:41
Pamje nga lansimi i projektit ‘Përmirësimi i Qasjes në Drejtësi dhe Reformës së Sundimit të Ligjit

(E plotësuar) - Ligji për ndërmjetësim do ndikojë dukshëm në zvogëlimin e rasteve të grumbulluara në gjykata dhe prokurori.

Po ashtu, ndërmjetësimi po konsiderohet si një nga mjetet më të rëndësishme, si alternativë e besueshme, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, kontribuon në mënyrë domethënëse në përmirësimin e qasjes në drejtësi, rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe mbrojtje më të mirë të të drejtave themelore të njeriut.

Kështu është thënë në lansimin e projektit “Përmirësimi i Qasjes në Drejtësi dhe Reformës së Sundimit të Ligjit” nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ku temë e diskutimit ka qenë ligji për ndërmjetësimin.

Me këtë rast, përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, ka thënë se në muajt në vazhdim do të bëhet shumë progres në përmirësimin e shërbimeve të ndërmjetësimit.

Roccasalvo: Është shumë e rëndësishme që të lirojmë kohën e prokurorëve dhe gjyqtarëve

Image

“Tani e di se sa është e rëndësishme që të reduktojmë rastet, që të lirojmë hapësirën dhe kohën e prokurorëve dhe gjyqtarëve që faktikisht merren me çështjet e tjera të rëndësishme dhe është një pjesë e tërë e sistemit gjyqësor këtu në Kosovë dhe është një pjesë moderne, është diçka që duhet të bëhet dhe shumë prej fqinjëve po e bëjnë. Unë e kam një figurë këtu që thotë se në vitin 2017 nën mbështetjen tonë dhe të tjerëve kanë qenë qindra raste të cilat i kemi zgjedhur dhe gjyqtarët dhe prokurorët mund të mendojnë që ky numër është një numër mjaft i madh, por ky është një vend mjaftë i vogël dhe kjo faktikisht janë mijëra raste të cilat nuk kanë qëndruar tek gjyqtarët para se të shkojnë në gjykim. 90 përqind të këtyre rasteve ku ne i kemi zgjedhur përmes ndërmjetësimit është mjaftë e mirë dhe është numër mjaftë i madh që mund të përgëzoni vetën tuaj”, tha ajo.

Ndërsa, Ambasador i Norvegjisë në Kosovë, Strand Sjaastad, është shprehur se vendi të cilin e përfaqëson ka investuar me vite në sundimin e ligjit në Kosovë.

Ai tha se rishikimi funksional i sistemit gjyqësor ka nevojë për reformë dhe përmirësime të mëtutjeshme në sistemin gjyqësor.

Sjaastad: Nga Qendra e ndërmjetësimit në Mitrovicë më shumë se 800 raste janë zgjedhur

Image

“Qasja në drejtësi është një element kyç në të gjitha përpjekjet e përgjithshme me ligjet dhe rregulloret, qasja në drejtësi mund të nënvlerësohet nga disa faktorë, mungesa e kapaciteteve dhe trajnimeve në sistemin gjyqësor, mungesa e mundësive që të kenë jashtë gjykatës siç është edhe ndërmjetësimi, gjithashtu, edhe mungesa e qasjes tek njerëzit e varfër. Norvegjia për shumë vite e ka financuar së bashku me zviceranët dhe gjermanët Qendrën e ndërmjetësimit në Mitrovicë dhe akoma është, qendra e vetme ndërmjetësuese në Kosovë me një ekip dhe me një rrjet multietnik. Më shumë se 800 raste janë zgjedhur deri më tani, shumica prej tyre referohen nga gjykatat ose shërbimet prokuroriale”, u shpreh ai.

Po ashtu, ai bëri të ditur se ndërmjetësimin Norvegjia e ka mbështetur edhe në Shqipëri, ku tha se të dyja vendet mund të mësojnë nga njëra tjera në këtë fushë.

Në anën tjetër, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, është shprehur se qasja në drejtësi përmes ndërmjetësimit bëhet edhe më i lehtë përmes referentëve për ndërmjetësim që do të jenë prezentë në objektet e gjykatave.

Idrizi: Ndërmjetësimi do të ndikojë që lëndët të zvogëlohen

Image

“Nëse lëndët kryhen me ndërmjetësim dhe kemi një përqindje të kënaqshme gjykatat do të shkarkohen nga numri i madh i lëndëve, pra nuk do të flasim më për grumbullimin e lëndëve të vjetra. Afatet do të shkurtohen, lëndët nuk do të zgjasin dhe nuk do të stërzgjaten me vite të tëra, shto edhe aspektin ekonomik shpenzimet do të zvogëlohen për arsye se nëse një çështje zgjidhet me ndërmjetësim nuk do të ketë shpenzime, lënda nuk do të shkojë në shkallën e dytë apo edhe në shkallën e tretë sipas mjeteve të ankimimit. Me ndërmjetësim të dy palët do të ndahen të kënaqura dhe kjo është shumë më efektive sesa vendimi i Gjykatës, pasi gjithmonë një palë është e pakënaqur, ndërsa tek ndërmjetësimi fitojnë palët”, tha ai.

Ndërkaq, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka bërë të ditur se që pas hyrjes në fuqi të ligjit bazik për ndërmjetësim kanë caktuar një prokuror, i cili ka mbajtur takime me prokurorët dhe gjyqtarët në të gjithë vendin, që për qëllim ka pasur vetëdijesimin e tyre për ndërmjetësimin.

Hyseni: Është kuptuar mirë ndërmjetësimi

Image

“Nga këto takime që janë organizuar në regjionin e Gjilanit, Gjakovës, Ferizajt, nga takimet që pastaj kemi pasur me të gjithë akterët që kanë qenë pjesë e këtyre takimeve kemi marr opinione që shumë është kuptuar drejtë ndërmjetësimi dhe nuk po na mungojnë në praktikë rastet si procedurë alternative. Ne do t’iu njoftojmë shumë shpejt me raportin që nga hyrja në fuqi e ligjit kemi menjëherë një progres të madh të kësaj procedure alternative”, tha ai.

Projektit “Përmirësimi i Qasjes në Drejtësi dhe Reformës së Sundimit të Ligjit” nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), është financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë përmes Ambasadës Mbretërore të Norvegjisë në Kosovë, është përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës me qëllim të mbështetjes reformës në sektorin e drejtësisë dhe përmirësimit të qasjes në drejtësi.

***

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka lansuar projektin ‘Përmirësimi i Qasjes në Drejtësi dhe Reformës së Sundimit të Ligjit ku është diskutuar Ligji për Ndërmjetësimi’.

Me këtë rast, Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, është shprehur se muajt në vazhdim do të punojnë për të bërë progres në ofrimin e shërbimeve të ndërmjetësimit.

"Në muajt në vazhdim do të bëjmë shumë progres në ofrimin e shërbimeve të ndërmjetësimit", u shpreh ajo.

Ambasadori i Norvegjisë, Strand Sjaastad, ka potencuar se Norvegjia vazhdimisht ka ndihmuar Kosovën në sundimin e ligjit. Ndërsa ka theksuar se rishikimi i sistemit gjyqësor ka nevojë për përmirësim.

Partneriteti në mes ministrisë së Drejtësisë dhe disa ambasadave sipas tij ka mundësuar që sundimi i ligjit të shkojë përpara.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ka thënë se qasja në drejtësi përmes ligjit për ndërmjetësim do të jetë më e lehtë dhe në këtë mënyrë do të zvogëlohet edhe numri i lëndëve në gjykata.

 "KGJK mirëpret bashkëpunimin për të punuar ngushtë në arritjen e rezultateve të reja për sundimin e ligjit. Qasja në drejtësi përmes ligjit për ndërmjetësim do të jetë më i lehtë. Benfitet e ndërmjetësimit janë, nëse lëndët kryhet me ndërmjetësim gjykatat do të zvogëlojnë numrin e lëndëve. Me ndërmjetësim të dy palët do të ndahen të kënaqura", tha ai.

Kurse, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka treguar veprimet që i kanë ndërmarrë që pas hyrjes në fuqi të ligjit për ndërmjetësim.

"Ne tani pas hyrjes në fuqi të ligjit bazik për ndërmjetësim si këshill kemi bërë hapat konkret dhe jemi takuar me përfaqësuesit e UNDP-së dhe kemi caktuar një prokuror që ka pasur për detyrë të organizojë takime në qytete të ndryshme me qëllim të vetëdijesimit të gjyqtarëve për ndërmjetësim. Nga këto takime që janë organizuar kemi marrë opinione që shumë është kuptuar drejt ndërmjetësimi", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat