Akademi përkujtimore me rastin e 103-vjetorit të rënies së heroit kombëtar Isa Boletini

Kosova

Akademi përkujtimore me rastin e 103-vjetorit të rënies së heroit kombëtar Isa Boletini

Nga: F. B. Më: 23 janar 2019 Në ora: 19:20
Pamje nga Akademia përkujtimore

Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot në sallën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë lumit  Ibrit, u mbajt  akademi përkujtimore me rastin e 103-vjetorit të rënies së heroit kombëtar Isa Boletini.

Duke folur para të pranishmëve, në mesin e të cilëve ishin edhe kryetari Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Financave, Bedri Hamza, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL e UÇK-së), Hysni Gucati, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, pasi përshëndeti të pranishmit, tha se Isa Boletini është një atdhetar që ka bashkuar trojet shqiptare dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për pavarësinë e Shqipërisë dhe për lirinë e trojeve shqiptare.

“Mitrovica, e cila shumë shpejt do të ribashkohet, është edhe amanet i Heroit Isa Boletini, që ta ruajmë të tërën, të bashkuar dhe të zhvillojmë e çojmë përpara. Isa Boletini dhe të gjithë atdhetarët tanë që morën pushkën në dorë për lirinë e popullit dhe të Shqipërisë e Kosovës, meritojnë respektin e të gjithëve dhe besoj se këtë edhe e kanë. Ne kemi qenë një popull i vogël, por vazhdimisht jemi shquar për trimëri të madhe dhe kemi qenë pjesë e të gjitha përpjekjeve për liri dhe pavarësi, duke i rezistuar për shekuj pushtuesve barbarë, deri në çlirimin definitiv. Falë këtyre përpjekjeve dhe luftës së lavdishme të UÇK-së, ne sot kemi edhe shtetin e lirë dhe sovran të Kosovës,  të cilin vetëm si të bashkuar mund ta ruajmë dhe zhvillojmë. Këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë për liri dhe pavarësi, të cilët me gjakun e tyre të derdhur na e bënë të mundur këtë që ne sot po e gëzojmë”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Image
Kadri Veseli

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli tha se sa herë vjen janari kujtohen rëniet dhe vdekjet e njerëzve të mëdhenj të kombit tonë: Skënderbeut e Ismail Qemalit, por edhe luftëtarët e vonshëm të lëvizjes sonë kombëtare, që ranë po në janar: Vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.

“Sot jemi bërë bashkë për të kujtuar e nderuar një personalitet të madh të Kosovës, i cili po ashtu ra në janar, heroin e Mitrovicës, heroin e Kosovës, heroin e gjithë kombit shqiptar, Isa Boletinin. Sot porosia jetësore e Isa Boletinit na flet qartë dhe drejtë, më shumë se kurrë: nuk ka jetë të mirë për individin, pavarësisht gjendjes së kombit. Na mund të jemi mirë, veç kur kombi dhe shteti i kanë punët mirë. Kjo është dashuria e vërtetë për atdheun”, theksoi ndër të tjera kryeparlamentari Veseli.

Në emër të familjarëve, të pranishmit i përshëndeti stërnipi i Isës, Gazmend Boletini, i cili falënderoi institucionet  lokale dhe ato qendrore për përkujdesjen e tyre për figurën e Heroit Isa Boletini.

Për figurën dhe kontributin e Heroit Isa Boletini për çështjen kombëtare dhe pavarësinë e Shqipërisë, me kumtesa janë paraqitur Sabile Keçmezi Basha nga Instituti i Historisë në Prishtinë, Xheladin Shala  po ashtu nga  Instituti Albanologjik në Prishtinë,  Mustafë Haziri nga Qendra për Studim dhe Hulumtim në Mitrovicë  si dhe  Enis Kelmendi nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Mitrovicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat