Tahiri: Kosova ndër të parat në rajon që bëhet me Kod Civil

Kosova

Tahiri: Kosova ndër të parat në rajon që bëhet me Kod Civil

Më: 24 janar 2019 Në ora: 12:06
Në aktivitetin “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës”,

Drafti i Kodit Civil të Kosovës është finalizuar dhe së shpejti pritet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për të marrë sugjerimet e fundit, që më pastaj të miratohet.

Kështu është bërë e ditur në aktivitetin “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës”, organizuar nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili ka mbështetur Ministrinë e Drejtësisë.

Me këtë rast, është thënë se Kodi Civil prek qytetarët e Kosovës në jetën e tyre të përditshme, siç janë kontratat dhe marrëveshjet e tyre, duke përfshirë të drejtat e tyre pronësore. Po ashtu, ndikon në mënyrën se si regjistrohet jeta familjare dhe atë se cilat të drejta trashëgimore mund t’i ketë njeriu.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se Republika e Kosovës ndër të parat në rajon po bëhet me Kod Civil, e kjo sipas tij vije fal punës më shumë se 2 vjeçare të profesionistë të kësaj fushe që për muaj të tërë kanë bërë debate se si duhet të rregullohet fusha e të drejtave civile në vend.

I pari i Drejtësisë është shprehur se me të marrë detyrën e ministrit ka pasur tri prioritete, sundimin efikas të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe qasje efikase në drejtësi. Kjo e fundit sipas tij është e lidhur pikërisht me Kodin Civil.

Krahas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, Tahiri tha se Kodi Civil ka qenë dhe është prej prioriteteve të tij dhe të ministrisë që e drejton.

Tahiri: Kodi Civil një prej produkteve legjislative më të mëdha pas Kushtetutës

“Ka qenë dhe është një prej produkteve legjislative më të mëdha pas Kushtetutës së Kosovës dhe jam shumë i lumtur dhe falënderues për punën që është bërë në draftimin e këtij dokumenti. Një rend liberal dhe demokratik siç po punojmë çdo ditë e më shumë për të fuqizuar Republikën e Kosovës, pra ekonominë e lirë të tregut dhe marrëdhëniet kontraktuale janë pjesë fundamentale e këtij rendi. Garantues i tyre është pa dyshim sundimi i ligjit dhe siguria juridike e cila nuk bënë të kërcënohet nga zhvillimet e ndryshme e të shpeshta legjislative, shpesh herë akoma pa iu dhënë mundësia të vihen në zbatim e praktikë.  Mbi këtë bazë, pra mbi nevojën që të garantohet siguri juridike për çështje që janë fundamentale, për një rend liberal kanë qenë jashtëzakonisht të nevojshme kodifikimi i të drejtës civile”,tha ai.

Tahiri ka treguar edhe hapat që i kanë ndërmarrë gjatë hartimit të draftit të Kodit Civil, ku ka përmendur se Kushtetuta e Kosovës ka qenë udhërrëfyesi themelor.

Tahiri: Jemi kujdesur po ashtu që Kushtetuta e Republikës së Kosovës të jetë udhërrëfyes themelor

“Gjatë periudhës së hartimit të këtij Kodi kemi pasur vëmendje të plotë për të mësuar nga përvojat dhe traditat më të avancuara evropiane, si dhe kemi përcjellë më vëmendje edhe trendët bashkëkohore të fushës të së drejtës civile. Jemi kujdesur po ashtu që Kushtetuta e Republikës së Kosovës të jetë udhërrëfyes themelor mbi të cilën kemi deshifruar të drejtat dhe detyrimet në marrëdhëniet e fushës civile. I kemi kushtuar rëndësi të madhe edhe traditës së popullit tonë si një aset i vlefshëm që mundëson jo vetëm barasvlerë të ideve bashkëkohore të translatuara nga jashtë, por edhe nxjerrjen në pah të vlerave tona kolektive. Natyrisht i kemi kushtuar vëmendje të plotë aspiratave tona integruese brenda Bashkimit Evropian dhe obligimet që kanë shtetet përveç brenda ambientit të komunitetit të gjerë të shteteve”, është shprehur ai.

Të gjitha këto rryma dhe parime, sipas Tahirit i kanë udhëhequr për muaj të tërë për të arritur në draftin e Kodit Civil.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se është bërë një punë e madhe në hartimin e këtij drafti, teksa është shprehur se mezi pret që të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Ajo tha se kodi rregullon marrëdhëniet familjare, detyrimet dhe trashëgiminë dhe të drejtat civile. Apostolova tha se të gjitha këto janë të grupuara në një kod i cili është i qasshëm për të gjithë.

Gjatë hartimit të draftit sipas Apostoloves, vëmendje e veçantë i është dhënë kontekstit kosovar dhe të drejtave bazike të cilat garantohen nga kultura, Kushtetuta dhe normat sociale, e po ashtu edhe vlerave themelore të BE-së për legjislacion.

Apostolova: Tani Qeveria e Kosovës mund ta bëjë një ligj të vërtetë

“Ky nuk është një produkt i përfunduar komplet, ne sot po e dorëzojmë draftin e Kodit në mënyrë që Qeveria e Kosovës të mund të fillojë procedurat zyrtare që ta bëjë draftin më të vërtetë një ligj të vërtet. Prandaj, është me rëndësi që të gjithë ata të cilët nuk e kanë pasur mundësinë që të japin komente në këtë draft, tani do ta kenë mundësinë që t’i bëjnë komentet e tyre gjatë konsultimeve zyrtare publike. Realisht ky është një hap tjetër ku edhe përmirësimet mund të bëhen gjatë procedurës së aprovimit nga Kuvendi, do të doja që t’iu ftoja të gjithëve që të merrni pjesë në këto konsultime publike”, u shpreh ajo.

Ajo u shpreh se nga tash Qeveria do të jetë ajo që do të vazhdojë procesin e krijimit të Kodit Civil dhe që ta bëjmë të suksesshëm. Por, ka potencuar se BE do të vazhdojë të mbështesë Kosovës në këto sfida.

Gjithashtu, ka bërë të ditur se kanë përgatitur një memorandum shpjegues se si do të përdoret ky Kod dhe një fjalorth që do të ketë një interpretim të unifikuar të të gjitha despozitave.

Në këtë aktivitet është bërë e ditur se Kodi Civil i ri ka 5 pjesë: Pjesa e Përgjithshme, Libri për të Drejtën Familjare, Libri për Obligimet, Libri për të Drejtat Pronësore dhe Libri për Trashëgiminë. Këto libra përputhen me standardet e aplikueshme të Bashkimit Evropian dhe do mbështesin bashkëpunimin gjyqësor në çështjet civile - lokale dhe ndërkombëtare - me të gjithë partnerët përkatës, si gjyqësori, avokatët, noterët, odat ekonomike dhe të gjithë partnerët e tjerë relevantë profesionalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat