Flet skitari që pa me sy ortekun që i mori jetën Arian Dacit

Kosova

Flet skitari që pa me sy ortekun që i mori jetën Arian Dacit

Më: 28 janar 2019 Në ora: 15:57
Arian Daci

Vetëm rreth gjysmë ore para se të ndjerit Arian Daci ti ndodhte tragjedia në Brezovicë, Deni Hameli ishte duke skijuar në ‘Folenë e Shqiponjës’.

29 vjeçari, i cili sikurse Daci pëlqen shumë skijimin ekstrem tregon për Gazetën inFokus se orteku i cili ia morri jetën zëvendësministrit, është më i madhi që është lëshuar ndonjëherë në Brezovicë.

Me ndjenja të përziera flet për ngjarjen e kobshme.

“Unë me disa shokë, diku nja 35 minuta para se të ndodhë rasti, kemi qenë në të njëjtin vend, kemi bërë lëshime. Por sigurisht ka ndikuar edhe faktori i borës dhe ndryshimi i temperaturës dhe fati i të ndjerit dhe të tjerëve”, tregon me gjysmë zëri Hameli.

“Ka qenë një lloj orteku që nuk e kemi parë më herët në Brezovicë. Ky ka qenë një ortek masiv që është lëshu prej një sipërfaqe shumë të madhe, prej majës së kodrës dhe e ka përcjellë krejt kreshtën e majës”.

Skiatori që nuk përton të ngjitet edhe maja të rrezikshme, thotë se këtë e bëjnë nga adrenalina që kanë dëshirë ta përjetojnë.

“Të gjithë skijatorët që dalin jashtë shtigjeve janë të vetëdijshëm që nëpër pjerrtësi të terrenit në sasi të madhe të borës ndodhin këto gjëra, por egoja dhe adrenalina për skijatorë e bënë të veten. Duke e ditë që ka rrezik, prapë futen aty”, tregon ai.

Hameli ishte një prej atyre që shkuan në vend të ngjarjes, në ‘Folenë e Shqiponjes’, për ta kërkuar trupin e Dacit.

Thotë se si shkak i ortekut masiv edhe bari kishte dalë bashkë me borë.

“Nuk është ky rasti i vetëm që ka orteqe në atë vend. Ky rast ka qenë pak më i madh sepse unë kam qenë në të njëjtin vend për me i kërku të aksidentuarit dhe jam habitur kur e kam pa se si kish dal bari bashkë me borë”, thotë Hameli.

Me gjendjen në Brezovicë nuk është aspak i kënaqur kryetari i federatës së skijimit të Kosovës, Milaim Kelmendi.

Kelmendi tregon se institucionet paralele që menaxhojnë me Brezovicën nuk mërziten shumë për kushtet.

“Edhe qendra vet ka mundësi që të lëshojë dinamite dhe t’i zgjedhë këto probleme dhe të mos kemi problem. Por ja që këtu është një kaos që funksionon më ndryshe, janë institucionet paralele dhe nuk mërziten shumë. Mendojnë vetëm me inkasu më shumë mjete”, deklaron Kelmendi.

Ai thotë se edhe rruga për në Brezovicë është e rrezikuar nga ortekët, kur ka sasi më të madhe të borës.

Arian Daci i cili ndërroi jetë gjatë së shtunës, ishte djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.

Bashkë me të ishte edhe Ardian Bakalli i cili gjithashtu kishte mbetur i ngujuar nga orteku. Megjithatë, Bakalli ka shpëtuar dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat