Nisin hetimet ndaj tre policëve që i morën fëmijët nga e ndjera Nrecaj, për t’ia dërguar të atit

Kosova

Nisin hetimet ndaj tre policëve që i morën fëmijët nga e ndjera Nrecaj, për t’ia dërguar të atit

Më: 30 janar 2019 Në ora: 21:55
Pjetër dhe Valbona Nrecaj

Pesë muaj pas vrasjes së Valbona Nrecajt dhe vajzës së saj ngas bashkëshorti Pjetër Nrecaj, kanë nisur hetimet për tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës të stacionit në Gjakovë.

Inspektorati Policor i Kosovës ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj tre policëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare në këtë rast.

Sipas këtij kallëzimi penal, policët e stacionit policor në Gjakovë, dyshohet se kundërligjshëm i kishin ndihmuar të dyshuarit Pjetër Nrecaj që t’i merrte fëmijët nën përkujdesje nga nëna tashmë e ndjerë Valbona Nrecaj.

Gjithë këtë ndërmjetësim këta policë e kishin bërë pa i njoftuar fare eprorët e tyre.

Por, Policia e Kosovës në Gjakovë ka thënë të mos jetë e informuar për këtë kallëzim penal dhe hetimet ndaj pjesëtarëve të saj, me arsyetimin se kjo çështje i takon IPK-së.

Zëdhënësja e Policisë në Gjakovë, Lirije Podrimja, shkurt ka konfirmuar se tre policët po vazhdojnë të jenë të suspenduar.

E, për këtë çështje, nuk ka dashur të flasë as Inspektorati Policor i Kosovës, i cili në shtator të vitit të kaluar kishte suspenduar policët me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ky institucion, i cili heton shkeljet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, vetëm ka konfirmuar se këtë muaj ka dorëzuar në Prokurori një kallëzim penal ndaj tre policëve të stacionit policor në Gjakovë.

Në gusht të vitit të kaluar, KTV-ja kishte raportuar pikërisht se si i dyshuari për vrasjen e dyfishtë të gruas dhe vajzës së tij, Pjetër Nrecaj, kishte arritur t’i marrë fëmijët nën përkujdesje pa vendim të gjyqit, vetëm me ndërmjetësimin e policisë.

E ndjera Valbona Nrecaj kishte kërkuar ndihmën e Qendrës për Punë Sociale që t’i takonte fëmijët, por meqë ajo e kishte kërkuar shkurorëzimin, bashkëshorti ia kishte ndaluar nënës t’i shihte fëmijët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat