Babai i 20 vjeçarit që kreu vetëvrasje dje në Shtime: Djali shkoi në punë duke qeshur

Kosova

Babai i 20 vjeçarit që kreu vetëvrasje dje në Shtime: Djali shkoi në punë duke qeshur

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 18:04
Foto ilustrim

Djali i hasretit, Lirim Hysenaj, 20 vjeçar nga Shtimja, i dha dje fund jetës së tij, pak minuta pasi që kishte shkuar në restorantin ku tash e sa muaj po punonte si kamarier, duke u varur në litar. Nuk dihet arsyeja që e ka çuar të riun drejt vdekjes. Familjarë e miq, studentit të dy fakulteteve i dhanë sot lamtumirën e fundit.

Lirim Hysenaj nga Komuna e Shtimes po studionte në dy fakultete, e nuk kishte shumë kohë që kishte filluar punën edhe si kamerier në një restorant. Me ato pak para që fitonte mundohej t’i mbulonte shpenzimet.

 Dje, ashtu si çdo ditë tjetër në orën 04:30 të mëngjesit Lirimi 20 vjeçar u nis për në punë. Vetëm pak minuta më vonë, në familjen e tij do të shkonte lajmi se diçka e keqe kishte ndodhur me djalin e tyre.

Pasi që kishte shkuar në punë për të hapur restorantin, i njëjti kishte kryer vetëvrasje, e aty do ta gjente kolegu i tij, e pastaj do ta njoftonte edhe prindin. Rasti tragjik ka tronditur familjarët e ata që e kanë njohur të ndjerin.

Media qëndruar gjatë ditës në komunën e Shtimës në familjen Hysenaj, nga ku prindi i Lirimit, Ilmiu ka rrëfyer për rastin.

 I tronditur nga ngjarja, derisa po priste shumë njerëz që shkonin për kryeshnosh, ai rrëfeu se djali i tij nuk ka pasur probleme me askënd.

Të enjten, si çdo ditë tjetër ai kishte biseduar me djalin e tij para se të nisej për në punë, e thotë se nga shtëpia kishte dalë duke qeshur.

“Në punë e kam përcjellë në mëngjes, ka hangër bukë në orën 04:30 e përcjella, thash ku po shkon tha në punë, i thash rri edhe pak o babi se pak herët tha jo po shkoj. Tu kesh u shku. Pak ma vonë, një koleg i tina që punojnë më tha Lirimi spo naj qel derën, thash qysh spe qel tha spe dimë. Ish kanë me në katin e dytë e ka thy xhamin, ngat derës djali kish pas ndërru jetë”, rrëfente ai, duke thënë se atëherë ishte nisur menjëherë në vend të ngjarjes dhe rreth orës 05:10 minuta djalin e kishte gjetur të vdekur në restorantin ku po punonte.

Për djalin thotë se asnjëherë askush nuk kishte pasur vërejtje, duke shtuar se punën e kishte filluar që tre muaj dhe ishte student i dhjetësheve.

Njëjtë për djalin e axhës së tij flet edhe Gazmendi.

 “Në shoqni u kanë shumë i dashur, nuk e dimë që ka pas diçka probleme me dikë, ka qëndru mirë edhe ka ana financiare. U kanë shumë i qetë dhe i heshtur në të njëjtën kohë. Ska qenë njeri i problemeve”, deklaroi ai.

Familja nuk e di se çka mund ta ketë shtyrë Lirimin drejt vetëvrasjes, e thonë se ai ishte person i qeshur që nuk kishte probleme me askënd.

Për të fjalët më të mira i kanë shkruar edhe shokët e shoqet e të ndjerit.

Përmes Facebook’ut shoqja e ngushtë, ka shkruar se ditën kur ndërroi jetë, Lirimi i kishte shkruar për ta falënderuar e për t’i kërkuar falje.

Express ka qëndruar edhe në vendin ku ndodhi ngjarja tragjike, por, aty ku ndodhi rasti gjatë ditës nuk po punonte askush.

I ndjeri, 20 vjeçari Lirim Hysenaj ishte student me nota 10-she e po studionte “Inxhinieri Industriale me Informatikë” dhe Shkenca Politike.

Nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë bërë të ditur se i ndjeri ka kryer vetëvrasje duke u varur në litar. 

Vetëm këtë javë në Kosovë, kanë ndodhur dy varje me litar.

Të hënën u raportua se në Istog është vetëvrarë 18-vjeçari Jetmir Bekaj. Lirimit iu dha lamtumira e fundit sot në varrezat e fshatit Pestovë të Shtimes. Ai ka lënë prapa prindërit dhe dy motra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat