Yagcilar: Tri ligjet e miratuara adresojnë sfidat kryesore që kemi në administratën publike

Kosova

Yagcilar: Tri ligjet e miratuara adresojnë sfidat kryesore që kemi në administratën publike

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 17:54
Mahir Yagcilar

Lidhur me miratimin e 3 ligjeve respektive të Administratës Publike nga Kuvendi i Kosovës, ka reaguar ministri të Administratës Publike, Mahir Yagcilar.

Ministri Yagcilar ka shprehur falënderimin e tij për miratimin e tri ligjeve.

Ai tha se miratimi i këtyre ligjeve shënon zbatimin e një prej treguesve kryesorë nga Kontrata e Reformës Sektoriale për Administratën Publike me Komisionin Evropian.

“Dua të përgëzoj Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratimin e Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin për Pagat që paraqet një arritje të madhe për procesin e reformës dhe modernizimit të administratës publike. Miratimi i këtyre ligjeve shënon gjithashtu zbatimin e një prej treguesve kryesorë nga Kontrata e Reformës Sektoriale për Administratën Publike me Komisionin Evropian”, ka thënë Yagcilar.

Ai tha se ligjet përkatëse adresojnë sfidat kryesore që janë në administratën publike, duke përfshirë, ndër të tjera, procesin e rekrutimit të nëpunësve civilë dhe vlerësimin e performancës së tyre dhe do të krijojë përgjegjësi në formimin dhe menaxhimin e agjencive të pavarura.  “Ligjet përkatëse do të transformojnë rolin dhe mandatin e Ministrisë së Administratës Publike dhe ne jemi të gatshëm të ecim përpara në zbatim”, shtoi tutje ministri.

“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar Kryeministrin Haradinaj për mbështetjen që kemi pasur gjatë gjithë procesit. Kryeparlamentarin Veseli për përkushtimin dhe përkrahjën e tij në këtë proces, anëtaret e komisionit parlamentar për administratë publike, qeverisje lokale dhe media për punën e tyre. Gjithashtu dua të përgëzoj dhe falënderoj për punën e tyre Grupet Punuese që kanë hartuar ligjet dhe Departamentin Ligjor në MAP”, thuhet tuje në deklaratën e ministrit të Yagcilar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat