Qytetarët kërkojnë dënim maksimal për përdhunuesit e 16 vjeçares

Kosova

Qytetarët kërkojnë dënim maksimal për përdhunuesit e 16 vjeçares

Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 16:25
Protesta në Drenas

Nën moton “Pro mësimit, jo përdhunimit”, është mbajtur një protestë në Drenas, gjatë së cilës qindra qytetarë kanë kërkuar drejtësi për vajzën e mitur, e cila dyshohet se u përdhunua nga profesori i saj, e më pas edhe nga polici tek i cili e raportoi rastin.

Protesta ka nisur nga gjimnazi “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, e më pas ka vazhduar drejt stacionit policor në Drenas, gjatë së cilës kanë kërkuar që të dyshuarit e përfshirë në rastin e 16 vjeçares, të marrin dënimin maksimal.

Gjatë protestës disa protestues kanë gjuajtur në drejtim të policisë me vezë, shishe dhe gurë, ku si pasojë është lënduar një aktiviste e cila ka marrë tretman mjekësor dhe është në gjendje  të mirë shëndetësore.

“Mos gjuani, ne nuk jemi dhunues, jemi protestues. Policia e ka organizuar bashkë me ne protestën, andaj mos gjuani", ka thënë njëri nga organizatorët.

Aktivistja Altinë Nika ka lexuar një letër në solidarizim me viktimën, gjatë së cilës ka thënë se shkolla e mitura ka ndjekur mësimet është bërë ankth për shumë vajza.

Nika: Pavetëdijshëm jemi bërë pjesë e një sistemi që përdhunon nxënëset

“Sot secila prej nesh po e pyet veten, çka nëse kisha qenë unë? Çka nëse do t’i kishte ndodhur motrës ose shoqes sime. Ne kemi besuar verbërisht që në këtë shkollë do të marrim dije, e kemi nisur ngritjen e karrierës, ama as unë, as viktima e as një vajzë tjetër nuk e kemi besuar që pavetëdijshëm është bërë pjesë e një sistemi që nënvlerëson, përçmon e i përdhunon nxënëset e veta”, ka thënë Nika.

Kurse aktivistja Adelina Tërshani, përmes poezisë “Çika e Kosovës”, ka thënë se shteti i Kosovës po i shpërblen ata që po dhunojnë vajzat e gratë.

Tërshani: Çika e Kosovës ka mbetur në duar të përdhunuesve me uniforma

“Unë, çika e Kosovës, kam mbetur në duar të përdhunuesve me uniforma, të shtetit vrasës të grave që përdhunon në banka të shkollës. Unë, çika e Kosovës kam mbetur në dorë të përdhunuesve me mirënjohje që shteti vrasës i grave i shpërblen që kanë dië me ma marrë fëmijërinë”, ka thënë Tërshani.

Protestës i janë bashkangjitur edhe mësimdhënës të shkollës, deputetë, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, po ashtu edhe këngëtarja Dafina Zeqiri, ndërkaq gjatë marshimit drejt stacionit policor, numri i protestuesve është rritur.

Pranë stacionit policor të Drenasit, ka folur edhe aktivisti Afrim Berisha, i cili ka thënë se ftuar policët që të distancohen nga kolegu i tyre dhe që të hetojnë raste të ngjashme brenda stacionit policor.

Berisha: Të dënohet abuzuesit dhe të hetohen rastet e ngjashme

“Dënimi maksimal i policit kriminel, profesorit pedofil e gjinekologut abuzues. Kërkojmë zotim publik nga komandanti i Policisë në Drenas, së pari të kryejë një hetim komplet stacionit policor për raste të ngjashme dhe varësisht nga gjetjet të merren masa menjëherë”, ka thënë Berisha.

Gjatë fjalimit të tij, protestuesit kanë kërkuar edhe dorëheqjen e komandantit policor të Drenasit.

Gjatë protestës një polic në Drenas është përlotur, teksa protestuesit kërkonin nga policët që të bënin dy hapa mbrapa për t’u distancuar nga kolegu i tyre, Vesel Veseli.

Pas protestës, aktivistët kanë zhvilluar edhe një aksion simbolik, gjatë së cilit kanë shpalosur një pankartë në formë të mirënjohjes, në të cilën shkruhej: Vesel Veseli, përdhunuesi.

Lidhur me këtë rast, dje është mbajtur një protestë para Policisë së Kosovës në Prishtinë, në të cilën krahas qytetarëve kanë marrë pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Anëtarët e YIHR-së, njëherësh organizatorë të protestës, kanë thënë se nuk do të ndalen pa u arritur drejtësi për rastin në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat