Rrëfimi nga Vushtrria: Qeni kafshon 8-vjeçarin në fytyrë, e mbysin dy ditë më pas

Kosova

Rrëfimi nga Vushtrria: Qeni kafshon 8-vjeçarin në fytyrë, e mbysin dy ditë më pas

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 18:05
Leonardo Smajli, 8 vjeçar

Të shtunën pasdite, një qen endacak kishte sulmuar tre fëmijë dhe e kishte lënduar rëndë njërin prej tyre. Leonardo Smajli, 8 vjeçar, u kafshua në fytyrë në lagjen ku ai banonte në Vushtrri, derisa kishte dalë të luante me shokët. Lajmi ka shqetësuar familjarët e banorët e kësaj ane, ndërkaq të hënën qeni që kafshoi fëmijën u vra.

Pak pasi që kishte përfunduar mësimin, 8 vjeçari, Leonardo Smajli kishte dalë për të luajtur me dy shokët e tij. Në lagjen ku ai banon, në rrugën “Kadri Dushi”, në Vushtrri, nxënësi i klasës së tretë, do të sulmohej nga një qen, e nga sulmi do të merrte lëndime të rënda.

Nga kafshimi i qenit, do të shpëtonte, vetëm kur dy shokët e tij do të fillonin të gjuanin me gurë në drejtim të tij.

Menjëherë pas kësaj, Leonardo, u përcoll me urgjencë në spital.

Lajmi se një fëmijë ishte sulmuar nga një qen, e fotografitë që u shpërndanë nëpër media e rrjete sociale, bënë që të hënën në mëngjes të dilnin në vendin e ngjarjes dy punëtorë të një ordinance private veterinare në Vushtrri.

Të dy këta me mjetet që iu nevojiteshin, ishin nisur që qenin që kishte sulmuar 8-vjeçarin ta mbytnin me medikamente. Fillimisht, ai u fut në gjumë, e pastaj u dërgua deri në ordinancë, ku edhe do t’i jepeshin ilaçet e nevojshme.

Këtë gjest, Visar Zhabari, po thotë se e kanë bërë vullnetarisht, duke treguar edhe për procedurat.

“Këtë e kemi pa në media që e ka hangër ni fmi tetë vjeç, e kemi bë këtë sen human. Tash qenit i dhamë ilaçe në gjumë “Ketxyl”, tash vazhdojmë në ordinancë kemi me ja dhanë ilaçet tjera për me e mbyt”, deklaroi Zhabari, duke shtuar se qeni ishte i vaksinuar dhe në këtë rast nuk ka rrezik nga ai.

 Sipas tij, zakonisht qentë janë më së shumti agresiv gjatë dimrit, e kjo ndodh shkaku i mungesës së ushqimit.

Pak metra larg nga vendi ku kishte ndodhur rasti, familja e Leonardos, të shqetësuar nga ajo që kishte ndodhur, thanë se shpresojnë që ky të jetë edhe rasti i fundit.

Nëna e tij, Luljeta Smajli, ka shpjeguar se ishte në shtëpi në kohën kur e thirrën për t’i treguar se çka ndodhi me djalin, ndërkaq, thotë se Leonardo po ka probleme dhe nuk po mundet as të ushqehet.

“Rasti ka ndodh djali ka qenë në shkollë, ka ardh në shpi ka pushu pak, edhe pastaj ka dalë me djalin e vëllaut edhe një shok për me lujt në fund të sokakut u ardh aj qenë edhe ju ka leh fëmijëve, dy fëmijët janë largu, djali im ska arrit me ikë, edhe ai e ka kafshu në faqe. Kta dy fmitë e kanë largu me gur qenin, pastaj e kanë pru djalin për krahsh në shpi. Jam dal prej dhomës e kam marr djalin, veq kajke, u dridhke u tutke, gjaku sa që mujke i shkojke, e këna marrë motrën e këna qu në emergjencë në Vushtrri, pastaj kemi shku në emergjencë në Prishtinë, emergjenca e Prishtinës na kanë qu në kirurgji plastike, ja kanë kep ftyrën 17 pej i ka, e pastaj e kemi qu në infektivë për kontrollë. Aty na kanë pyet a është i vaksinuar, ja dhanë ni vaksinë kundër helmimit”, rrëfente nëna e djalit, duke shtuar se vetëm fati se ishin dy fëmijët tjerë me të sepse mund të kishte ndodhur më e keqja.

“Djali po ka shumë trauma, po kanë, po tutet shumë natë, fati që kanë qenë edhe dy fëmijët me të se nashti djali sish me qenë gjallë, veç e keni pa në çfarë gjendje u kanë”, shtoi ajo, duke përfunduar se frikësohet pasi që fëmijët shkojnë cdo ditë herët në shkollë, e para dy javëve edhe vëllau i saj ishte sulmuar.

Edhe Altion Smajli, djali që ishte së bashku me Leonardon kur kishte ndodhur rasti, thotë se po shkonin për të blerë diçka në market, e gjatë kthimit, qeni kishte filluar të vraponte drejt tyre, deri kur e kishte kafshuar njërin nga ta.

“Kemi dalë prej shpisë me Leon edhe një shok, tu ec kemi qenë ai nau ka ly, na ja kemi nis me nga, Leon e ka nxanë, na kemi pas sene ndorë. Prej arës ka ardh, i ka hyp përmi edhe e ka kafshu. Na e këna gju me guri, ni shok i jemi edhe unë e kemi gju me guri edhe ai ka ikë”, thoshte ai.

Qentë endacak ka shumë kohë që po shqetësojnë banorët e kësaj ane.

Një fqinj  i familjes Smajli, Gzim Kurti i ka thënë Expressit se kishte më shumë se 1 vit që qeni po qëndronte në këtë lagje, e së fundmi ai kishte filluar edhe të bëhej agresiv e t’i pengonte banorët.

Lajmi për qentë endacak e për sulmet e tyre i ka shqetësuar edhe komunën.

Duke folur, kryetar Xhafer Tahiri ka deklaruar se kanë kontratë për trajtimin e tyre, por, nuk kanë mjete buxhetore të mjaftueshme për t’i trajtuar të gjitha rastet.

“Neve na vjen shumë keq për rastin që ka ndodh dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë djaloshit të vogël që është sulmuar nga qentë endacak. Komuna ka një kontratë për t’i trajtuar qentë endacak, sipas saj paguhet 33 euro për trajtim të një qeni. Nuk kemi kompetenca dhe nuk guxojmë të marrim aksione për eliminimin e tyre pasi që kjo është e ndaluar me ligj”, ka deklaruar Tahiri, duke shtuar se ka kërkuar nga qytetarët që t’i vaksinojnë.

Lajmin e kanë konfirmuar edhe në Policinë e Kosovës. Nga PK, janë deklaruar se kanë marrë informacionin të shtunën rreth orës 14:00, ndërkaq, tashmë kompetencat për rastin kanë kaluar në Prokurori.

Sipas Ligjit për Përkujdesjen ndaj Kafshëve nr.02/L-10, vrasja e kafshëve ndalohet, vetëm në raste emergjente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat