Vrasja me pagesë e 2014-s në Deçan, dëshmojnë shokët e ngushtë të viktimës

Kosova

Vrasja me pagesë e 2014-s në Deçan, dëshmojnë shokët e ngushtë të viktimës

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 20:46
Ilustrim

Rasti i vrasjes në pritë e 2014’s ndaj Ferdinand Gjinit, ka shtyrë sot që i akuzuari të vishet me antiplumb. Bekim Raja, dyshohet se ka porositur Avni e Murat Sinanin ta kryenin vrasjen, nga e cila do të merrnin shpërblimin prej 100 mijë frangave zvicerane.

Ferdinand Gjini nga Gjakova, 38-vjecar, u vra mëngjesin e 23 qershorit të vitit 2014, në urën që lidhë fshatin Llukë dhe Prapaqan të Deçanit.

Prokuroria e Pejës ka hetuar katër vite derisa kanë arritur të dalin me pretendimet se vrasja e Ferdinand Gjinit ishte vrasje me pagesë. E për këtë vepër, prokuroria i ngarkon Bekim Rajën, për të cilin pretendon se e ka porositur Avni e Murat Sinanin që ta kryenin vrasjen e Ferdinand Gjinit, dhe kështu do të shpërbleheshin me 100 mijë franga zvicerane. 

Në këtë process gjyqësor si i akuzuar është edhe Gjon Pnishi, i cili fillimisht ishte dënuar për vrasjen e Ferdinandit me 18 vjet burg. Por këtë dënim nuk e aprovoi edhe Gjykata e Apelit, e cila rastin e ktheu në rigjykim, dhe prokurorja e Valbona Haxhosaj vec se kishte ngritur dyshime të reja rreth kësaj vrasje që dyshohet se është kryer me pagesë.

Ferdinand Gjinit, iu kishte bllokuar rruga në urën që e lidhë fshatin Llukë me Prapaqan, dhe aty ishte ekzekutuar me plumba të automatikut. 

Gazeta Express ka raportuar vazhdimisht për këtë rast që ka ndodhur më 2014’n dhe sot ka përcjellë seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Pejës, ku u dëgjuan si dëshmitarë dy shokët e të ndjerit, Gjini. 

Shkelzen Lekaj që ishte punëtor i kazinos ku Ferdinandi ishte në pronar, por edhe shok i tij i ngushtë, tregoi para trupit gjykues se Ferdinandit në një kohë iu ishte përkeqësuar gjendja financiare, pasi ishte bërë pronar i kazios në Pashtrrik.

“Ferdinandi ka marrë borgje, ka marr pare edhe me fajde, po nuk e di prej kujt”, tha dëshmitari Lekaj.

I dënuar me 18 vjet burg për këtë vrasje është Gjon Pnishi. Pikërisht ky dëshmitar tregoi shoqërinë që e kishte Ferdinand Gjini me Gjon Pnishin. 

“Para vrasjes, Ferdinandi ka qenë në shoqëri me ne, edhe kohëve të fundit, diku 4-6 muaj para vdekjes, është shoqëru edhe me Gjon Pnishin”, tha dëshmitari.

Edhe pse shokët e të ndjerit, treguan se ishin nuk iu pëlqeu se Ferdinandi shoqërohej me Gjon Pnishin.

“Në shoqërinë e Gjonit dhe Ferdinandit, ne shokët nuk kemi qenë të involvuar. Unë s’kam qenë asnjëherë i pranishëm kur ata të dy janë takuar bashkë”, tha shoku i të vratit Ferdinand Gjinit.

Por, një ditë para ditës së vrasjes, 23 qershorit, dëshmitari Lekaj tregoi se Ferdinandi dhe Gjoni ishin takuar tek vendi i quajtur Sahat Kulla në Gjakovë. 

“Kemi qenë unë dhe Ferdinandi me shokë tu ecë në këmbë, edhe ka ardhë Gjoni, u nalë me një veturë tipit “Seat” të zi.  E ka thirrë Ferdinandin, edhe ai ka shku. Na kena pritë aty 2-3 minuta”, tha dëshmitari Lekaj.

Të akuzuar për realizimin e planit të vrasjes në këtë rast gjyqësor janë edhe Avni e Murat Sinani. 

Po atë ditë, Shkelzen Lekaj dhe Ferdinand Gjini shkuan të takoheshin me dikë që i ndjeri kishte lënë takim, me një person nga Prishtina.

Derisa Ferdinandi doli nga vetura që të takohej me “mikun nga Prishtina”, e kishte harruar telefonin mobil në veturë. Kështu, shoku i tij, dëshmitar i këtij rasti, tha se në ato momente Ferdinandit i kishin shkuar disa sms.

“Ferdinandi e ka lanë telefonin në kerr, edhe unë isha në kerr. Telefoni i ka cingërru, e ka pas të tipit Nokia ngjyrën e portokalltë nëse e mbajë mend mirë”, tha dëshmitari.

Personi që e kishte thirrur në telefon, tregoi dëshmitari, e mbante emrin e regjistruar si “Gjoni nec”. Më pas, në ato momente, në telefonin e Ferdinandit, kishte shkuar një sms, ku shkruante “Shkojmë te Avnia besoj se Avnia na kryn qat punë”.  Edhe një mesazh i dytë kishte arritur në telefon të Ferdinandit, që Shkelzeni në fakt dëshmoi se i kishte lexuar përmbajten e atyre sms’ve. 

“Nëse është nevoja e lo kerrin tem”, ishte sms i dytë. 

E për personin që u përmend në sms’në e parë, Avninë, dëshmitari tha se nuk kishte dëgjuar asnjëherë, dhe se as nuk e dinte se kush ishte ai. 

“Për Avninë kam kuptu kush është më vonë, gjatë seancave gjyqësore”, tha dëshmitari.

Shoku i ngushtë i të ndjerit, tregoi edhe për momentin kur Ferdinandi nisi të mbajë revole me vete, në lokal në kazino ku e drejtonte atë, por edhe në rrugë. 

“Ferdinandin kurrë nuk e kam pa t’u mbajtë armë. Ai ka nis më majtë armë, kur e ka pas problemin bashkë me Mark Kqirën, problemin me Bekim Rajën”, tha dëshmitari.

Duke qenë shoku i fundit që e pa të ndjerin para se të vritej, Shkelzen Lekaj dëshmoi për ditën e fundit me Ferdinand Gjinin. 

Pas takimit që e kishin te Sahat Kulla, Ferdinandi me Gjonin, Shkelzeni dhe Ferdinandi kishin ndenjur bashkë deri në orën 5 të mëngjesit, të ditës së vrasjes, që ishte e hënë 23 qershor.

Mirëpo, për shkak se shokëve të të ndjerit nuk iu pëlqeu se Ferdinandi shoqërohej me Gjonin, Shkelzeni atë natë, para se të ndodhte vrasja në mëngjesin e së hënës, vendosi ta pyeste për mesazhet që ia kishtë parë në telefon.

“Unë i thash ‘cka është problem, që kështu Gjoni po të shkrun sms’. Ai më tha se është puna e një arme. Nuk e kam pyet më shumë”, dëshmoi Lekaj.

“M’u s’më ka pëlqy shoqëria me Gjon Pnishin, se nuk e ka pas shok Ferdinandi ata. S’na ka pëlqy asnjërit në shoqëri që Ferdinandi u shoqnu me to”, tha dëshmitari, derisa rrëfeu se sa herë që Ferdinandi dhe Gjoni takoheshin, takimi bëhej pa prezencën e shokëve të ngushtë të Ferdinandit.

E sa i përket mesazheve telefonike, Shkelzeni tha sot në gjykatë se ka menduar se Gjon Pnishi ndoshta ka tentuar të përfitojë nga Ferdinandi financiarisht dicka.

Ditën e dielë, një ditë para se t’i dilej në pritë Ferdinand Gjinit, dëshmitari tha se kishin shkuar në një lokal me shokër për të luajtur bixhoz, ku kishin luajtur me shuma 50-100 euro.

E që nga ai moment, Shkelzeni tha se nuk ishin ndarë deri në orën 5 të mëngjesit të ditës së hënë, atë ditë kur Ferdinandi del me veturë në orën 8 të mëngjesit dhe kryhet atentati që e vrau.

“Problem ka pas vec me Bekim Rajën. E di që e patën rreh Bekimin, edhe prej qatij momenti, këta kanë pas problem, edhe pse Ferdinandi ka cu njerëz me u pajtu, po Bekimi s’ka pranu”, tha dëshmitari lekaj.

E mëngjesi ditës së hënë, kur Shkelzeni kuptoi se shoku i tij ishte vrarë, ishte ora 8 e gjysmë ose 9 e mëngjesit.

“Një shok më ka thirrë, më ka kallxu që e kanë vra Ferdinandin. Kam dalë prej shpisë, jam taku me Krisnitian Markajn. E veta cka ka ndodhë, edhe ai vec më tregoi se e kanë vra Ferdinandin, po nuk mujsha me besu”, tha dëshmiari.

Por, dyshimet e shokëve për vrasësin shkuan në emër të Gjon Pnishit. 

“Dyshime kom pas vec në Gjonin, se vec ai na ka pengu kohëve të fundit, që u taku me të pa qenë ne present. Atë e kemi pas si të dyshuar kryesor për vrasjen e Ferdinandit”, tha shoku i Ferdinandit që kishin kaluar 10 vjet shoqëri bashkë, Shkelzeni.

Në këtë seancë gjyqësore, u dëgjua edhe shoku tjetër i të vrarit Gjini, Anton Nikollbibaj, i cili Ferdinandin e kishte edhe ortak në kazinon që e mbanin së bashku.

Edhe Antoni, tha se me Ferdinandin ishte rritur, ishin shoqëruar që kur ishin fëmijë. E përvec ortakërisë, të dy kanë pasur edhe raporte shoqësore shumë të ngushta. 

Gjatë kohës kur Ferdinandi dhe Antoni po e zhvillonin biznesin e kazinos, dëshmiari tha se asnjëherë nuk kanë pasur problem financiare apo krizë financiare. Madje, kishin pasur disa lokale të kazinos në disa qytete të mëdha të Kosovës.

Të njëjtin problem që e kishte pasur Ferdinandi me Bekim Rajën, të njëjtin e përmendi edhe dëshmitari Anton Nikollbibaj.

“Problem e di që ka pas me Bekimin pas rrahjes, janë rreh këta”, tha dëshmitari. 

“Sa më ka tregu Ferdinandi, janë rreh për një shtëpi ose banesë në Prishtinë, nuk e di saktë, për diku 60 mijë euro dicka.. që i ka pagu Ferdinandi”, dëshmoi Nikollbibaj.

Dëshmitari tha se Bekim Rajën e kishte njohur edhe më parë, pasi e kishte pasur në shkollë fillore. Por, Bekimin ai nuk e kishte parë 1 vit para vrasjes së Ferdinandit.

Shoku i të ndjerit, që u rritën bashkë, tregoi edhe për momentin kur e ka kuptuar se Ferdinandin e kanë vrarë, shkruan Gazeta Express.

Ishte mëngjesi i së hënës, data 23 qershor, kur një shok i Antonit e kishte thirrë atë në telefon dhe e kishte pyetur “mos din kush u vra në Deçan se osht një kerr Passat me targa të Gjakovës”.

Pas kësaj telefonate, Antoni kishte shkuar tek shtëpia e Ferdinandit për të biseduar me të. 

“Doli gruaja e tij e më tha prite qetu se kthehet për 10 minuta, se ka me cu cikën ne qerdhe”.

Pasi u vra Ferdinandi, vrasësit nuk iu mjaftua me kaq. Dikush tentoi ta vraste edhe vëllain e të ndjerit, Pashkin. 

Ky atentat ndaj Pashk Gjinit kishte ndodhur 400-500 metra para shtëpisë së tij, derisa dikush kishte shtënë me armë për ta vrarë, por nuk ia kishte dalë.

Shoku i të ndjerit, tha se Ferdinandi ka pasur borxhe, por jo aq të mëdha, dhe jo shuma të mëdha dhe se ai asnjëherë nuk kishte punuar me fajde.

E sa i përket Gjon Pnishit, dëshmitari tha se Ferdinandi kishte nisur të shoqërohej me të 4-6 muaj para se të vdiste. 

Dy ditë para se të vritej Ferdinandi, edhe Anton Nikollbibaj kishte biseduar me të, ku i ndjeri, nëpermjet telefonit i kishte treguar se nesër (të dielën) ka një punë për ta përfunduar dhe se do t’i marrë diku 15 mijë euro.

Por, ky takim nuk kishte ndodhur, kështu të paktën Ferdinand Gjini i kishte thënë Anton Nikollbibajt.

Pas vrasjes së Ferdinandit, dëshmitari tha se Gjon Pnishi nuk kishte qenë as në varrimin e saj e as në të pame. Madje, nuk kishte shprehur as interesim të pyeste se cfarë ka ndodhur, pasiqë, atëkohë shoqërohej shumë me Ferdinandin.

“Neve si shoqni, mos interesimi i Gjonit ka qenë jashtë cdo norme, sepse ata kanë nejt bashkë kohëve të fundit”, tha dëshmitari.

Në veturën ‘Pasat’ të zhbiruar nga plumbat e kallashit, të viktimës Ferdind Gjini, hetuesia, në ditën kur ndodhi vrasja, kishte gjetur edhe një telefon të të vrarit.

Në të u gjetën mesazhe dhe thirrje telefonike të viktimës me të dyshuarin Gjon Pnishi, pikërisht në ditën kritike dhe para nisjes për në Deçan. 

Gjykata Themelore e Pejës, në vitin 2016, ka dënuar Gjon Pnishin për këtë vrasje. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me 17 vite burgim për vrasje të rëndë, ndërsa dy vite të tjera për armëmbajtje dhe shfrytëzim pa autorizim të saj. Gjithsej, gjykata dënim unik llogariti 18 vite për vrasësin 40 vjeçar. 

Në ditën kritike, gjykata besoi se Ferdinand Gjini dhe Gjon Pnishi, rreth orës 08:40 të mëngjesit, ishin nisur me vetura të ndara për në Deçan, ku do t’i takonin disa persona, të cilët viktimës do t’ia huazonin disa të holla borxh, pasi ai kishte telashe me fajde. 

Kështu, Gjini që lëvizte me veturë ‘Pasat’, te një urë në fshatin Llukë të Deçanit, u ndal nga një person që shtiu në drejtim të tij 16 herë me kallash, për ta lënë të vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat