Ende asnjë vendim për kompensimin e orëve të humbura

Kosova

Ende asnjë vendim për kompensimin e orëve të humbura

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 18:36
Foto ilustrim

Që nga 4 shkurti, kur edhe zyrtarisht ka filluar gjysmëvjetori i dytë, ende nuk dihet se a do të kompensohen orët e humbura nga greva.

Me kërkesë të SBASHK-ut, për rritje të pagave, të gjithë mësimdhënësit në Kosovë kishin hyrë në grevë në janar të këtij viti.

Kjo grevë zgjati tre javë dhe në këtë mënyrë mësimi filloi me vonesë.

Vendimi për ndërprerjen e grevës nga SBASHK-u u mor më 1 shkurt pas takimi që kreu i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, pati me kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli si dhe me ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Edhe pse zyrtarisht gjysmëvjetori i dytë në Kosovë ka filluar më 4 shkurt të këtij viti, ende nuk dihet nëse do të kompensohen orët e humbura.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, menjëherë pas fillimit të mësimit kishte kërkuar nga SBASHK-u dhe mësimdhënësit që të kompensohen orët e humbura.

Mirëpo, SBASHK-u ende nuk ka vendosur për kompensimin e orëve të humbura.

Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK-ut, ka thënë se Ligji për Grevat, nuk i detyron mësimdhënësit që t’i kompensojnë orët e humbura.

Shala po ashtu ka thënë se ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

“Do të bisedojmë me përfaqësuesit grevistë të shkollave se si do të veprohet. Shumica e mësimdhënësve janë që të kompensohet orët e humbura”, ka thënë Shala.

Kujtojmë se mësimdhënësit kanë qenë në grevë për tre javë pasi që kanë kërkuar rritje të koeficientit për 0.3 për qind në të gjitha nivelet e arsimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat