A ka gjasa dhe kur mund t’i humb kuptimi Flamurit të Kosovës?! – tregon vetë disejnatori i Flamurit, Muhamer Ibrahimi

Kosova

A ka gjasa dhe kur mund t’i humb kuptimi Flamurit të Kosovës?! – tregon vetë disejnatori i Flamurit, Muhamer Ibrahimi

Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 13:02
Flamuri i Kosovës

Gjashtë yjet e flamurit shtetëror të Kosovës paraqesin komunitetet që jetojnë në Kosovë, ngjyra e arit paraqet resurset dhe popullsinë e re që ka vendi, kurse e kaltërta aspiratat e Kosovës dhe qytetarëve të saj për t’u integruar në institucionet euro atlantike.

Kjo ishte ideja që do ta paraqiste Muhamer Ibrahimi më 17 shkurt të vitit 2008, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët edhe do ta miratonin atë.

Një ish luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani po njihet si “Marigona” e dytë e shqiptarëve. Ibrahimi që me profesion është disejnator, tashmë po krenohet me flamurin të cilin e dizajnoi 11 vite më parë.

Në një rrëfim dhënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus me rastin e 11- vjetorit të Pavarësisë, Muhamer Ibrahimi ka treguar momentet më të rëndësishme të dizajnimit të flamurit të Kosovës.

Mirëpo, disejnatori i simboleve të Kosovës ka folur edhe për idenë e korrigjimit të kufijve dhe arritjen e një marrëveshje eventuale mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai thotë se çdo korrigjim apo prekje e kufijve do të nënkuptonte prishjen e simboleve të vendit dhe ndryshimin e tyre.

Në lidhje me këtë, Ibrahimi thekson se vlera e simboleve dhe shtetit do të humbte me një korrigjim të tillë.

Ai po ashtu thotë se ndonëse Kosova i mbushi 11 vite Pavarësi, ka ende mangësi shteti.

Ibrahimi vlerëson se Pavarësia e vendit u arrit me shumë sakrifica dhe punë të mundimshme, por që sipas tij në disa aspekte, vendi ka ngecur.

Në rrëfimin e tij, Ibrahimi tregon për krenarinë që ka ai për simbolin më të rëndësishëm të Kosovës, ai po ashtu flet edhe për emocionet që ka pasur gjatë përzgjedhjes së dizajnit të tij për flamur.

Krenar e bëjnë Ibrahimin, çastet kur flamuri i Kosovës valëvitet në arenën ndërkombëtare sidomos në përfaqësimin e shtetit në fusha të ndryshme, si në sport ashtu edhe në kulturë e politikë.

A ndiheni ende krenar si ideator i flamurit, pas këtyre viteve Pavarësi?

Muhamer Ibrahimi: Si dizajnues i flamurit siç e kam cekur disa edhe më herët ndjehem gjithmonë krenar. Padyshim se si krijues/dizajner fitorja në kompeticion të këtij formati është arritje kulmore për një artist. Kur kjo ka të bëj me vendi tim më bën edhe më shumë krenar.

A keni marrë ndonjë aktivitet shtesë nga institucionet e vendit për formimin e ndonjë llogoje apo stemeje tjetër?

Muhamer Ibrahimi: Angazhime shtesë me kërkesë direkte drejtuar mua personalisht nga institucionet për ndonjë llogo apo stemë nuk kam marrë. Disa nga institucionet e vendit kanë kërkuar këshilla dhe rekomandime rreth dizajneve mirëpo angazhime kërkesa direkte nga ta nuk kam patur. Ndërsa, në konkurse të ndryshme i barabartë si të gjithë konkurentet tjerë po kam marrë pjesë, nga disa prej institucioneve kam marrë angazhime mirëpo këto kanë qenë për koncepte dhe dizajne për produkte të ndryshme jo të ndonjë steme apo llogo.

Vitet e fundit kemi pak njohje nga vende të ndryshme, si e vlerësoni diplomacinë tonë karshi prezantimit Kosovës. A po bëhet mjaftueshëm në këtë drejtim?

Muhamer Ibrahimi: Viteve të fundit kemi patur pushim të njohjeve, përveç pushimit të njohjeve nuk kemi arritur ende të jemi anëtar të UNESCO-s e as Interpolit me gjithë tentimet që patëm viteve të fundit, mirëpo rezultati ka munguar. Ende nuk kemi mundur që të sigurojmë njohje as nga ndonjëra nga 5 shtetet e BE-së. Nuk dua të jap ndonjë notë vlerësuese diplomacisë tonë mirëpo rezultatet tregojnë që nuk po bëhet mjaftueshëm dhe nuk kemi nivel të përfaqësimit që do të na japë rezultate pozitive në këtë drejtim.

Përveç diplomacisë edhe në aspektin ekonomik, social e politik nuk kemi ndonjë të arritur që mund ta nënvizojmë. Gjithashtu edhe aktivitetet për forcimin e shtetësisë kanë qenë të zbehta e pa rezultate që do të mund t‘i theksojmë.

Këto vite vlenë të theksohet se në aspektin kulturor e sidomos në atë sportiv vendi ynë ka shkëlqyer.

Po paralajmërohet një marrëveshje përfundimtare obligative mes Kosovës dhe Serbisë, ku po flitet se mund të jetë korrigjimi i kufirit mes dy shteteve. Sipas jush, a mund të jetë viti i fundit që Kosova e feston pavarësinë me të njëjtin flamur, pasi, nëse do të ketë korrigjim të kufirit atëherë mund të pësojë ndryshime edhe flamuri?

Muhamer Ibrahimi: Marrëveshje me Serbinë është paralajmëruar që moti, gjatë bisedimeve të viteve paraprake janë arritur disa marrëveshje me Serbinë e që nuk janë zbatuar asnjëherë, apo janë zbatuar vetëm nga ana jonë, edhe këto marrëveshje me nënshkrimin e tyre janë obligative mirëpo Serbia nuk i zbaton as ato që merr obligim për zbatimin e tyre dhe që i nënshkruan vetë. Serbia do ta zbatojë vetëm atë marrëveshje që edhe është synim i saj, pra synimi kryesor i Serbisë është që përmes “korrigjimit” të kufirit të përfitoj sa më shumë territor nga Kosova dhe përmes “marrëveshjeve” ta sabotojë sa më shumë funksionalitetitn e Shtetit të Kosovës, ta mbajë si koloni ekonomike, si treg të sigurt, ta dobësoj sa më shumë ndërmarrësin dhe ekonominë e vendit dhe të gjitha sferat tjera që e mbajnë shtetitn, vetëm këtë do ta merr Serbia obligim ta zbatojë.

Në marrëveshje eventuale duhet të zbatohen marreveshjet paraprake të Energjisë, njohjes reciproke të diplomave, dokumentacionit, njohjes reciproke të institucioneve të vendit, prerazi duhet të merren parasysh interesat e popullit, Kushtetuta dhe forcimi i shtetit dhe ruajtja e integritetit të vendit dhe interesave ekonomike që është obligim i secilit qytetar e veçanarisht lidërëve të zgjedhur për të na përfaqësuar, pra ata duhet t‘i mbrojnë këto interesa në çdo hap dhe në çdo drejtim.

Nëse eventualisht do të ketë “korrigjim të kufirit” nuk besoj se to të jetë në të mirën e vendit dhe popullit tonë asesi, në të gjitha periudhat historike territoret shqiptare janë gjymtuar me “korigjime” të kufijve dhe kurrë nuk kemi patur përfitime.

Nëse Kosova humb territor e tkurret me “korrigjime të lehta”, “ridefinim” apo terme tjera që përdoren, atëherë flamurit dhe simboleve të vendit do t’i humb kuptimi ashtu siç do t’i humb kuptimi shtetit nëse gjymtohet me “korrigjime”. Uroj që as mos të diskutohen këto se lëre më të ndodhin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat