Murati: Pavarësia e Kosovës është një e arritur e madhe e popullit shqiptar dhe një vlerë e shtuar lirisë universale të njerëzimit

Kosova

Murati: Pavarësia e Kosovës është një e arritur e madhe e popullit shqiptar dhe një vlerë e shtuar lirisë universale të njerëzimit

Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 14:08
Valon Murati

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka uruar qytetarët e Kosovës dhe gjithë shqiptarët kudo që janë për Festën e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës është një e arritur e madhe e popullit shqiptar dhe një vlerë e shtuar lirisë universale të njerëzimit. Sidoqoftë për shkak të rrethanave ndërkombëtare dhe atyre të brendshme kjo pavarësi erdhi edhe me shumë kushtëzime dhe kufizime kushtetuese të cilat bëjnë që Kosova të eci vështirë përpara si të gjitha shtetet e tjera”, ka shkruar Murati.

Ja postimi i plotë i Muratit:

Pavarësia e Kosovës është një e arritur e madhe e popullit shqiptar dhe një vlerë e shtuar lirisë universale të njerëzimit. Sidoqoftë për shkak të rrethanave ndërkombëtare dhe atyre të brendshme kjo pavarësi erdhi edhe me shumë kushtëzime dhe kufizime kushtetuese të cilat bëjnë që Kosova të eci vështirë përpara si të gjitha shtetet e tjera.

Përkundër të gjitha këtyre, Kosova dhe populli ynë ka ecur, ndonëse jo me mundësitë objektive që ajo ka për të ecur përpara. Na mbetet para nesh edhe një kapitull për ta mbyllur në mënyrë që në tërësi të funksionalizojmë shtetin tonë dhe ta bëjmë sovran në tërësinë e saj. Ky kapitull është marrëveshja me Serbinë.

Bisedimet dhe kjo marrëveshje duhet të shfrytëzohen jo për t’u barrikaduar brenda parimeve të e Pakos së Ahtisaarit dhe kësaj kushtetute që kemi e as brenda parimeve të integritetit territorial, por të ecim tutje që të shfrytëzojmë rrethanat që përmes ripërcaktimit të kufijve me Serbinë të përfshijmë pjesën shqiptare të Kosovës Lindore në Kosovë, të ndryshojmë Kushtetutën e vendit nga e cila duhet të hiqen privilegjesh bllokuese për pakicën serbe, të hiqet ndalesa për bashkim me Republikën e Shqipërisë si dhe rrjedhimisht të hapet rruga e përcaktimit popullor për këtë bashkim dhe formën që duam të ketë ai.
Duke qenë të guximshëm të mbyllim këtë kapitull, ne do të hapim kapitujt e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, mirëqenies dhe të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar si prioritete të jetës së përditshme.

Rrjedhimisht ne do t’ia hapim derën edhe një gjenerate tjetër politikanësh, të cilët do të garojnë në mes vete me politika zhvillimore e nuk do mbesin përjetë në politike me agjenda populliste Sot sigurisht i kujtojmë edhe të gjithë dëshmorët dhe gjeneratat e tëra të popullit tonë që dhanë çdo gjë për lirinë që kemi sot, për pavarësinë që kemi dhe për bashkimin që do ta kemi nesër. Urime të gjithëve Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat