Përurohet salla e sporteve në Shtime

Kosova

Përurohet salla e sporteve në Shtime

Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 17:36
Përurohet salla e sporteve në Shtime

Sot është bërë përurimi i sallës së sportit në komunën e Shtimes.

Qytetarët e Shtimes sot nuk kishin vetëm gëzimin për 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës por edhe për përurimin e sallës së sporteve, sallë që iu kishte munguar shumë qytetarëve të kësaj komune, shkruan KosovaPress.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin kryetari i komunës së Shtimes, Naser Ismajli, kryetari i kuvendit Kadri Veseli, qytetar nderi i shpallur kohë më parë nga Komuna e Shtimes, Willam Wallker, si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Kryetari i kuvendit, Kadri Veseli u shpreh mjaft i lumtur me rastin e përurimit të kësaj salle duke treguar se edhe vet ardhja e Wallker në këtë ceremoni ishte e rastësishme.

Veseli: Shtimja e ka merituar këtë sallë

"Urime kjo sallë e jashtëzakonshme për të gjithë sportdashës dhe jam shumë i sigurt që Shtimja ka qenë kampion i lirisë, kampion i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e shumë shpejt do të jetë edhe në sport. Është fakt se edhe për mua ka qenë sot befasi ardhja e mikut të Kosovës, ambasadorit Walker për nder të 11 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe në momentin kur i kam thënë, i kam treguar se kemi një ceremoni një solemnitet në Shtime të vjen dhe së bashku me ne të bën hapjen e këtij ambienti impozant. Ai pa asnjë dyshim menjëherë tha po dua të vi në Shtime" tha Veseli.

Walker tha se kjo është një rastësi shumë e këndshme për të që të jetë në mesin e qytetarëve të Shtimes edhe për ngjarje si kjo.

Walker: Jam shumë i gëzuar që jam në mesin tuaj

"Për mua ka qene një befasi shumë e këndshme ftesa nga kryeparlamentarin i parlamentit të Kosovës që të vijë këtu të shohë qytetin e Shtimes dhe të shohë të arriturat e këtij qyteti me këtë sallë shumë të bukur. Para disa minutash siç i thash edhe kryetarit të Komunës që e njohë për shumë vite tash. Zakonisht sa herë që vizitoj qytetin e Shtimes unë vijë për një rast të zymtë për diçka që ka ndodhur para 20 viteve që ka ndodhur në masakrën e Reçakut. Papritmas vizita ime këtu sot dhe duke parë se çfarë investime keni bërë për të mirën e qytetit dhe për qytetarët e kësaj rrethine me të vërtete unë po buzëqesh dhe me të vërtetë se jam shumë i kënaqur" pohoi Walker.

Kryetari i Komunës së Shtime falënderoi institucionet qeveritare që ndihmuan në ndërtimin e kësaj salle dhe pohoi që në këtë sallë do të krijohen shumë kampionë në rrafshin sportiv.

Ismajli: Rinia e Shtimes me mundësi të re për të zhvilluar talentin e tyre

“Sot kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës kanë një gëzim pavarësinë e Kosovës, ne kemi dy; pavarësinë e Kosovës dhe përurimin e palestres së sportit, një nga projektet më të mirëpritura dhe më të dashura për komunën dhe qytetarët e komunës sonë. I nderuri kryetari Veseli i nderuar ministër Gashi u jemi mirënjohës shumë për punën, angazhimin dh përkushtimin që ju e dhatë që sot ne të finalizojmë këtë projekt, projekt i cili është me kapitali dhe më i rëndësishëm për komunën tonë. Ky projekt është në mesin e 5 projekteve më të mira dhe më funksionale në Republikën e Kosovës dhe besoj ashtu siç ka ndodhur deri më tani që komuna e Shtimes nga potenciali i rinisë të jap shumë sportistë, të cilët kanë arritur shumë suksese edhe kolektive edhe individuale jo vetëm brenda Kosovës por edhe jashtë saj besoj që një projekt i tillë do t’ua krijojë mundësinë sportistëve tanë që talentin e tyre të mund ta zhvillojnë", u shpreh i pari i komunës së Shtimes.

Ndërkaq që ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha ndër tjerash se ky projekt është njëri ndër projektet më të mira të realizuara ndonjëherë në komunën e Shtimes.

Gashi: Komuna e Shtimes ka pasur nevojë për një sallë të tillë

"Jam jashtëzakonisht i lumtur se për një periudhë të shkurtë dhe me një bashkëpunimi jashtëzakonisht të mirë me kryetarin e komunës si dhe me strukturat komunale kemi arritur të përmbyllimin njërin nga projektet më të rëndësishme kryeinfrastrukturore sportive, kulturore sepse kjo sallë natyrisht që do të shërbejë edhe për aktivitet kulturore më pak se 2 milionë e gjysmë Ministria e Kulturës së bashku me komunën kanë investuar në këtë projekt shumë të rëndësishëm për sportin dhe kulturën e komunës së Shtimes" u shpreh Ministri Gashi.

Për këtë projekt u shpenzuan rreth 2.5 milionë euro shumë e cila është siguruar nga Komuna e Shtimes dhe Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat