Lëshohet ne qarkullim Pulla postare “Parku nacional - Blinaja”

Kosova

Lëshohet ne qarkullim Pulla postare “Parku nacional - Blinaja”

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 12:11
Pulla postare “Parku nacional - Blinaja”

Posta e Kosovës nga sot lëshon në qarkullim të rregullt, emisionin e ri të pullave postare me titull “Parku nacional-Blinaja”.

Përmes pamjeve të pullave postare dhe bllokut filatelik, Filatelia e Postës së Kosovës prezanton njërin nga perlat natyrore, Parkun nacional “Blinaja”, i cili gjendet në kilometrin e 32-të në juglindje të Prishtinës dhe  që nga viti 1955 është nën mbrojtjen e autoriteteve si “Rezervat i Mbrojtur”, njofton Posta e Kosovës përmes një komunikate për media.

Parku nacional “Blinaja” shtrihet në një hapësirë prej rreth tre mijë hektarë. Pjesa më e madhe është e mbuluar me pyje, por bukuri të veçantë i japin 30 liqene artificiale të krijuara për nevojat e shtazëve të egra, të cilat mbajnë statusin e specieve në zhdukje apo specie të rralla.

Fauna e “Blinajës” numëron 700 specie të kafshëve të egra, si: kaprolli (Capreolus capreolus), derri i egër (Sus scrofa), dreri bri lopatë (Dama dama), derri i rëndomtë (Cervus elaphus), etj.

“Blinaja” përfaqëson një lloj të mbyllur të vend-gjuetisë, çka do thotë se nuk ka lëvizje të lirë të faunës së kultivuar dhe grabitqarëve natyrorë. Mungesa e grabitqarëve e bën gjuetinë si mjetin kryesor për të kontrolluar numrin e kafshëve apo ruajtjen e ekuilibrit biologjik, duke mos lejuar shtimin e numrit të madh të kafshëve mbi ekuilibrin biologjik dhe mbi kushtet apo mundësitë premtuese për ushqim dhe me këtë ruajtjen e këtij ekosistemi.

Filatelia e Kosovës, për çdo vit emeton pulla postare me bukuritë natyrore të vendit tonë me qëllim të promovimit të tyre kudo nëpër botë.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat