Nis Manifestimi “Java e Minatorëve”, figura të mëdha marrin pjesë

Kosova

Nis Manifestimi “Java e Minatorëve”, figura të mëdha marrin pjesë

Nga: F. B. Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 17:51
Pamje nga Manifestimi “Java e Minatorëve”

Ka filluar manifestimi “Java e Minatorëve”, në shenjë përkujtimi të 30 vjetorit të Grevës së njohur të minatorëve. Në këtë manifestim ku ishin të pranishëm qindra minatorë e qytetarë nga Mitrovica e më gjerë, ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ambasadori i Shqipërisë, Qemajl Minxhozi,  nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, përfaqësues nga Policia, si dhe përfaqësues tjerë nga instutucionet lokale dhe ato qendrore.

Në ceremoninë solemne e cila u mbajt në Stantërg, u tha se ishin rreth 1 mijë e 300 minatorë që kishin hyrë në këtë grevë për të mbrojtur ekzistencën e Kosovës dhe autonominë e saj.

Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithë popullore demokratike e paqësore kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën.

Në fjalën e tij kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e shënimit të 30 -vjetorit të grevës së minatorëve, tha se mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve, është kthimi i Trepçës në burim jete.

Image

“Nuk është e rastësishme sot pse jemi bashkuar, që ardhja sot në Stantërg ka më shumë kuptime se sa një akt që ka bërë kthesën, greva e minatorëve. Ne kemi ardhur që atëherë e kemi ditë çka duam, e kanë ditë qytetarët, minatorë, poashtu e dimë edhe sot. Trepça është një burim jete për të gjithë, që e çmojmë kudo që jemi në trojet tona. Trepça si burim jete është shumë i rëndësishëm sepse lidhet me shumë sektorë. Nuk ka sektorë tjetër i jetës që nuk lidhet me Trepçën”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu u zotua se nuk do të ndalen të punojnë me secilin, qoftë pozitë apo opozitë, veri apo jug për rikthimin e kompanisë Trepça sipas ligjit të Kosovës.

Ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, theksoi se ishin minatorët që me këtë grevë arritën që të mobilizojnë gjithë shqiptarët kudo që janë, që të kyçen në aktivitetet mbarëkombëtare për çlirim nga okupatori serb dhe kjo padyshim ishte një nga ngjarjet më të fuqishme dhe më të rëndësishme në rrugëtimin tonë shekullor drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Kemi njerëz që nuk na bëjnë nder as Kosovës as qytetarëve të saj e më së paku juve që ju kemi borxh sa të jemi gjallë. Ju në atë kohë të tmerrshme të presionit ditët me i thënë Serbisë stop, ditët të bashkoheni dhe t’i jepni besën njëri-tjetrit që o sot o kurrë për ketë vend dhe t’i thoni botës që ne jemi liridashës e duam vendin me zemër dhe do luftojmë duke sakrifikuar jetën tuaj, në atë kohë që u kthyen sytë nga ju nga miniera e juaj. Statuti i Trepçës njëherë e përgjithmonë të kthehet në duart e minatorëve”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Gjithashtu para të pranishmëve kryetari Bahtiri, tha se në emër të komunës së Mitrovicës ka punuar një pllakë përkujtimore për të nderuar të gjithë minatorët e vitit 1989, ku zbulimi i kësaj pllake do të bëhet me datën 28 shkurt.

Image

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se 30 vjet pas grevës së minatorëve duhet të vihemi në mbrojtje të territorit, integritetet dhe sovranitetit të vendit.

“Jemi mbledh këtu në kujtim të grevës së minatorëve ku 30 vjet më parë e tronditi Jugosllavinë. E mbajmë mend gjithë ku në ato ditë greve urie udhëheqësi slloven i pati mbështet minatorët e Trepçës dhe kjo mbështetje ishte e fuqishme, ishte mbështetje e atyre që e kundërshtonin shndërrimin e Jugosllavisë në Serbi të madhe. Minatorët kërkonin dorëheqjen e udhëheqjes politike të atëhershme të Kosovës”.

Në fjalën e tij kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se është turp që 20 vjet pas luftës, Trepça është lënë në gjendje të tillë.

“20 vjet pas lufte është turp për ne me u skuq, por edhe më shumë, 20 vjet pas lufte Trepça ende nuk është në nivelin e duhur kush i ka fajet sot nëse dje nuk na la okupatori por sot kush na pengon”, tha gjatë fjalimit të tij kryetari Jashari.

Menaxheri i ndërmarrjes Trepça, Xhevdet Tahiri, tha se puna dhe angazhimi i menaxhmentit do të jenë primare për jetësimin dhe zhvillimin e Ndërmarrjes Trepça.

“Kosova posedon resurse natyrë që janë faktor të rëndësishëm për zhvillim ekonomik. Apeloj që sakrifica e bërë në të kaluarën të na shërbej për unifikim dhe bashkëpunim në arritjen e objektivave zhvillimore Trepça”, tha Tahiri.

Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Shyqyri Sadiku, tha se ky përvjetor nuk është vetëm kujtim, por ka vlera historike për popullin.

“Përvjetori jubilar i grevës nuk është vetëm kujtim, por ka vlera historike për popullin sepse para 30 vjetëve i rezistuam okupatorit serb”, tha Sadiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat