Hani i Elezit nderon dëshmorët Gafurr dhe Driton Loku - Bota Sot
Hani i Elezit nderon dëshmorët Gafurr dhe Driton Loku

Kosova

Hani i Elezit nderon dëshmorët Gafurr dhe Driton Loku

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 16:09
Akademia përkujtimore

(E plotësuar) - Me një akademi përkujtimore është shënuar 20-vjetori i rënies heroike të dëshmorëve Gafurr e Driton Loku.

Ish-komandanti i Brigadës 164 “Gafurr Loku”, njëherësh kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, tha se dora e zezë kriminale serbe vrau babë e birë, Gafurr dhe Driton Lokun.

Suma tha se për pushtuesin serb, vrasja e Gafurrit me djalë kishte për qëllim frikësimin dhe parandalimin e zgjerimit të UÇK-së, por rënia e tyre mobilizoi edhe më tepër banorët e kësaj ane, të cilët ishin vendosur në fshatin me traditë kombëtare e patriotike në Pustenikës.

Suma: Pa gjakun e dëshmorëve nuk do të ishim sot këtu

“E nderuara familje Loku, ju duhet të jeni krenarë për punën dhe veprën e Gafurrit dhe djalit Dritoni, sepse pa gjakun e tyre dhe shumë dëshmorëve të tjerë sot nuk do të ishim këtu, nuk do të kishim pasur mundësi të festojmë e të punojmë të lirë. Falë gjakut të derdhur të dëshmorëve, luftës së lavdishme të UÇK-së, kontributit të gjithë shqiptarëve si në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri e diasporë, por edhe me ndihmën dhe kontributin e aleatëve, NATO-n me në krye SHBA kemi ardhur deri te liria e shumëpritur”, tha Suma.      

Bashkëveprimtari i dëshmorit Gafurr Loku, Shaban Qubi ka thënë se lufta për liri kërkon shpirtin idealist dhe njëri nga ta ishte Gafurr Loku.

Qubi: Gafurri - idealist dhe çlirimtar

“Përkundër kësaj dhune dhe kësaj shtypje kolektive shqiptarët asnjë herë nuk hoqën dorë nga liria dhe historiografia shqiptare ka dhënë mjaft shembuj të tillë që nga Lëvizja nacional demokratike shqiptare e deri te lëvizja popullore për republikë për të kulmuar me luftën çlirimtare të Kosovës. Njëri nga ata që ishte nga krahun e lirisë dhe çlirimit pa dyshim se ishte edhe dëshmori Gafurr Loku”, tha Qubi. 

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se sot nuk nderohen vetëm Gafurri dhe Dritoni, por nderohen të gjithë brezat e periudhave të historisë së lavdishme të popullit shqiptar që Kosova të jetë e lirë.

Jashari: Nderim për të rënët

“Çdo herë në aktivitetet e tilla ku nderohet dhe respektohet sakrifica e popullit shqiptarë, ndihem mirë, sepse Hani i Elezit ka një udhëheqje që i nderon dhe respekton në përmasën e duhur të gjithë ata që kanë dhënë diçka për të ardhur deri te liria”, tha Jashari. 

Në emër të familjes, Rrahman Loku, ka thënë se rruga nëpër të cilën kalon historia e lirisë është ajo e gjakut të dëshmorëve të kombit, të cilët ishin të gatshëm ta falin më të shtrenjtën që kishin për lirinë e vendit tonë.

Loku: Kujtesa për dëshmorët mbetet e freskët

“Ka vetëm një rrugë nëpër të cilën ecën historia e lirisë, ajo është rruga e gjakut të dëshmorëve të kombit, të cilët në kthesën e madhe historike ishin të gatshëm ta falin gjakun për ardhjen e lirisë. Kalojnë vite, kalojnë edhe shekuj, e  kujtesa për dëshmorët mbetet e freskët për herë në mendjet tona”, tha Loku. 

Ndërsa, telegramin e kryeministrit Ramush Haradinaj për këtë akademi përkujtimore e lexoi këshilltari Avdullah Hasani.

Në shenjë respekti për dëshmorët Gafurr e Driton Loku, kryetari i komunës ka nderuar familjen Loku me mirënjohje.

Akademi për Gafurr dhe Driton Lokun

Ka nisur akademia përkujtimore për dëshmorët Gafurr dhe Driton Loku.

Akademia po mbahet në shtëpine e kulturës “ Imri Curri”, në Han të Elezit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...