Miratohet strategjia për krimet e luftës

Kosova

Miratohet strategjia për krimet e luftës

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 18:12
Pamje nga takimi

 Në takimin e 162-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të cilën e ka udhëhequr Kryesuesi Bahri Hyseni, kanë marrë pjesë anëtarët e KPK-së dhe kryeprokurorët e prokurorive të Kosovës, me ç’rast janë diskutuar një sërë pikash të rendit të ditës. 

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka thënë në fillim të takimit se sistemi prokurorial është duke hyrë në një fazë të ngritjes, avancimit dhe fuqizimit të përgjegjësive dhe misionit të tij. “Vetë fakti që sot kemi një rend kaq të ngjeshur pikash, në të cilën bën pjesë edhe Strategjia për krimet e luftës, tregon rëndësinë që jemi duke i dhënë çështjeve kruciale për zbatimin e ligjit, standardeve dhe vlerave, profesionalizmit, qasjen e përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë në sistemin prokurorial”, ka thënë kreu i KPK-së, Hyseni.

Gjatë takimit të sotëm të Këshillit u miratua Strategjia e krimeve të luftës, e iniciuar kohë më parë nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e cila është rezultat i punës së Grupit punues në përbërje të prokurorëve vendorë, prokurorëve të EULEX-it, përfaqësuesit të Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe Ministrisë së Drejtësisë. Miratimit të këtij dokumenti të rëndësishëm strategjik i ka paraprirë prezantimi nga Kryesuesja e Grupit punues për hartimin e Strategjisë, Prokurorja e Shtetit në PSRK, Drita Hajdari, e cila ka paraqitur vlerësimin e gjendjes së tashme, përcaktimin e synimeve dhe veprimeve të nevojshme për organet shtetërore në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Pas diskutimeve, Këshilli miratoi Raportin vjetor të KPK-së për vitin 2018, pastaj Raportin vjetor për vitin 2018 të mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për veprat penale karakteristike dhe Raportin e Komisionit për Vlerësimin e Performancës.

Në kuadër të avancimit të transparencës dhe fuqizimit të llogaridhënies raportuan kryetarët e komisioneve të Këshillit dhe të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të Kosovës për angazhimin e bërë në lëndët e korrupsionit dh krimit ekonomik dhe zbatimin e Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve. Këta të fundit kanë raportuar për rastet me PP dhe PPN për korrupsionin dhe krimet ekonomike, numrin e këtyre rasteve, gjendjen aktuale, zhvillimet aktuale për zbatimin e Projektit TIK/SMIL, lëndët e trashëguara nga viti paraprak, lëndët e pranuara dhe lëndët e zgjidhura në muajin janar 2019.

Në fund të takimit Këshilli themeloi Komisionin për hartimin e rregullores për vlerësimin e performancës së prokurorëve dhe shqyrtoi një rast disiplinor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat