Interesim i madh për t’u bërë pjesë e Ushtrisë, për një ditë aplikuan mbi një mijë persona

Kosova

Interesim i madh për t’u bërë pjesë e Ushtrisë, për një ditë aplikuan mbi një mijë persona

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 22:01
Ushtria e Kosovës

Mijëra të rinj po presin që të bëhen pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Vetëm për një ditë, numri i atyre që aplikuan për t’u bërë ushtar i Kosovës, arriti mbi një mijë.

Konkursi i Ministrisë së Mbrojtjes për rekrutimin e të rinjve për shërbim në FSK është hapur me datën 11 shkurt të këtij viti dhe do të mbyllet me datën 22 shkurt. Që nga fillimi i hapjes së konkursit deri dje për t’u bërë pjesë e FSK-së aplikuan gjithsej 3 mijë e 653 persona.

“Deri më datë 20 shkurt 2019 kanë aplikuar 3 653 persona. Brenda një dite ka ndodhë që kanë aplikuar mbi 1 000 persona”, u tha në një përgjigje për Indeksonline nga Ministria e Mbrojtjes. Nga ky konkurs i hapur në fillim të këtij muaji në FSK do të pranohen gjithsej 650 rekrutë të rinj.

“Sipas planit të Ministrisë së Mbrojtjes do të pranohen 650 rekrut të rinj”.

Ndërsa procedurat e shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes të cilat duhet ndjekur të gjithë aplikuesit janë kësisoj: Shqyrtimi fillestar i aplikacioneve, testi i aftësive, testi fizik, intervista me shkrim dhe me gojë, testin mjekësor, trajnimi, verifikimi, emërimi dhe e drejta e ankesës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 14 dhjetor i dhanë “dritën e gjelbër” shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës. Me mbi 100 vota për nga të gjitha partitë politike përveç Listës Serbe, deputetët votuan tri projektligjet që ia ndërruan mandatin FSK-së në ushtri mbrojtëse të Kosovës, por pa ja ndryshuar emrin kësaj të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat