Tasholli: Kufijtë nuk janë të shenjtë, shenjtëria në politikë është e rrezikshme

Kosova

Tasholli: Kufijtë nuk janë të shenjtë, shenjtëria në politikë është e rrezikshme

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 22:08
Ismail Tasholli

Filozofi Ismail Tasholli ishte i ftuar në Televizionin Rrokum për të folur për rrugëtimin e shtetit të Kosovës pas pavarësisë dhe gjendjen në të cilën gjendet tani.

Tasholli ndër të tjera ka folur edhe për marrëveshjen Kosovë – Serbi e ndër të tjera edhe për çështjen e shumëpërfolur kohëve të fundit, atë të kufijve.

Në pyetjen e gazetarit, se a janë kufijtë të shenjtë, Tasholli ka theksuar se nuk ka asgjë të shenjtë dhe shenjtëria në politikë është gjë e rrezikshme.

“Asgjë nuk është e shenjtë, duhet të pajtohemi me atë, sepse shenjtëria në terrenin politik është gjë shumë e rrezikshme. Ne i dimë dëmet dhe përmasat e asaj ideje kur ti mundohesh që shenjtërinë ta fusësh në politikë”, tha Tasholli.

Ai gjithashtu ka theksuar raportin psikologjik që ka shoqëria shqiptare në përgjithësi me kufijtë.

“Por e dimë edhe raportin tonë psikologjik që kemi me kufijtë si shoqëri. Ne kemi tregime shpesh fantazmagorike që lidhen me mollën e kuqe, këtë e atë. Si duket ky impuls emocional që kemi me kufijtë duke e çuar deri tek përkufizimi si i shenjtë është e asaj që ne në rrugëtimin tonë historik, gjithmonë kemi mbetur jashtë kufijve me ndonjë pjesë”, tha Tasholli

“Por përtej kësaj qasje romantike, kthehemi tek fillimi ku thash se asgjë nuk është e shenjtë, më së paku në politikë”, e bëri të qartë filozofi Tasholli.

Ai gjithashtu ka folur për dy qasje të ndryshme sa i përket debatit për kufijtë.

“Në kontekstin tone janë dy qasje që po mundohen të argumentohen në këtë debat”.

“Njëra është që kufijtë e Kosovës të mbesin ata të 17 shkurtit, ndërsa tjetra është ideja e korrigjimit të kufijve, por të dy tregimet në ballafaqim e kanë humbur sensin e prakticitetit dhe diskutimeve normale sepse shpesh e shohim që derivacion i preokupimeve shenjtëruese në politikë janë edhe etiketimet që e humbin zërin e arsyes dhe njëra pale e quan tjetrën si tradhtar, e që është kthim në mesjetë. Duhet të jemi më të qetë, nënkuptoj më racional në këto debate”, tha Tasholli ndër të tjera për temën e kufijve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat