Nderohet heroi Enver Hadri

Kosova

Nderohet heroi Enver Hadri

Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 17:20
Ramush Haradinaj

Në akademinë për 29-vjetorin e rënies së atdhetarit dhe diplomatit Enver Hadri, kryeministri Ramush Haradinaj tha se është nder sot të kujtohet intelektuali dhe veprimtari i madh i lëvizjes për liri e shtet, si dhe ambasadori i parë joformal i Kosovës në zemër të Evropës politike.

Haradinaj tha se Enver Hadri është mishërim i faktit të shqiptarit përgjatë dy shekujve dhe Enveri e dinte mirë se nuk kishin pushuar synimet e Serbisë hegjemoniste për të ndërmarrë një fushatë të njëjtë në Kosovë me qëllim të spastrimit final etnik ndaj shqiptarëve.

Për këtë arsye, kryeministri tha se Enveri u vu në shërbim të mbrojtjes së popullit të Kosovës nga një spastrim i ngjashëm që forcat e Millosheviqit e provuan më 1999, duke ndjekur rreth 1 milion shqiptarë nga vatrat e tyre.

Haradinaj: Enver Hadri, ambasador dhe lider i të drejtave të njeriut

“Enver Hadri këto të drejta i mbrojti në kancelaritë e fuqive të mëdha, duke u shndërruar në ambasadorin parë të Kosovës në Bruksel, duke u bërë zëdhënës dhe lider i të drejtave të njeriut në Kosovë. Duke qenë se e vërteta e tij respektohej nga organizatat me renome ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe nga publiku evropian dhe më gjerë, pushteti i kohës e vuri në shënjestër, sepse kjo e vërtetë jehonte në ndërgjegjen e botës së lirë”, tha Haradinaj.

Bashkëpunëtori i ngushtë i Enver Hadrit, Reshat Sahitaj duke vlerësuar lart kontributin dhe veprën e Enver Hadrit ka thënë, se pavarësisht përpjekjeve të Enverit që Parlamenti evropian të aprovonte një rezolutë në favor të Kosovës, polica serbe vriste dhe burgoste shqiptarët e pafajshëm dhe Parlamenti Evropian më 11 prill 1989 votoi rezolutën e parë në favor të Kosovës.

Sahitaj: Millosheviqi personalisht urdhëronte vrasjen e Enver Hadrit

“Enver Hadri kishte përgatitur tekstin edhe për rezolutën e dytë, e cila do të aprovohej vetëm tri ditë pas vrasjes së Enverit, e që Enveri nuk e gëzoi kurrë më këtë, sepse atë e vrau policia serbe. Aprovimi i rezolutës së parë dhe kontaktet e njëpasnjëshme me institucionet evropiane, ndikonin që Millosheviqi personalisht të urdhëronte të vritej Enver Hadri, për çka ai kishte paguar dy milionë e gjysmë dollarë. Atentatorët e parë do të kapen rastësisht nga policia belge më 16 janar  1990 për shkak të shpejtësisë që ka kaluar automjeti I tyre”, ka thënë Reshitaj.

Ndryshe, Enver Hadri në vitin 1981 themeloi Komitetin Kombëtar për Evropë, ndërsa më 1983 themeloi Komitetin për të drejtat e njeriut.

Ai u vra më 25 shkurt 1990, rreth orës 16:30, në një rrugë në Bruksel. Rreth tri orë më vonë Hadri do të vdiste në spitalin “Saint-Pierre” të Brukselit.

Janë përmendur në mediume dhe nga autoritetet belge tre persona, të cilët mund të kenë marrë pjesë në vrasjen e tij: Andrija Lakoniq, Veselin Vukotiq dhe Darko Ashanin, që të tre rrjedhin nga bota gjysmështetërore e krimit të organizuar jugosllav.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat