Hoti: Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i BE-së që e njeh Kosovën si shtet të pavarur

Kosova

Hoti: Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i BE-së që e njeh Kosovën si shtet të pavarur

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 16:57
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Afrim Hoti

Parlamenti Evropian (PE) do të dërgojë një delegacion të euro deputetëve në Beograd dhe Prishtinë nga data 27 shkurt deri më 2 mars për të vlerësuar situatën politike dhe për të vlerësuar marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Serbinë dhe Kosovën.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Afrim Hoti, ka thënë se vizita mund të interpretohet me tone pozitive, sidomos kur vjen nga Parlamenti Evropian (PE).

Sipas tij,  Parlamenti Evropian (PE) është i vetmi institucion i Bashkimit Evropian (BE) që e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Hoti potencoi se vizita mund të shërbej si hapje e shtigjeve dhe largim i barrierave të ndryshme që shtetet kanë mes vete para se ato të bëhen pjesë e BE-së.

“Si vizitë mund të interpretohet me tone pozitive, sidomos kur vjen nga një institucion që të paktën për Kosovën ka pozicion të ndarë. Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i Bashkimit Evropian që e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe që në mënyrë të zëshme bën thirrje për agjendë të saktë dhe të qartë të Kosovës në anëtarësim. Kur ata vizitojnë Ballkanin mendoj që mesazhi kryesor është kjo pjesë e Evropës është e pa alternativ në kuptimin e gjetjes së vendit të këtyre shteteve në BE. Vizita po ashtu mund të shërbej si hapje e shtigjeve dhe largim i barrierave të ndryshme që shtetet kanë mes vete para se ato të bëhen pjesë e BE-së. Këtu e kam fjalën për storien mbase të vetmen, pasi kjo lidhet me raportin e Kosovës dhe Serbisë dhe raportet e fundit që lidhet me vazhdimin e dialogut”, ka thënë Hoti.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, po ashtu u shpreh se vizita e tyre do të përdoret si shans i mirë për t’ju bërë thirrje akterëve politik që të përgatiten dhe të hiqen pengesat e tyre, që të filloj vazhdimi i dialogut.

I pyetur se a do të kenë eurodeputetët tone të ashpra në Kosovë, ashtu siç ka rezultuar në vizitën që ia bën sot Shqipërisë, ai tha: “ Nuk kam dilemë që thirrja e BE-së, nuk mund të interpretohet dhe nuk duhet të shihet asnjëherë si lloj ftese e butë por duhet të jetë e tillë që integrimi është i pa alternativ dhe ky integrim nuk nënkupton dhënie të koncesioneve, por plotësim strikt të kritereve që përcakton BE-ja dhe në këtë pikë Shqipëria ka problem serioz në dialogun e brendshëm politik, i cili po shihet që ditët e fundit po eskalon. Këto tone mendoj që reflektojnë në pozitën e BE-së, nëse Shqipëria mendon të integrohet në BE, duhet të ulet në tryezën e bisedimeve të brendshme të dërgoj çështje përpara”.

Hoti po ashtu theksoi se të gjithë akterët ndërkombëtar i kanë bashkërenduar veprimet e veta për Kosovën.

“Kam përshtypjen që të gjithë akterët ndërkombëtare i kanë bashkërenduar veprimet e veta. Kohë më parë problematika e vetme lidhej me problemin e Maqedonisë veriore dhe të Greqisë sepse një marrëveshje e tillë ishte parakusht për ecje më tutje të Maqedonisë në NATO dhe BE-së. Tashmë ai projekt konsiderohet i mbyllur dhe si duket reflektorët ndërkombëtar janë rikthyer tek problematika e Kosovës. Në këtë dritë shoh përpjekjet evropianëve dhe amerikanëve që ta ristrukturojnë dialogun në kuptimin e heqjes së problemeve dhe që kanë para vetes lidershipet në Serbi dhe Kosovë që me shpresë me mbështetjen e dy akterëve tanë amerikanë dhe evropian deri në fund të vitit ta kemi atë që po presim marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, tha ndër të tjera, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti.

Ndryshe, më 29 nëntor të vitit të kaluar, Parlamenti Evropian ka miratuar dy rezoluta për Serbinë dhe Kosovën. Në këto rezoluta, euro deputetët kanë mirëpritur angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë në rrugën e integrimit në BE, megjithëse gjithashtu i kanë kërkuar autoriteteve të rritin përpjekjet për reforma në sundimin e ligjit, të intensifikojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të vazhdojnë me reformat e administratës publike të vendit”, thuhet në njoftimin për media.

Sa i përket Kosovës, euro deputetët kanë mirëpritur miratimin e legjislacionit të kohëve të fundit, por kanë shprehur shqetësim për mungesën e konsensusit ndërpartiak dhe polarizimin e vazhdueshëm politik, që vazhdon të ndikojë negativisht në rrugën e reformës së qëndrueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat