Rastet e gazetarëve të vrarë në Kosovë mbeten të hapura për prokurorinë

Kosova

Rastet e gazetarëve të vrarë në Kosovë mbeten të hapura për prokurorinë

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 19:54
Aleksandër Lumezi, Harlem Désir, Besim Kelmendi

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha sot se Prokuroria e Shtetit mbetet e përkushtuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për profesionin dhe punën e gazetarëve, si dhe do të angazhohet në fuqizimin e lirisë së shprehjes, si një nga vlerat më të rëndësishme të demokracisë në vend.

Ai gjatë një takimi me përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medies, Harlem Désir, ku mori pjesë edhe koordinatori nacional i Prokurorisë së Shtetit për rastet e gazetarëve, prokurori Besim Kelmendi, shprehu gatishmërinë e Prokurorisë së Shtetit për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit me mediat në forcimin e sundimit të ligjit.

Gjatë këtij takimi, kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar Désir për veprimet e ndërmarra nga institucioni i Prokurorit të Shtetit në trajtimin e rasteve të gazetarëve, duke thënë se zgjidhja e këtyre rasteve mbetet prioritet i Prokurorisë së Shtetit.

Kryeprokurori i Shtetit ka folur edhe rastet e gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur në Kosovë gjatë periudhës 1998-2005, të cilat deri para pak kohe ishin në kompetencë të prokurorëve të UNMIK-ut dhe EULEX-it.

Sipas kryeprokurorit Lumezi, këto raste vazhdojnë të jenë të hapura për prokurorinë, me ç’rast është kërkuar nga policia që të ndërmarrin veprime hetimore për zbardhjen e tyre.

Lumezi u zotua se Prokuroria e Shtetit do të angazhohet edhe në të ardhmen në kultivimin e bashkëpunimit me OSBE-në dhe të gjithë akerët e tjerë, të cilët avokojnë për liritë dhe të drejtat e gazetarëve në Kosovë.

Ndërsa, koordinatori nacional i Prokurorisë së Shtetit për rastet e gazetarëve, Besim Kelmendi, ka paraqitur para përfaqësuesit të OSBE-së data-bazën me të dhënat e prokurorisë, si dhe veprimet të cilat i ka ndërmarrë ky institucion në trajtimin e rasteve të gazetarëve.

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medies, Harlem Désir, ka pohuar se misioni i OSBE-së do të ndihmojë në krijimin e takimeve koordinuese ndërmjet prokurorisë, policisë dhe gazetarëve për një komunikim dhe bashkëpunimin me të drejtpërdrejtë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat