20 vjeçari I.H që u shkel nga treni ditë më parë në afërsi të kazermës “Adem Jashri” në Prishtinë ka ndërruar jetë.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shpend Fazliu.
“Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi shëndetësor i mjekimit intensiv qëndror ai nuk ka arritur të mbijetoi. Mbrëmë në 23.15 pacienti ka ndërruar jetë”, ka treguar Fazliu.
Aksidenti i rëndë ka ndodhur më 21 shkurt, dhe për disa ditë rresht gjendja e tij shëndetësore ka qenë e rëndë edhe pas operacioneve që i riu iu nënshtrua.
Ky i ri atë ditë kishte shkuar për të aplikuar si rekrut në FSK, por u godit nga një tren dhe mori plagë të rënda trupore.
Konkursi i Ministrisë së Mbrojtjes për pranimin e rekrutëve të rinj – ushtarë aktivë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është mbyllur.
Në këtë konkurs pritet të pranohen 650 rekrutë të rinj, ndërsa kanë aplikuar mbi 5 000 veta.