11 personat që vdiqën në QKUK ishin të prekur nga gripi i derrit

Kosova

11 personat që vdiqën në QKUK ishin të prekur nga gripi i derrit

Më: 1 mars 2019 Në ora: 18:49
Foto ilustrim

Nga 1 tetori i vitit të kaluar e deri më tani, sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), janë raportuar gjithsej 33.708 raste të dyshimta me grip (ILI), 5.104 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 53 raste SARI (Infeksion i Rëndë Respirator Akut).

IKSHP-ja, pas publikimit të këtij raporti, kishte bërë thirrje që të mos krijohet panikë tek qytetarët.

Ditë më parë, është raportuar se nga tetori i vitit të kaluar deri më tani kanë vdekur 11 persona si pasojë e gripit epidemik.

Në fillim ishin ngjallur dyshime se po bëhej fjalë për gripin e derrit, grip i cili është shpërndarë kohëve të fundit edhe në Shqipëri, por këto dyshime ishin hedhur poshtë nga IKSHP-ja.

Bazuar në raportet e këtij Instituti dhe të dhënat nga QKUK-ja, vdekjet kanë ndodhur si pasojë e gripit sezonal ose siç e kanë quajtur ndryshe ‘Influenca A’.

Media ka siguruar informacione nga ekspertë shëndetësor se Influenca A në fakt ka ngjashmëri të madhe me gripin e derrit.

Çfarë është Influenca A?

Influenca A është sëmundje respiratore ngjitëse dhe dallon nga i ftohti normal (gripi), i cili është më pak i rëndë, shkruan Ballkani.info.

I ftohti apo siç njihet në popull ‘gripi’, mund të shkaktohet nga rreth 200 viruse. Influenca A është më serioze dhe shkaktohet nga një virus. Në rrethana normale, Influenca A mund të mos jetë e rrezikshme nëse jeni të shëndetshëm, por ndonjëherë mund të shkaktojnë sëmundje serioze tek disa persona.

Janë tri lloje të Influencës: A, B dhe C. Influenca A është më serioze se ajo B dhe C dhe është lloji i vetëm i njohur për shpërndarje të madhe.

A është gripi i derrit i njejtë me Influencën A?

Gripi derrit është në fakt Influenca A, virus i cili në rrethana normale prek vetëm derrat.

Por, në vitin 2009-2010 kishte ndodhur një shpërndarje globale e këtij gripi edhe tek njerëzit, nga një virus i gripit i njohur si H1N1.

Virusi ‘Influenca A’ është kombinim i gripit të derrit, shpezëve dhe gjeneve të njerëzve që ishin përzier në derra dhe pastaj ishin shpërndarë në popullatë.

Virusi H1N1, në kohët e sotme konsiderohet si një lloj normal i gripit sezonal dhe përfshihet në vaksinën e gripit.

11 persona në SHSKUK vdiqën nga grip i derrit

Burime të medias, kanë thënë se 11 vdekjet e deri më tanishme në Kosovë që në media janë raportuar si vdekje nga gripi sezonal, në fakt kanë vdekur nga ky virus por që në publik nuk është raportuar si grip i derrit pasi që tanimë konsiderohet si grip sezonal.

Gripi sezonal në Kosovë, ka nisur qysh nga 1 tetori i vitit të kaluar dhe deri më tani ka marrë jetën e 11 personave.

Gjendja nuk është konsideruar alarmante nga institucionet shëndetësore deri më tani, ndërsa ditë më parë është formuar edhe Komiteti për Gripin Sezonal, një lloj i Task Forcës.

Komitetin e përbëjnë: Dr. Basri Sejdiu, drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Prof. Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Prof. Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës Infektive, dr. Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente, Prof. Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, dr. Drita Telaku- Qosaj, drejtoreshë e Klinikës së Pediatrisë dhe dr.Rukije Mehmeti, drejtoreshë e Klinikës së Pulmologjisë.

Në anën tjetër, ekspertë shëndetësorë e kanë konsideruar të vonshëm krijimin e këtij Komiteti.

Detaje të tjera të virusit H1N1

Një ekspert shëndetësor i cili ka dashur të mbetet anonim, ka thënë se epidemia e vitit 2018-2019 në Kosovë, e cila morri jetët e 11 personave madje edhe një fëmiu, është shkaktuar nga virusi H1N1pdm09, i cili është shumë i ngjashëm me virusin pandemik të derrit H1N1 i cili kishte shkaktuar shumë sëmundje dhe vdekje në Kosovë gjatë pandemisë së mëhershme.

Sipas tij, Organizata Botërore e Shëndetësisë, që nga vitit 2009 ka ngritur shqetësimin për agresivitetin e virusit H1N1pdm09, i cili prezanton ndërrime gjenetike në kodin përgjegjës për Hemglutininë (glykoprotein që gjendet në sipërfaqen e viruseve të Influencës).

“Nga aspekti klinik, ky virus për dallim nga influence sezonale A, karakterizohet me vdekshmëri të lartë dhe atë duke prekur kryesisht fëmijët dhe personat e rinjë, të cilët në shumicën e rasteve vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive dhe zemrës. Virusi H1N1pdm09, për dlalim nga virusi i gripit sezonal, ngjason më shumë me gripin e derrit, si për nga shpërndarja ashtu edhe nga pesha e sëmundjes dhe shkalla e vdekshmërisë”, thotë eksperti shëndetësor.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, deri më tani ka aprovuar tre barëra për trajtimin e virusit H1N1pdm09, barëra këto që përdoren për trajtimin dhe parandalimin e këtij infeksioni, e që në mesin e tyre është edhe bari Tamiflu, i cili nuk mund të gjendet e as të blihet në Kosovë.

Bazuar në këto të dhëna, shohim se Komiteti për Gripin Sezonal është krijuar vonë dhe nuk dihet sa do të ketë kapacitete për menaxhimin e kësaj epidemie./Ballkani.info

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat