Deklarohet i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes dhe të ‘baxhanakut’, plagosi edhe ‘balldësken’

Kosova

Deklarohet i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes dhe të ‘baxhanakut’, plagosi edhe ‘balldësken’

Më: 6 mars 2019 Në ora: 17:18
Ilustrim

I akuzuari për vrasje të rëndë dhe vrasje të rëndë të mbetur në tentativë, Xhevdet Tahiraj, është deklaruar i pafajshëm për të dy veprat penale në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Ndërkaq, i akuzuari Tahiraj e ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Xhevdet Tahiraj, po akuzohet se më 8 dhjetor 2017, në Skenderaj, ka vrarë bashkëshorten e tij, F.T dhe “baxhankun” e tij, tani të ndjerin D.S, me ç’rast nga të shtënat me armë, është plagosur edhe tani e dëmtuara F.S, ndryshe motra e gruas së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores së rastit, Fetije Bajrami-Shala, i akuzuari Tahiraj është shprehur se ka kuptuar aktakuzën me ç’rast është deklaruar i pafajshëm për tre pikat e aktakuzës.

Lidhur me pranimin e fajësisë për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, prokurorja e rastit Fetije Bajrami- Shala është deklaruar se sipas saj, pranimi i fajësisë duhet të bëhet për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ndryshe, është shprehur mbrojtësi i të akuzuarit Tahiraj, avokati Mahmut Halimi, i cili ka deklaruar se Kodi i Procedurës Penal lejon pranimin e fajësisë edhe në raste të tilla.

Pas marrjes së mendimit nga ana e prokurores Bajrami-Shala dhe avokatit Halimi, gjykatësi i rastit Radosllav Markoviq, mori vendim me anë të së cilit të akuzuarit Xhevdet Tahiraj i është refuzuar pranimi i fajësisë për armëmbajtje pa leje.

Pasi që është konstatuar se i akuzuari nuk ka pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohet, gjykatësi i rastit Radosllav Markoviq, e njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij, se deri më 6 prill 2019, kanë të drejtë të parashtrojë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Gjykatësi Markoviq, shtoi se pas pranimit të kundërshtimeve dhe marrjes së mendimit nga ana e Prokurorisë, Gjykata jashtë seancës do të vendos për ato kundërshtime, me ç’rast njoftoi se seanca e shqyrtimit të dytë nuk do të mbahet.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 4 shkurt 2019, Xhevdet Tahiraj, po akuzohet se më 8 dhjetor 2017, në Skenderaj, ka kryer vrasje të dyfishtë dhe vrasje në tentativë ndaj bashkëshortes së tij, F.T dhe të afërmve D.S dhe F.S.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Tahiraj, më 8 dhjetor 2017, në fshatin Runik të Skenderajt, në afërsi të shtëpisë së viktimës D.S me dashje direkte e ka privuar atë nga jeta.

Në aktakuzë thuhet se nga të shtënat me armë, ishte plagosur edhe tani e dëmtuara F.S, ndryshe motra e gruas së tij.

Ndërkaq, në pikën e tretë të aktakuzës, thuhet se  i akuzuari Tahiraj në të njëjtën ditë, në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Radishevë të Skenderajt me dashje direkte ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën F.T.

Me këtë, Xhevdet Tahiraj akuzohet se ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë” nga neni 179, “vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 179 lidhur me nenin 28 dhe veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat