Konfirmohet aktakuza për grabitjen e 50 mijë eurove në një shtëpi në Istog

Kosova

Konfirmohet aktakuza për grabitjen e 50 mijë eurove në një shtëpi në Istog

Më: 7 mars 2019 Në ora: 12:00
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë, e ka konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve për grabitjen e 50 mijë eurove në fshatin Kashicë të Istogut

Prokuroria Themelore e Pejës këtë grabitje po pretendon se e kanë kryer në bashkëkryerje të akuzuarit Xhavit Berisha dhe Exhevit Zekiqi.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nën kërcënimin e armës dhe sëpatës kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Agim Shoshi dhe marrin shumën prej 50 mijë euro dhe një orë dore, dy telefona, gjithsej në vlerë 1800 euro.

Në seancën e së enjtes ku ishte e paraparë të mbahej shqyrtimi i dytë për të paraqitur kundërshtimet ndaj aktakuzës të prokurorisë, mbrojtësit e të pandehurve hoqën dorë nga kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Mbrojtësi i të akuzuarit Exhevit Zekiqi, avokati Bekë Lajqi tha se në konsultim me mbrojtësin e tij kishin vendosur për të mos e kundërshtuar aktakuzën, me qëllim të kalohet në shqyrtim kryesor të çështjes penale.

Nga e drejta për të kundërshtuar akuzën dhe provat, hoqi dorë edhe mbrojtësi i të pandehurit Xhavit Berisha, avokati Ali Lajqi.

Mirëpo, i akuzuari Berisha kërkoi nga prokurorja Sahide Gashi të negociojë një marrëveshje për pranim të fajësisë.

Prokurorja Gashi, tha se e drejta për të hyrë në negociata është e drejtë ligjore e të pandehurit, duke e udhëzuar që të paraqes kërkesën me shkrim sipas procedurave ligjore.

Mirëpo, mbrojtësi i të pandehurit Berisha, e kundërshtoi një kërkesë të të mbrojturit të tij, që ai të hyjë në marrëveshje të tillë.

Kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, tha se shqyrtimi kryesor do të caktohet pasi të formohet trupi gjykues.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 29 janar 2019, të pandehurit veç e veç, ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin kryer grabitjen në shtëpinë e të dëmtuarve.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 14 dhjetor 2018, Xhavit Berisha dhe Exhevit Zekiqi, akuzohen se më 23 korrik 2018, rreth orës 11:30, në fshatin Kashicë të Istogut, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, kishin kryer grabitjen nën kanosje serioze ndaj të dëmtuarve Ilirida Shoshi dhe Edona Lajqi.

Sipas aktakuzës, pasi të pandehurit sigurohen se meshkujt kanë dalë nga shtëpia, shkojnë tek shtëpia e të dëmtuarit Agim Shoshi dhe i bien ziles së derës së shtëpisë.

Në momentin kur Ilirida Shoshi e hapë derën, i pandehuri Xhavit Berisha ia drejton armën dhe e shtynë derën me forcë dhe futet brenda duke hyrë pas tij edhe i pandehuri Exhevit Zekiqi me sëpatë në dorë.

I pandehuri Berisha, më pas e kap të dëmtuarën për flokë dhe nën drejtimin e armës e detyron të shkojë t’ia jep paratë e prindërve në shumë prej 50 mijë euro, gjersa i pandehuri Zekiqi, me sëpatë në dorë e kërcënon të dëmtuarën Lajqi se do t’ua heqë kokën asaj dhe fëmijës së saj nëntë muajsh, dhe ia merr një orë dore dhe dy celularë të tipit “Iphone 6” dhe “Iphone 7”, në vlerë prej 1.800 euro./BetimiPerDrejtesi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat