Parashihet rregullimi i çmimit të barnave në Kosovë

Kosova

Parashihet rregullimi i çmimit të barnave në Kosovë

Më: 7 mars 2019 Në ora: 15:51
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë ka organizuar sot debatin publik për udhëzimin administrativ me të cilin parashihet rregullimi i çmimit të barnave dhe produkteve mjekësore në Kosovë.

Ministri Uran Ismaili tha se zbatimi i këtij udhëzimi administrativ ka për qëllim uljen e çmimeve, rritjen e konkurrencës dhe është model në përputhje me projektet më të mira rajonale.

"Aktualisht në barnatoret në Kosovë ka dallim të madh të çmimeve. Ka raste kur natën çmimet rriten shumëfish, duke keqpërdorur nevojat e pacientëve. Në anën tjetër është edhe shitja nën kosto. Ky çrregullim i sektorit farmaceutik i ka sjellë pacientët dhe farmacistët në pozitë shumë të vështirë. Zbatimi i udhëzimit administrativ do të sigurojë efiçencë dhe transparencë. Ky model është në përputhje me praktikat më të mira rajonale", tha ai.

Fatmir Plakiqi nga FSSH tha se draft-udhëzimi administrativ është shumë i rëndësishëm pasi përcakton çmimin fiks të rimbursuar të fondit për sigurime shëndetësore.

"Ky draft-udhëzim administrativ ka disa kapituj, kurse metodologjia ka përfshirë çmimet e jashtme dhe të brendshme referente dhe për këtë komisioni që do të formohet do të përcaktojë çmimin", u shpreh ai.

Arianit Jakupi nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, tha se Kosova është në prag të udhëzimit të parë të përcaktimit të çmimit të barnave.

"Qëllimi i këtij udhëzimi është të përcaktojë çmimin fiks për secilin produkt medicinal që aplikon për autorizim për marketing. Gjithashtu është që të caktojë një çmim fiks për rimbursim", tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat