Katër komunat e veriut të Kosovës, që katër muaj pa kryetarë - Bota Sot
Katër komunat e veriut të Kosovës, që katër muaj pa kryetarë

Kosova

Katër komunat e veriut të Kosovës, që katër muaj pa kryetarë

Më: 10 mars 2019 Në ora: 18:05
Foto ilustruese

Kryetarët e këtyre komunave me shumicë serbe  u tërhoqën për shkak të taksës që Kosova vendosi ndaj produkteve serbe.

Qeveria, nuk i pranoi dorëheqjet. Kurse, njohës të Kushtetutës vlerësojnë se nuk është e lehtë të thirren zgjedhjet atje.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka marrë  ende vendim për kryetarët e dorëhequr të komunave veriore, ndërsa Qeveria e Kosovës, nuk i pranoj dorëheqjet me arsyetimin se kryetarët kanë përdorur termin “Kosova dhe Metohija”, e cili nuk ekziston në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi.

Njohësi i Kushtetutës Mazllum Baraliu situatën e përshkruan si “gjendje e pazakontë”.

“Problemi i parë, para asaj se a pranojnë apo jo serbët të mbahen zgjedhjet në veri, është një problem edhe më serioz që KQZ-ja që do të duhej të merrej me ato zgjedhje eventuale, është jashtë mandatit. Pra, nuk është funksional dhe nuk është legjitim për të nxjerrë vendime të caktuara dhe ky është problemi i parë. Problemi tjetër pastaj është se duan t`i respektojnë procedurat kandidatët, pra a guxojnë të paraqiten sepse atje siç dihet, është një gjendje e pazakonshme, një gjendje e tensionuar me ndikim dhe dirigjim të Beogradit”, tha Baraliu.

Ish Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Sadri Ferati po ashtu i ka thënë Radio Kosovës se nuk është e lehtë të thirren zgjedhjet në komunat veriore. Pyetja është nëse ka vullnet të qytetarëve për një proces të tillë. Kjo tani është një situatë delikate” është shprehur Ferati.

Zëvendës kryesuesi i Asamblesë Komunale në Mitrovicën Veriore, Bashkim Cimili shpjegon se funksionimi i autoriteteve atje është i lidhur me çështjen e taksës.

“ Çdo gjë ka të bëjë me çështjen e tarifës së vendosur, shumë nga njerëzit që unë kam takuar (por jo zyrtarë qendror) janë duke pritur në njëfarë forme që të largohet tarifa dhe pastaj të kthehet çdo gjë normalizimit”.

Ksenija Bozhoviq nga Iniciativa Qytetare thotë se administrata lokale nuk kishte funksionuar me të vërtetë si duhet, por situata është përkeqësuar edhe më shumë me dorëheqjet e kryetarëve të komunave.

“Asgjë nuk është transparente, kështu që qytetarët nuk mund të shohin e as të dëgjojnë se si funksionon komuna. Asnjë seancë e asamblesë komunale nuk është caktuar, as asamblistët nuk e dinë se çfarë është duke u bërë në Komunë, sepse nuk ekziston asnjë raport”, tha ajo.

Pavarësisht se asamblistët komunal nuk mbajnë seanca dhe kryetarët e komunave nuk dalin në vendin e punës ata vazhdojnë të marrin paga të rregullta nga buxheti i Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...