Shëndetësia, Kosova pa statistika për sëmundje

Kosova

Shëndetësia, Kosova pa statistika për sëmundje

Më: 14 mars 2019 Në ora: 16:31
QKUK

Kosova nuk ka statistika të plota për sëmundjet. Ndonëse stafi mjekësor është i obliguar me ligj t’i raportojë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për çdo sëmundje, një gjë e tillë nuk ndodhë.

Në mungesë sistemi të informimit shëndetësorë, deri më tani, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) nuk ka arritur të mbledhë statistika të sakta për sëmundjet, ndonëse kjo punë paraqet një prej misioneve kryesore të këtij institucioni.

Albatrit Matoshi, këshilltar për media i Ministrit të Shëndetësisë, i tha Radios Evropa e Lirë se është duke u punuar në këtë drejtim, por që nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur do të jetë funksional sistemi i informimit shëndetësor.

“Sa i përket sistemit të informimit shëndetësor të integruar, Ministria është duke vazhduar projektin për shtrirjen e rrjetit. Në nivel të Kosovës ne tashmë e kemi përfunduar këtë proces në disa komuna , duke trajnuar edhe stafin shëndetësor”.

“Në nivelin politik është duke funksionuar Këshilli Nacional për Sistemin e Informimit Shëndetësor, si trup që koordinon hapat në drejtim të zhvillimit të procesit dhe që jep orientimet rreth këtij sistemi. Ky projekt është afatgjatë dhe do të zhvillohet me kujdes në koordinim me nevojat dhe mundësitë që ka sistemi shëndetësor, duke përfshirë këtu edhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore”, tha Matoshi.

Në anën tjetër, Era Pireva, zyrtare për informim në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, tha se për të përmbushur obligimet që dalin nga Ligji për Shëndetësi, siç janë analiza statistikore e të dhënave dhe përgatitja e raporteve periodike të rregullta, që është edhe kërkesë e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar i nevojitet funksionalizimi dhe digjitalizimi i Sistemit të Informimit Shëndetësor.

Megjithatë, në mungesë të digjitalizimit, po bëhen alternativa tjera, në mënyrë që të mblidhen sa më shumë të dhëna për sëmundjet.

“Duke qenë se sistemi i informimit shëndetësorë elektronik nuk është duke funksionuar akoma si duhet, Qendra e Statistikave Shëndetësore, në Institutin Kombëtar Të Shëndetit Publik, detyrohet t’i mbledh shënimet nga institucionet shëndetësore përmes exel - formave”, tha ajo.

Përmes exel- formave ose direkt me fletëparaqitjet përkatëse në letër raportohen sëmundjet malinje dhe sëmundjet masovike jo-ngjitëse , por edhe sëmundje të tjera.

Drejtori i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani tha se mosdigjitalizimi i shëndetësisë ka krijuar me vite probleme në qasjen e ofrimit të kujdesit shëndetësor emergjent dhe jo-emergjent.

“Ky është një nga problemet në sistemin shëndetësorë, pra mungesa e digjitalizimit e që ka përcjellë këtë sektor me vite”, theksoi Lenjani.

Lenjani shtoi se niveli parësor duhet t’i marrë obligimet që i takojnë, përkatësisht t’i trajtojë pacientët që janë për atë nivel, dhe më pas të referohen në nivelin dytësorë e tretësorë, në rast nevoje. Por, një gjë të tillë, siç tha Lenjani, e mundëson vetëm sistemi digjital në shëndetësi.

Ndryshe vetë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte thënë se ndonëse është duke u punuar që shtatë vjet në këtë proces, auditimi i brendshëm ka treguar se e gjitha duhet ndërpritet për shkak të dështimit të këtij projekti, dhe të fillohet me digjitalizim të shëndetësisë. Ai ka shtuar se projektet digjitale nuk janë të lehta të realizohen, pasi që po hyn një inovacion në një sistem shumë tradicional, dhe gjitha procedurat e brendshme duhet t’i përshtaten në mënyrë elektronike sistemit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat