Finalizohet projekti “Eliminimi i barrierave për mundësi të barabarta” - Bota Sot
Finalizohet projekti “Eliminimi i barrierave për mundësi të barabarta”

Kosova

Finalizohet projekti “Eliminimi i barrierave për mundësi të barabarta”

Më: 18 mars 2019 Në ora: 17:03
Finalizohet projekti “Eliminimi i barrierave për mundësi të barabarta”

Shoqata e Alumnive Kosovë-ShBA (KUSA) ka finalizuar projektin “Eliminimi i barrierave për mundësi të barabarta”, investim ky për fuqizimin e gruas në Kosovë.

Në ceremoninë përmbyllëse të projektit, i cili për qëllim ka avancimin e shkathtësive të gruas në Kosovë, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett tha se Kosova arrin sukses kur udhëheqin gratë.

Fjalimin e tij në ceremoninë e organizuar nga KUSA, ambasadori amerikan e filloi duke folur për nevojën e përfshirjes së grave në institucione.

Kosnett: Zyrtarët e lartë të Kosovës janë burra 

“Më vjen keq që duhet të them që shpesh kur takoj zyrtarë të lartë në Kosovë ia filloj me ‘mirëmëngjesi apo mirëdita zonja dhe zotërinj’, por kur shoh rreth sallës, e shoh që duhet ndryshuar atë përshëndetje në ‘mirëdita zotërinj’ dhe kjo është për shkak se gratë janë shkyçur jashtë”, tha ai.

Kosnett tha se ai dhe të gjithë që janë në pozita udhëheqëse kanë përgjegjësi për të ndihmuar brezin e ardhshëm, pasi lufta për barazi në Kosovë ende nuk ka marrë fund, ku vetëm 18 për qind e femrave janë pjesë e fuqisë punëtore, që paraqet një shkallë shumë të ulët.

Ai shtoi se një vend nuk mund të ketë sukses nëse gjysma e trurit mbetet jashtë lojës dhe se Kosova arrin sukses kur udhëheqin gratë.

Kosnett: Kosova arrin sukses kur gratë udhëheqin

“Kosova arrin sukses kur gratë udhëheqin, të gjithë ju që e keni përfunduar këtë program tani keni njohuri dhe shkathtësi për të udhëhequr, në fakt ne e dimë që ju i kemi pasur ato shkathtësi, nuk ju duhet një certifikatë për ta dëshmuar atë, por shpresoj që ky program u ka ndihmuar për të vënë lidhje, për kalitur shkathtësitë tuaja dhe për të shqyrtuar hapat e ardhshëm. Shkëndija dhe trajnerët e tjerë ua kanë dhënë mjetet e duhura për të pasur sukses në pozitat udhëheqëse”, tha ai.

Shembull për suksesin e udhëheqjes nga gratë, Kosnett e mori ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, për të cilën tha se ka realizuar një fushatë të suksesshme për njohjen e Kosovës në botë.

E vetë Jahjaga foli për kohën e saj si presidente e shtetit, ku tha se çdo herë është përpjekur të përkrahë ambiciet e grave.

Jahjaga: Në Kosovë ende ekziston mungesa e mundësive të barabarta

“Projekti është sidomos i rëndësishëm në rrethanat aktuale të Kosovës ku ende ekziston një mungesë e theksuar e mundësive të barabarta për gratë, gjë që pengon gjysmën e popullsisë të arrijë potencialin e saj duke marrë një rol aktiv në fushën politike, atë ekonomike, sociale, kulturore e fusha të tjera të jetës sonë të përditshme. Pres që ky projekt do t’i kontribuoj më tej fuqizimit të rolit të gruas në Kosovë, kjo kauzë e cila po sfidohet gjithnjë e më shumë nga faktorë të ndryshëm”, tha ajo.

Ndërsa Shkëndije Himaj nga KUSA, sqaroi qëllimin e projektit në fjalë, duke theksuar se shpreson që ta pasojnë edhe iniciativa të tjera të tilla.

Himaj: Të avancojmë shkathtësitë e grave

“Ky projekt do të jetë një fillim i shumë iniciativave të reja, dhe shpresoj në impakt regjional sepse Prishtina nuk është shembulli më i mirë i fuqizimit të gruas, sepse i gjithë koncentrimi i aktivizimit social ekonomik ndodh në Prishtinë, dhe shumë shpesh regjionet e tjera harrohen. Ky është qëllim i projektit, të arrijmë të avancojmë njohuritë dhe shkathtësitë, jo vetëm në qytetin e Prishtinës, por edhe në regjionet e tjera”, tha ajo.

Ndryshe, gratë që ishin pjesë e projektit dhe u certifikuan sot, deklaruan se trajnimi u ka ofruar perspektivë ndryshe, dhe se modulet që i kanë ndjekur i kanë bërë ato më të gatshme për marrjen e përgjegjësive.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...