Ministria sqarohet për intervistën e Dhurata Hoxhës ku foli për dasmën e saj: Ishte gabim teknik

Kosova

Ministria sqarohet për intervistën e Dhurata Hoxhës ku foli për dasmën e saj: Ishte gabim teknik

Më: 20 mars 2019 Në ora: 14:08
Dhurata Hoxha

Ministria e Integrimit Evropian, ka sqaruar se intervista e Ministres Dhurata Hoxha, e realizuar në dhjetor të vitit 2016, është bërë kur Ministrja Hoxha ishte në postin e Ministres së Drejtësisë. Për këtë intervistë, komunikata e Ministrisë së Integrimeve, thotë se është postuar gabimisht në uebfaqen e kësaj ministrie dhe se ministrja Dhurata Hoxha nuk ka pasur dijeni për publikimin e saj aty.

Sipas një komunikate për media e lëshuar nga Ministria e Integrimeve Europiane, e cila së fundmi po përfolët për intervistën e publikuar në faqen zyrtare të kësaj ministrie, ku ka folur për dasmën e saj dhe kostot e dasmës, kanë sqaruar se ajo intervistë është publikuar gabimisht në uebfaqen zyrtare të Ministrisë së Integrimeve Europiane.

“Muajin e fundit, “hulumtuesit”, me tërë fuqinë po përpiqen të gjejnë diçka “negative” kundër Ministres, andaj u “gjet” një, duke keqpërdorur gabimin teknik të Zyrës së Komunikimit, duke gjymtuar kohën e botimit, karakterin dhe motivin e intervistës”, thuhet në njoftim.

“Ministria e Integrimit, nuk ka promovuar intervista të cilat janë jashtë mandatit dhe misionit të Ministres së Integrimit. Intervista e 2.1.2017, është postuar gabimisht në uebin e Ministrisë së Integrimeve, më 8.2.2018. Ministrja Hoxha nuk ka qenë asnjëherë në dijeni për postimin e kësaj interviste!”, thuhet në sqarimin e tyre.

Ministria thotë se kjo intervistë e karakterit jo politik, e vitit të ri, ka qëndruar në ueb faqe që nga shkurti i vitit 2018, por deri më tani nuk ka paraqitur “temë me interes”.

“Publikimi i lajmeve dhe intervistave të Ministres Hoxha të ndërlidhura me punën e ministrisë fillimisht në ueb faqen e Ministrisë së Drejtësisë e më pastaj edhe në ueb faqen e Ministrisë së Integrimeve, për hir të zbatimit të ligjit dhe transparencës, është praktikë e rëndomtë publikimi dhe me qindra të tilla mund të gjenden në çdo kohë”, thotë ministria.

“Ministria e Integrimit Evropian, ka qenë transparente dhe çdo herë ka ofruar qasje për media, duke qenë në shërbim të qytetarëve në pajtim me ligjin, ndërsa për këtë lëshim teknik, do të merren masa”, shkruan në sqarimin e dërguar nga Zyra e Komunikimit në Ministrinë e Integrimit Europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat