Iu digjet shtëpia nga oxhaku, 10 fëmijët pa prindër mbesin pa kulm mbi kokë - Bota Sot
Iu digjet shtëpia nga oxhaku, 10 fëmijët pa prindër mbesin pa kulm mbi kokë

Kosova

Iu digjet shtëpia nga oxhaku, 10 fëmijët pa prindër mbesin pa kulm mbi kokë

Më: 24 mars 2019 Në ora: 12:15
Shtëpia dy katëshe e familjes Bytyçi nga fshati Kërvasari e komunës së Malishevës është djegur mëngjesin e së shtunës

Shtëpia dy katëshe e familjes Bytyçi nga fshati Kërvasari e komunës së Malishevës është djegur mëngjesin e së shtunës. 10 anëtarët e saj që janë të papunë dhe ballafaqohen me probleme të tjera të natyrës shëndetësore kanë mbetur pa kulm mbi kokë, kjo për shkak të zjarrit që kaploi shtëpinë e tyre. Dyshohet se prej oxhakut iu vu flaka katit të dytë të shtëpisë dhe kulmit. Shtëpia është shkatërruar në tërësi ndërsa askush nga banorët nuk ka pësuar lëndime trupore- ata po strehohen te familjarët e tyre në fshat. Komuna u ka premtuar zgjidhje.

Janë dhjetë vëllëzër e motra nga mosha 35 vjeçare e poshtë që kanë mbetur pa shtëpi, mëngjesin e ditës së shtunë. Atyre u kanë vdekur prindërit kohë më parë, të gjithë janë të papunë ndërsa një prej anëtarëve të saj vuan edhe nga epilepsia. Shtëpia u djeg prej zjarrit që dyshohet se është shkaktuar nga një oxhak.

Në vendin e ngjarjes kanë dalur zjarrëfikësit, policia dhe kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Ky i fundit u ka premtuar zgjidhje kësaj familjeje. Begaj, tha se familja po strehohet në fshat te të afërmit e tyre derisa komuna t’ua bëjë një zgjidhje banimi atyre.

Image

“Dje ka ndodhur rasti, te një familje 10 anëtarëshe të cilët janë edhe të papunë. Jemi shku mi vizitu…nuk ka të lënduar…po përpiqemi mi dalë në ndihmë sa më shpejt”, tha Begaj të dielën.

Shtoi se ky rast është i rëndë pasi familja janë pa kushte dhe pa punë.

“Në fshat thanë se do ta strehojnë për dy –tri ditë…Shtëpia ka qenë pak e vjetër, prej oxhakut dyshohet se ka ndodhur zjarri. Kryetari i fshatit ju ka dërguar edhe produkte ushqimore”, përfundoi Begaj.

Image

Ndërsa, kryetari i fshatit Kërvasari, Besnik Bytyçi, tha se shtëpia është shkatërruar komplet dhe përveç kësaj dikush nga familjarët e saj ka probleme shëndetësore.

“10 anëtarë i ka familja që i është djegur shtëpia. Shtëpia e tyre është e shkatërruar komplet…janë të papaunë, dikush prej familjarëve vuan nga epilespia”, tha Bytyçi të dielën.

Se shtëpia u dogj prej oxhakut, këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj, tha se nga zjarri nuk është lënduar askush përveç dëmeve material- vlera e së cilës nuk dihet ende.

“Me datë  23.03.2019  në ora 07:45 , S.P.Malishevë është informuar për një rast Zjarrevenje në fsh Kervasari- Malishevë. Policia së bashku me njësinë e zjarrfiksave kanë dal ne vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar ankuesin e lart cekur me çrast kane vërejtur se aty ishte duke u djegur një shtëpi banimi ku është djegur çatia e saj në tërësi po ashtu edhe kati i dytë i shtëpisë”, tha Podrimaj.

Podrimaj tha se pas marrjes së informacionit zjarrëfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin ndërsa policia po merret me këtë rast.

“Zjarri dyshohet te jetë shkaktuar nga  oxhaku i shtëpisë. Lidhur me rastin pos dëmeve materiale, lëndime në njerëz nuk ka , për momentin nuk dihet vlera e dëmit. Zjarrfikësit  kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin. Rasti është duke u hetuar nga sektori i hetimeve nga stacioni policor në Malishevë”, përfundoi ajo.

Ndryshe, raste të zjarrëvënies së shtëpive janë raportuar edhe më parë në Kosovë. Përveç zjarrit të shkaktuar nga oxhakët janë raportuar edhe zjarrëvenie tjera të shkaktuara nga bombolet e gazit, instalimi i dobët i rrymës etj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...