Hajvalia shënon 20 vjetorin e fillimit të bombardimeve me mini maratonën “Vrapo në paqe”

Kosova

Hajvalia shënon 20 vjetorin e fillimit të bombardimeve me mini maratonën “Vrapo në paqe”

Më: 24 mars 2019 Në ora: 14:39
Hajvalia shënon 20 vjetorin e fillimit të bombardimeve me mini maratonën “Vrapo në paqe”

Në 20 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe është mbajtur këtë të diel mini-maratona e parë në Hajvali "Vrapo në paqe".

Kjo maratonë e cila organizohet për herë të parë në Hajvali, përfshinë vrapimin për fëmijë në shteg prej 500 metra dhe për të rritur në shtegun prej 5 kilometrash.

Organizatori i kësaj mini-maratone, Burim Krasniqi, tha se kjo maratonë më tepër ka karakter socializues se sa garues.

Krasniqi: Me moton “Vrapo në paqe” kujtojmë lirinë e Kosovës

“Më tepër është socializim për të përkujtuar 20 vjetorin jubile e fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, e cila është me moton 'Vrapo në paqe', për ta kujtuar lirinë e Kosovës... Ma tepër kemi dashtë me e simbolizu me rininë që janë sidomos të lindur pas lufte, të cilët nuk e kanë pasur fatin ose kanë qenë fëmijë, për me përkujtu ditën madhështore për fillim-lirinë e Kosovës të cilën e kemi pritur me shekuj”, tha ai.

Sipas tij, ky është vetëm fillimi, pasi pritet që edhe viteve të tjera të ketë organizime të tilla.

Vrapuesja Egzona Gashi, e cila zuri vendin e dytë në kategorinë e vrapimit 5 km për femra, tha se mirëpret organizime të ngjashme edhe herëve të tjera.

Gashi: Garuam që të fitojmë dhe ia dolëm

“Ishte një organizim shumë i mirë. Ne vendosëm që të marrim pjesë në këtë organizim hymë që të fitojmë dhe ia dolëm”, u shpreh ajo.

Besnik Shabiu nga "Let's do it Kosovo" u shpreh i kënaqur me organizimin e mini maratonës në Hajvali, teka tha se edhe për organizatën ka qenë kënaqësi t’i bashkohet këtij aktiviteti në kuadër të aktiviteteve tjera për shënimin e kësaj dite.

Shabiu: Patëm kënaqësinë të marrim pjesë në këtë aktivitet

“Ka qenë definitivisht një atmosferë shumë e mirë dhe 'Let's do it' ka pasur kënaqësinë me iu bashku aktiviteteve, kësaj maratone për nder të 24 marsit, duke pasur parasysh se kjo është një ditë shumë e veçantë për vendin tonë... Organizimi ka qenë shumë i mirë pista pak e vështirë për ne që zakonisht nuk merremi me këso lloj aktivitetesh. Megjithatë ia vlejti, një vrapim prej 5 kilometra, na ka lodhë pak por gjithçka shkoi mirë”, tha ai.

Ndryshe, mini maratona “Vrapo në paqe” i kushtohet 24 marsit, ditës kur kanë filluar bombardimet e NATO-s kundër forcave serbe që e hapën rrugën për pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa tre çmimet e para për kategorinë e fëmijëve për djem dhe vajza i morën: Ramadan Gashi, Leonard Gashi, Fatlum Berisha, Teuta Gashi, Lumkesra Gashi dhe Elsa Makolli.

Për të rritur në kategorinë e vajzave, tre vendet e para që morën çmime iu ndanë: Liridona Gashit, Egzona Gashit, Donika Bujupajt; kurse në kategorinë e meshkujve: Jasmin Zverko, Musli Luma, Naim Zyberaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat