Komisioni për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me organizatat “Save the Children” dhe “Syri i Vizionit” kanë lansuar fushatën e ndalimit të ndëshkimit trupor dhe dhunës ndaj fëmijëve.
Në këtë fushatë mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se për shoqërinë kosovare ka rëndësi mënyra e trajtimit të fëmijëve.
“Kuvendi gjithmonë ka përkrahur OJQ-të në vazhdimësi. Fëmijët janë vetë e ardhmja jonë dhe produkti, të cilin do ta kemi edhe në zhvillimin e shtetit tonë”.
Ndërkaq, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se kanë përgjegjësi morale dhe ligjore që fëmijëve t’u garantohen të drejtat e tyre, si dhe të mos u shfaqin dhunë që mund të ndikojë në zhvillimin e tyre.
“Ndëshkimi trupor është një formë e dhunës që fatkeqësisht një numër i fëmijëve janë viktimë e kësaj dhune edhe tek ne në Kosovë edhe në botë. Si pasojë e dhunës disa fëmijë vdesin dhe disa mbesin me pasoja fizike.
Ai tha se duhet ndryshime për parandalimin e kësaj dhune sepse pasojat tek fëmijët mund të jenë të rënda.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, tha se janë duke punuar për përgatitjen e projektligjit për fëmijët për ta dorëzuar në Kuvend.