Në mungesë të kushteve po rrezikohet Arkivi i Kosovës

Kosova

Në mungesë të kushteve po rrezikohet Arkivi i Kosovës

Më: 25 mars 2019 Në ora: 12:27
Në mungesë të kushteve po rrezikohet Arkivi i Kosovës

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës po ballafaqohet me mungesë të hapësirë dhe po ashtu mungesës së kushteve për ruajtje adekuate të dokumenteve të arkivuara.

Kështu u tha me rastin e hapjes së Javës së Arkivit të Hapur me rastin e 68-vjetorit të themelimit, me ç’rast shumë nxënës dhe student shprehen interesimin e tyre për të parë nga afër punën që po bëhet në këtë institucion arkivor.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj tha se brenda kësaj jave  të gjithë të interesuarit mund të shohin klasifikimin, sistemimin dhe rregullimin e dokumenteve përmes  të cilave ruhet kujtesa e kombit tonë.

Sipas tij, gjithsej 8 mijë metra lëndë arkivore ruhen në këtë agjenci, por në mungesë të kushteve të duhura për ruajtjen e tyre mbi 50 për qind e dokumenteve vazhdojnë të jenë të parregulluara.

Manaj u shpreh se po punohet në drejtim të rregullimit të depos dhe rafteve të reja, ku mund të ruhen më mirë dokumentet e arkivuara.

Manaj: Kemi 8 mijë metra gjatësi lineare lëndë arkivore

“Ne kemi gjithsej 8 mijë metra gjatësi lineare lëndë arkivore...Kjo sasi i referohet një periudhe të gjatë kohore prej para Luftës së Parë Botërore, në mes dy luftërave, pastaj prej vitit ‘45 deri në vitin ‘90, ‘90-99 dhe ‘99 e këndej kjo është një periodizim që e kemi bërë dokumentacionit që e posedojmë. Kjo sasi nuk është e madhe, sepse pa dyshim ne llogarisim se më shumë kemi lëndë arkivore jashtë arkivave sesa brenda arkivave, por jemi të limituar edhe nga hapësira edhe nga kapacitet për rregullimin e sasisë të lëndës arkivore, fatkeqësisht kjo sasi është vetëm 50 për qind e  rregulluar, pjesa tjetër është ende e parregulluar dhe nuk kemi pasur deri tani dhe vazhdojmë të mos kemi kushte të duhura për ruajtje të saj”, u shpreh Manaj.

Zelije Shala nga Departamenti i depos në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovë tha se kjo  depo është e domosdoshme të klimatizohet dhe të bëhet rregullimi i sistemit të energjisë elektrike dhe dritareve, pasi po rrezikohen dokumentet që ruhen aty.

Shala: Klima nuk është e përshtatshme për ruajtjen e dokumenteve

“Klima nuk funksionon mirë, është shumë e papërshtatshme pasi që dimrit është temperatura shumë e ulët që ndikon drejtpërdrejtë në letër dhe verës kjo ndërtesë për shkak se është me betonim, krijoni nxehtësi jashtëzakonisht të madhe...Edhe lagështia edhe nxehtësia i shkatërrojnë direkt ...Dritat është edhe rryma që është e vitit 1977 gjithsesi rrezikojnë të shohim se çka po na ndihmon Qeveria”, tha Shala.

Në bibliotekën e Agjencionit  Shtetëror të Arkivave janë të ruajtura gjithsej 8 mijë ekzemplarë dhe mbi 200 dorëshkrime.

Bibliotekarja Drita Jashari tha se kjo është bibliotekë e tipit të mbyllur, dhe libri nuk lejohet të dalë jashtë, por vetëm mund të fotokopjohet apo të lexohet në sallën e leximit.    

Jashari tha se tani më pak po shfrytëzohen librat e kësaj biblioteka pasi që kryesisht librat janë të shkruar në gjuhë serbo-kroate, gjuhë kjo jo shumë e njohur nga të rinjtë.

Jashari:  Në këtë bibliotekë janë të arkivuara libra të shkruar në persisht, arabisht

“E veçanta e kësaj biblioteke kemi libra të vjetër që i nevojiten arkivit, domethënë librat e parë të arkivit. Normal, këto janë libra të ish-Jugosllavisë më së shumti kemi në gjuhën serbo-kroate që kanë të bëjnë me historinë tonë. Këto libra i kanë shfrytëzuar të gjithë shkrimtarët tanë, historianët para luftës sidomos por edhe tash. E veçanta e kësaj biblioteke është që ne kemi edhe libra të vjetra të shkruara në me alfabetin arab, por gjuha persishte, greke, arabishte edhe më e veçanta e kësaj biblioteke janë dorëshkrimet”, tha Jashari.

E në laboratorin për mikrofilmim dhe digjitalizim që nga viti 2007 e deri tani janë digjitalizuar 1 milion dokumente.

Kështu për KosovaPress tha udhëheqësi i këtij departamenti, Bekim Aliu, siopas të cilit krahas procesit jo të vështirë të digjitalizimit, punëtorët po rrezikohen për shkak se disa dokumente me të cilat ata punojnë janë të mykura.

Aliu: Ne menaxhojmë 1 milion dokumente

“Procesi si proces nuk është i vështirë, por dokumentet që jemi duke i punuar tani janë mykura, janë të dëmtuara, njëkohësisht na e rrezikojnë edhe shëndetin, është një punë që kryhet. Deri tani kemi skanuar ne në Arkivin e Kosovës mbi 300 mijë dokumente janë bërë skanime që rezulton me 500 mijë dokumente, në të njëjtën kohë kemi sjellë edhe dokumente prej arkivave jashtë që janë diku rreth 260 mijë dokumente, kështu që menaxhojmë me dokumente 1 milionë dokumente”, tha Aliu.

Për herë të parë Arkivin e Kosovës nga afër po e shihte edhe nxënësja, Jona Abazi nga shkolla “Meto Bajrakatari”. Duke u shprehur e kënaqur me shpjegimin e dhënë nga punëtoret e Arkivit, ajo tha se është mirë të mësojnë të rinjtë më shumë rreth restaurimit të dokumenteve që janë të vlefshme.

Abazi: Është hera e parë që vijmë në Arkivin e Kosovës

“Është hera e parë për ne që vijmë në Arkivin, shpjegimi ka qenë shumë i mirë dhe është shumë mirë për ne të marrim dijeni të reja, të mësojmë diçka të re se si ruhen dokumentet që janë më  të vërtetë shumë të vlefshme, edhe e kemi mësuar edhe restaurimin”, ka thënë kjo nxënëse.

Ndryshe, Java e  Arkivit të Hapur do të zgjasë deri më 29 mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat