20 vjet nga masakra e Izbicës, rrëfimi i Fatime Behramit që ia mbytën dy vajzat

Kosova

20 vjet nga masakra e Izbicës, rrëfimi i Fatime Behramit që ia mbytën dy vajzat

Më: 27 mars 2019 Në ora: 21:13
Fatime Behrami

Mëngjesin e 28 Marsit të vitit 1999, forcat serbe filluan masakrën në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt ku edhe pushkatuan rreth 150 banorë.

Zelfie Behrami kujton me dhimbje momentin kur serbët i mblodhën meshkujt e fshatit për t’i pushkatuar.

“Na thanë hajdeni me falë Bajramin se ju shqiptarët keni dëshirë me falë Bajramin. Ishte ditë Bajrami. Meshkujt nuk bënin zë. I morën dhe i dërguan në mal. Kur i dërguan atje kur iu lëshuan automatat…Djali më tha hajde nënë a po don me pa babën me ja ba hallall. Kur shkova çfarë me pa. Veç me i mbyllë sytë. Për mjerim të Zotit”, rrëfen për RTV Dukagjinin, Zelfie Behrami.

Zonja Zelfie, thotë se pjesa tjetër e banorëve të fshatit, u drejtua për në Shqipëri nën përcjelljen e ushtarëve serbë.

“Gjysma e serbëve shkuan në mal, gjysma tjetër u nisën me ne se mos po skajomi dika. Erdhën deri në Brojë dhe na thanë “hupni””, rrëfen më tej Zelfie Behrami për Dukagjinin.

Rruga për në Shqipëri, ishte shumë herë më e vështirë për Fatime Behramin, të cilës forcat serbe ia vranë dy vajza.

“Para 20 viteve kanë ardhur nga të gjitha anët te livadhet e shpiave tona. Nëser në mëngjes serbët na kanë tubuar bashkë para livadheve. Na kanë rrethakuar nga të gjitha anët. Shtëpiat e larta vetëm sa i kishin kallë. Na thanë nisuni për Shqipëri. U nisëm rrugës dhe kur dolëm te dera kishin qenë dy policë që i kishin vënë shtëpisë flakën. Tri shpia na kallën, Por askujt nuk i interesonte për shtëpiat”.

“…Kur arritëm në Turiqevc na gjuajtën me granata dhe mu vranë dy çikat dhe një grua 35 vjeçare. Prej Turiqevcit kemi shkuar drejt Klinë të Begut e për në Shqipëri. Kemi bërë rreth një javë për në Shqipëri. Ma vështirë për nënë që të lë dy fëmijë në rrugë e të shkojë në Shqipëri nuk kish. Kurrë nuk mundem mi harru. Nuk kam mundur as mi pa as mi varros. Inshalla i kemi të tjerët. Shyqyr që e kemi këtë liri”, rrëfen me lot në sy Fatime Behrami.

Fatimja thotë se është e pakuptimtë për të, që Kosova ta lus Serbinë për bisedime, pasi siç thotë ajo, Serbia duhet fillimisht të kërkoj falje për dhimbjet që i ka shkaktuar mijëra familjeve në Kosovë.

“S’di çka me bisedu me ta. Ata duhet me kërku falje neve. Prej 20 vitesh ne nuk po mundemi mi ndalë lotët. Dikush ende nuk i di ku i ka kufomat e ne të bisedojmë me ta. Ata duhet të na kërkojnë falje, e pastaj jeta vazhdon. Këta politikanët e dinë më mirë, ndoshta duhet me bisedue e mu ba mirë. Por duhet të na kërkojnë falje se ne kemi qenë ne vendin tonë”, thotë ndër të tjera Fatime Behrami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat