Stina e pranverës shton rastet me alergji

Kosova

Stina e pranverës shton rastet me alergji

Më: 29 mars 2019 Në ora: 22:09
Klinika e Alergologjisë dhe Pulmologjisë në QKUK

Stina  e pranverës ka rritur numrin e rasteve me alergji të ndryshme. Mjekët thonë se rastet më të rënda po trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë. Ata thonë se muajve në vazhdim pritet të ketë rritje të rasteve të tilla.

Me fillimin e pranverës, kanë filluar të rriten edhe rastet me alergji në Klinikën e Alergologjisë dhe Pulmologjisë në QKUK. Rastet më të rënda, po ndalen në klinikën e Pulmologjisë për trajtim hospitalor, pasi aktualisht në klinikën e alergologjisë, në mungesë të një reparti, po trajtohen vetëm rastet ambulatore.

Pulmologu, Skënder Baca, thotë se aktualisht në klinikë janë hospitalizuar 3 persona, ndërsa shumë raste të tjera po trajtohen në mënyrë ambulatore.

“I kemi tri raste që është dashur të hospitalizohen për shkak të alergjisë. Çdo ditë në ambulancë i kemi rreth 50 ekzaminime. Prej 50 rasteve i kemi pesë deri në dhjetë raste të alergjive”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Skënder Baca.

Ndërsa, drejtori i klinikës së Alergologjisë,  Dukagjin Zogaj tha se numri i pacientëve me alergji, pritet që të rritet edhe më shumë gjatë muajve të ardhshëm.

“Do të thoja që ekzistojnë tri sezone të polenit. Është sezoni i hershëm, kur drunjtë e gjatë vetëm se kanë filluar të lulëzojnë, por fluksi më i madh i pacientëve pritet të paraqitet nga muaji maj kur është sezoni i poleneve të barishteve dhe drithërave”, tha Dukagjin Zogaj.

Specialistët shëndetësorë, apelojnë që personat që vuajnë nga alergjitë e polenit të marrin masa mbrojtëse dhe të mos të dalin në ambient të hapur nga ora 11 deri në orën 16.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat