Zjarret, Jashari apelon për kujdes të shtuar - Bota Sot
Zjarret, Jashari apelon për kujdes të shtuar

Kosova

Zjarret, Jashari apelon për kujdes të shtuar

Më: 2 prill 2019 Në ora: 12:13
Bekim Jashari

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe nënkryetari Nuredin Lushtaku, kanë qenë të pranishëm në aksionin e shërbimeve emergjente publike, mbrëmë në disa pjesë të fshatit Llaushë, në shuarjen e zjarreve që kishe përfshirë pyjet e fshatit.

Lidhur me gjendjen e krijuar në territorin e kësaj komune, Jashari ka apeluar tek qytetarët të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm në këto situata.

“Ditëve të fundit jemi ballafaquar me disa raste të zjarreve në territorin e komunës sonë. Gjendja mund të merr përmasa më shqetësuese se kaq, nëse nuk kontribuojmë secili në ruajtjen e pyjeve, arave dhe pasurive tjera natyrore.

Ka pohime se faktori njeri, nga pakujdesia, është shkaktari kryesor i zjarrvënies. Por nuk dua të besoj në këto konstatime, ngase besoj se si qytetarë jemi të ndërgjegjshëm të vlerësojmë pasurinë tonë, sikundër rrezikun dhe dëmet e shumta që mund të shkaktojnë zjarret”, tha Jashari.

Ai njoftoi se deri në orët e para të mëngjesit të sotëm së bashku me nënkryetarin Lushtaku, kanë qenë në disa pjesë të fshatit Llaushë, ku kanë parë angazhim të pjesëtarëve të FSK-së, banorëve lokalë, ekipeve të zjarrfikësve dhe shërbimeve të tjera emergjente, duke bërë përpjekje të mëdha në shuarjen e zjarrit.

“Komuna e Skenderajt dhe mekanizmat tjerë të sigurisë e të mbrojtjes, kanë marrë gjitha veprimet e duhura, rreth koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta, në parandalimin e zjarreve. Megjithëkëtë, për të pasur sukses në këtë ‘luftë’ me zjarret, duhet bashkëpunim i ngushtë dhe me qytetarë. Andaj, bëj apel tek te gjithë për vigjilencë dhe kujdes maksimal, për të evituar rrezikun nga i cili kanosemi ne si qenie njerëzore, pastaj bota shtazore, pyjet dhe pasuritë tjera natyrore”, ka qenë reagimi i kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat