Shtatë milionë euro për Spitalin e Prishtinës, ende s’dihet lokacioni

Kosova

Shtatë milionë euro për Spitalin e Prishtinës, ende s’dihet lokacioni

Më: 4 prill 2019 Në ora: 11:44
Uran Ismaili dhe Mahir Yagcilar

Shtatë milionë euro janë ndarë deri më tani për projektin e Spitalit të Prishtinës. E ani pse ende nuk dihet se ku do të jetë lokacioni për ndërtimin e këtij projekti, shefat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Administratës Publike, shprehen të bindur se ky projekt do të realizohet.

Të njëjtit gjatë ditës së sotme kanë nënshkruar edhe memorandum për këtë spital.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili shprehet i bindur se ky projekt do të realizohet. Sipas tij, deri më tani janë ndarë shtatë milionë euro për këtë projekt.

Ismaili: Shtatë milionë euro janë ndarë deri më tani për Spitalin e Prishtinës

“Ne kemi ndarë një buxhet tre vjeçar, një buxhet i cili nëse ka nevojë të rritet, do të rritet dhe prandaj brenda këtyre tri viteve, ne kemi një plan fillestar që ta përfundojmë Spitalin e Prishtinës, prapë për mua është me rëndësi që qytetarët e Prishtinës ta dinë që ky proces dhe ky projekt ka filluar, ta dinë që është konkret, ta dinë që ka buxhet, dhe ta dinë se është një afat kohor tre vjeçar... Deri më tani është shtatë milionë euro, mirëpo ne kemi marrë zotimin nga Ministria e Financave që varësisht nga nevoja, se nuk do të përfundojë me kaq, pa marrë parasysh se sa do të kushtojë Spitali i Prishtinës do të ndërtohet”, është shprehur Ismaili.

Ismaili u zotua se Spitali i Prishtinës do të ofrojë shërbime efikase dhe moderne.

Ismaili: Spitali i Prishtinës është nevojë e qytetarëve, do të ketë shërbime moderne

“Sot nënshkruam një memorandum që vendos hapat një pas një deri në ndërtimin e Spitalit të Prishtinës. Ju e dini që kjo ka qenë një nevojë e kahmotshme. Ju e dini që kjo ka qenë një kërkesë, e cila padrejtësisht e ka privu qytetarin e Prishtinës që të marrë shërbime sekondare dhe ai është dashur të shkojë gjithnjë në QKUK dhe kjo është një nevojë dhe kërkesë shumëvjeçare dhe të cilën ne po e fillojmë rrugëtimin për ta përfunduar , dhe duke i ditur edhe kapacitetet në Administratën Publike. Unë e di që ky projekt do të përfundojë me sukses, pra do të kemi një Spital të Prishtinës dhe do të ofrojmë shërbime për qytetarët e Prishtinës, do të ketë shërbime moderne, ajo që edhe i takon të ketë kryeqytetit”, tha ai.

Ismaili tha se kjo është një ditë e madhe për sektorin e shëndetësisë, e po ashtu edhe për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, për herë të parë po realizohet një kërkesë e kahmotshme e qytetarëve. Për këtë projekt, ai ka falënderuar ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, për obligimet që sipas tij ka marrë për të zbatuar në muajt në vijim.

Ky i fundit u zotua se ky projekt është shumë i rëndësishëm për komunën e Prishtinës.

Yagcilar: Është dedikuar kodi buxhetor në kuadër të ministrisë së Administratës Publike

“Do të realizohen shërbimet shëndetësore, shumë më të mira dhe shumë më efikase. Në anën tjetër gjatë debateve buxhetore në hartimin e ligjit për buxhetin është dedikuar kodi dhe buxheti në kuadër të ministrisë të Administratës Publike në kuadër të bashkëpunimit me ministrinë e Shëndetësisë që të realizojmë disa hapa për me realizu projektin. Dhe hapi i parë do të jetë hartimi i studimit të fizibilitetit pastaj projekti fillon, është hapi i tretë ndërtimi. Në këto faza do të vazhdojmë bashkëpunimin me ju, me komunën e Prishtinës, me të gjitha kapacitetet të Administratës Publike dhe për brenda Qeverisë të realizojmë, sepse është një projekt sfidues, por është një projekt i rëndësishëm”, tha Yagcilar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat