Alarmi për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, deklarohet KFOR-i

Kosova

Alarmi për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, deklarohet KFOR-i

Më: 4 prill 2019 Në ora: 17:46
Mitrovicë

Misioni i KFOR-it në Kosovë, i sheh si spelukime deklarimet se gjendja e sigurisë në vend është e brishtë.

Ditëve të fundit Ambasada e Britanisë së Madhe dhe sot Ambasada e Gjermanisë, iu kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që të mos udhëtojnë në veri të Kosovës, për shkak të gjendjes së sigurisë.

E kjo thirrje e ambasadave është parë si shqetësuese, mirëpo, gjendja e sigurisë në vend po cilësohet stabile nga ana e KFOR-it.

KFOR-i ka thënë se ky mision nuk komenton politikën e jashtme dhe vlerësimet e shteteve individualisht.

KFOR-i ka konfirmuar se situata në veri të vendit dhe në tërë Kosovën është nën kontroll dhe nuk ka asnjë shenjë për ndonjë trazirë të mundshme.

“Ne konfirmojmë se situata në veri, sikurse në tërë Kosovën, është absolutisht nën kontroll dhe nuk ka shenja ose prova për ndonjë trazirë apo dhunë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

KFOR-i po ashtu ka bërë të ditur se kushdo që ka spekuluar se mund të ketë ndonjë sulm nga jugu, duhet të marrë përgjegjësi për shkak të shkaktimit të fikës në popullatë, pasi që sipas tyre nuk ka vend për frikë.

“Thashethemet për sulme nga jugu janë vetëm spekulime dhe cilido që është duke i përhapur ato duhet të konsiderohet përgjegjës për shkaktimin e brengosjes së pabazë në popullatë. Në realitet nuk ka arsye për brengosje dhe për të pasur frikë. KFOR-i vazhdon të jetë i përkushtuar paanësisht ndaj mandatit të tij të OKB-së për t’iu ofruar mbrojtje të gjithë njerëzve në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Po ashtu, KFOR-i ka siguruar se nuk ka asnjë kërcënim të mundshëm në Kosovë.

“Bashkëpunimi i mirë i KFOR-it me institucionet vendore, si dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë dhe shtete tjera që kufizohen me zonën e përgjegjësisë së KFOR-it, është garancë se nuk ka ndonjë kërcënim të menjëhershëm ndaj stabilitetit në Kosovë dhe tërë rajonin”, ka bërë të ditur KFOR-i.

Po ashtu ky mision ka bërë të ditur se janë prezent nëpër tërë Kosovën edhe përmes ushtrimeve të tyre që i bëjnë dhe se për çdo sfidë të mundshme, KFOR-i është i gatshëm.“Ne shpesh mbajmë ushtrime të zbarkimit dhe e shfaqim prezencën tonë nëpër tërë territorin e Kosovës. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çfarëdo sfide të mundshme dhe këtë ia kemi borxh popullatës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat