Çfarë shkelje gjeti Inspektorati në klinikën private që kryen frytnime

Kosova

Çfarë shkelje gjeti Inspektorati në klinikën private që kryen frytnime

Më: 4 prill 2019 Në ora: 19:36
Foto ilustrim

Mbi dhjetë shkelje të Udhëzimit Administrativ janë gjetur nga ana e Inspektoratit Shëndetësor në njërën nga repartet e klinikës amerikane ‘Behar Kusari’ në Prishtinë. Shkelje këto të cilat kanë çuar në arrestimin e pesë personave, punonjës të këtij reparti përfshirë këtu dy infermieret, dy menaxherët si dhe një mjek me nënshtetësi turke. Prokuroria për këta persona në seancën e mbajtur sot ka kërkuar një muaj paraburgim. Ndërkohë, zyrtarë nga spitali nuk kanë dashur që të prononcohen për mediat.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca për 5 personat, punonjës në klinikën amerikane, ‘Behar Kusari’ , në Prishtinë, si të dyshuar për shkelje të Udhëzimit Administrativ për frytnimin e asistuar mjekësorë. Si rrjedhojë, Prokuroria e Shtetit në bazë të të gjitha hetimeve të bëra deri më tani po kërkon një muaj paraburgim për dy infermieret, dy menaxherët si dhe një mjek me nënshtetësi turke, punonjës të këtij spitali.

Lajmin për kërkesën e paraburgimit për të njëjtit, e ka konfirmuar sot prokurori i cili po merret me rastin, Shkëlzen Ibrahimi.

“Mund të ju informoj se seanca për të njëjtit u mbajt sot. Ne si Prokurori, në bazë të provave që i keni në dispozicion, kërkuam një muaj paraburgim. Rastin jemi duke e hetuar”, ka thënë Ibrahimi.

Ndërkohë që reparti ku kryhej (IVF), frytnimi i asistuar, tashmë është mbyllur.

Klinikat e një spitali privat i cili merrej me shitblerjen e materialit gjenetik si dhe shfrytëzimin e qelizave të huaja seksuale këtu në Kosovë

E ndërkohë, express, mëson se Inspektorati Shëndetësor me kërkesë të Drejtorisë për Hetime dhe Trafikim me Qenie Njerëzore (DHTQNJ ), gjatë inspektimit  në klinikën amerikane në bazë të dokumentacion të kontrolluar dhe dosjeve të pacientëve ka konstatuar rreth 10 shkelje të UA 06/2013:

Sipas burimeve, shkeljet lidhen me këshillimin (e pacientëve) për procedurat e FAM, shkelje rreth testimeve të ndryshme, shkelje rreth ruajtjes së qelizave gjinore, kompensim për dhurime të qelizave, mirëmbajtje jo adekuate të dokumentacionit.

Inspektorati Shëndetësorë e ka këshilluar klinikën në fjalë që ti informoj pacientët e tyre që shërbimin mund ta vazhdojnë në një spital tjetër privat.  Repartit i është vendosë shenja ‘Ndërprerje e përkohshme e veprimtarisë shëndetësore’.

Ndërkohë për këtë punë, si prova materiale janë konfiskuar: shtatë (7) dosje mjekësore, pesëqind (500) euro para të gatshme, njëzet (20) libra për shënime dhe katër (4) telefona mobilë.

Tutje, në bazë të inspektimit në Inspektoratin Shëndetësor në këtë klinikë private në Prishtinë pas inspektimit është konstatuar se ka disa shkelje të legjislacionit në fuqi për Frytnimin e Asistuar Mjekësor. Si rezultat, Inspektorati Shëndetësor ia ka ndërprerë veprimtarinë shëndetësore të frytnimit të asistuar mjekësor klinikës në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat