Shumë vetura në gjendje jo të mirë teknike, për një muaj largohen 290 të tilla

Kosova

Shumë vetura në gjendje jo të mirë teknike, për një muaj largohen 290 të tilla

Më: 6 prill 2019 Në ora: 21:09
Gjatë kontrollit në trafik, shumë vetura janë hasur në gjendje jo të mirë teknike.

Aksidentet me fatalitet në Kosovë janë bërë të shpeshta. Që nga fillimi i vitit e deri tani, 24 persona kanë humbur jetën në komunikacion.

Aksidentet në numër të madh, kanë bërë që Policia  të shtoj masat e sigurisë në trafik për t’i parandaluar vdekjet në trafik.

Gjatë kontrollit në trafik, shumë vetura janë hasur në gjendje jo të mirë teknike.

Nga Policia bëhet e ditur se vetëm gjatë muajit mars, janë shqiptuar 290 tiketa për gjendje jo të mirë të veturës, duke i larguar ato nga trafiku.

“Zyrtarët policor gjatë kryerjes së detyrave të rregullta në kontrollin dhe rregullimin e trafikuat rrugor nga fushëveprimi i saj si në aspektin parandalues edhe atë aktiv operacional kanë punuar në vazhdimësi për një siguri më të madhe në trafikun rrugor, por edhe gjatë implementimit të planeve të veçanta lidhur me kontrollin  e rregullsisë teknike të mjeteve,  hasin në automjete teknikisht të pa rregullta. Vetëm gjatë muajit Mars 2019, janë shqiptuar 290 tiketa për gjendje jo të rregullt teknike të automjeteve, si dhe janë larguar nga trafiku”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Zyrtarët policore gjatë kryerjes së detyrave të rregullta në kontrollin dhe rregullimin e trafikut rrugor, janë të obliguar në implementimin e ligjeve përkatëse të cilat rregullojnë lëmin e trafikut rrugor.

“Gjatë ndaljes së automjeteve nëse dyshohet se mjeti është në gjendje të pa rregullt teknike, atëherë urdhërohet shoferi që mjetin ta dërgoj në kontroll të jashtëzakonshëm teknik, dhe në rast se konstatohet që mjeti nuk është në gjendje të rregullt teknike, të njëjtit i shqiptohet kundërvajtja”, thuhet ndër të tjerash në përgjigje.

Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) për Io bëjnë të ditur se janë të licencuara 133 qendra të kontrolleve teknike. Po ashtu, ata kanë treguar masat që kanë ndërmarrë, ku përfshihen pezullime te licencës, e dënime me gjobë mandatore.

“Gjatë vitit 2018, nga Inspektorët e Divizionit të Inspektimit për Kontrolla Teknike, janë kryer 505 inspektime me procesverbale. Masat e ndërmarra gjatë vitit 2018, nga Inspektorët e Divizionit të Inspektimit për Kontrolla Teknike janë: -3 vendime për pezullim të licencës, për një kohë/periudhë të caktuar, deri në eliminimin e mangësive, -22 sanksione kundërvajtëse (dënime me gjobë mandatore), ndaj pronarëve të Qendrave të Kontrollimit Teknik të Automjeteve, -85 sanksione kundërvajtëse (dënime me gjobë mandatore), ndaj personave përgjegjës të Qendrave të Kontrollimit Teknik të Automjeteve, si dhe -34 inicime të procedurës kundërvajtëse, ndaj pronarëve të Qendrave të Kontrollimit Teknik të Automjeteve”, thuhet në përgjigjën e MIT.

Policia e Kosovës vazhdimisht po kërkon dhe apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përqendrohen në ngasje.

Një apel të ngjashëm dhe me disa rekomandime ka dhënë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ku sipas IKSHP-së nëse nuk ndërmerren masa atëherë humbja e jetës në aksidente do të jetë i madh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat