Rugovasit protestojnë kundër laurës së Rugovës

Kosova

Rugovasit protestojnë kundër laurës së Rugovës

Më: 8 prill 2019 Në ora: 15:33
Banorët e Rugovës, protestë

Banorët e Rugovës kanë protestuar sot kundër vendosjes së laurës në hyrje të Rugovës, ndërsa nga Agjencia për Mbrojtje të Mjedisit të Kosovë po shprehen se këto laura do të ndërtohen. Ata kanë kërkuar që të merren masa ndaj atyre që i kanë dëmtuar punimet e këtyre laurave.

Kryetari i Bashkësisë së parë territoriale të Rugovës, Agron Nikqi, i cili ka thënë sot përmes kësaj proteste po i kundërshtojnë të gjitha ata që po u vërsulen Rugovës.

Ai tha se vendosje e kësaj laure është e papranueshme për rugovasit, ndërsa theksoi se zanafilla e këtyre barrierave është qysh tek shpallja e parkut nacional.

Nikqi: Nuk pranojmë vendosjen e laurës

“Kjo barrierë nuk është me një peshë e cila e ka zanafillën veç për barrierë, kjo e ka zanafillën më larg, duke filluar që nga shpallja e parkut nacional padrejtësisht pa e pyetur komunitetin rugovas, pa u konsultuar me ta dhe në vazhdimësi me urtësinë e Rugovës kemi toleruar 5 vite ligjin e parkut e cila pas 5 viteve e ka dhënë mundësinë për kundërshtim dhe ne në emër të fshatrave të Rugovës e kemi bërë kundërshtimin në formë të argumentuar dhe të nënshkruan nga të gjithë banorët që ligji i parkut për 14 zonat e fshatrave të ndryshoj...Unanimisht i gjithë popullit i Rugovës dhe gjithë qytetarët e Pejës nuk pranojnë me vendos laura dhe me bë pagesa për një lëvizje të lirë në fshatrat e Rugovës”, tha Nikqi.

Veton Mulaj, në emër të shoqërisë civile duke u shprehur kundër vendosjes së laurës tha se përmes revoltës do të vazhdojnë që t’i dëmtojnë këto barriera.

Mulaj duke ofruar përkrahjen e tyre tha se kjo barrierë është një taksë për qytetarët.

Mulaj: Kjo është një taksë që po mundohet tu vihet qytetarëve

“Kjo është një gënjeshtër e radhës, kjo është një taksë që po mundohen tua vënë qytetarëve dhe me planet e tyre që pastaj i lexuam e paskan përcaktuar edhe shumën. Një euro për personin e rritur, ndërsa 50 cent për të rriturit. Kjo nuk lejohet për Rugovën tonë, andaj ne do të mundohemi së bashku me komunitetin e Rugovës me qytetarët e Pejës, me komunën e Pejës të reagojmë me çdo masë që njëherë e përgjithmonë tu thoni këtyre njerëzve të cilët bëjnë plane në zyra e tyre ashtu siç iu teket se nuk kalojnë këto rampa”, th Mulaj.

Përfaqësuesi i Komunitetit të banorëve të Rugovës, Flamur Rexhbogaj tha se iniciativat e tilla do ta ndalin zhvillimin e turizmit në trevën e Rugovës.

Sipas tij, veprime të tilla tregojnë gatishmërinë për të shkelur gjithçka vetëm për interesa personale.

Rexhbogaj: Laura do i pasuroj disa, por neve si qytetar do na skllavëroj

“Nuk është kopsht zologjik që pretendojnë ta bëjnë se e kanë shkatërruar parkun pa dëshirë prej kohësh. Të dashur qytetarë sot po kalojmë njërën nga periudhat më vendimtare në të cilat nuk guxojmë të gabojmë për të pëcaktuar të ardhmen tonë dhe fatet tona...jeta dhe lëvizja jonë duhet të jetë pa asnjë lloj laure,  e lirë dhe e bukur, por dikush e ka humbur rrugën, lakmia ua ka helmua shpirtrat, ua ka barrikaduar jetën e tyre me urrejtje duke na mashtruar pa pajtimin tonë ...Laura do i pasuroj ata ndoshta por neve do të na skllavëroj si popull, le të luftojmë dhe të punojmë së bashku dhe të protestojmë sa herë që ne na duhet që t’i largojmë barrierat, t’i largojmë rampat dhe t’i mbrojmë të drejtat tona si qytetar”, tha Rexhbogaj.

Kurse, kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtje të Mjedisit të Kosovë, Ilir Morina tha se 300 mijë euro janë ndarë për ndërtim të 7 laurave të cilat do jenë mjaftë moderne.

Dëmtimin e laurës e ka konsideruar vandalizëm, teksa ka thënë se qëllimi i laurës nuk është përfitimi, por kontrollimi i ndërtimeve pa leje, i bimëve etj.

Morina ka kërkuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të marrin masa ndaj atyre që po e shkaktojnë pasurinë shtetërore.

Këto komente ai sot i bëri në tryezën "Degradimi i pyjeve dhe ambientit" që është diskutuar në takimin e organizuar nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Morina: Këto laura do ndërtohen në qershor

“Këto laura do të ndërtohen deri në qershor ne kemi pasur një reagim ma merr mendja të gabueshëm ndoshta nuk i kemi informuar sa duhet popullatën, mirëpo ajo që ka ndodhur tri ditë më herët për mua personalisht është vandalizëm sepse nuk mund ta marr askush ligjin në duar pa marr parasysh protesta është normale, por jo edhe thyerja e bllokave dhe pasurisë së shtetit dhe terrorizimi i kompanisë e cila do të ndërtoj e cila tashmë është e kontraktuar tashmë. Ne kemi bërë kallëzimet dhe besoj që prokuroria dhe të gjitha organet tjera do të marrin masa ndaj atyre që e kanë incizuar vetën dhe e kanë vendosur në Facebook”, tha Morina.

Gjatë ditës së sotme kundërshtimin e tij ndaj laurës në Rugovë ka shprehur edhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili përmes një postimi në Facebook tha se asnjë taksë dhe pengesë nuk do të lejohet në dëm të vizitorëve dhe banorëve të trevës së Rugovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat