Malisheva ndër komunat më të sigurta në vend

Kosova

Malisheva ndër komunat më të sigurta në vend

Më: 11 prill 2019 Në ora: 14:43
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Malishevë, duke u bazuar në raportet e sigurisë së përgjithshme, Komunën e Malishevës, e ka vlerësuar si një prej komunave më të sigurta në vend, në aspektin e sigurisë së përgjithshme. Ky konstatim ka dalë sot në mbledhjen e rregullt të KKSB-së në Malishevë, e cila është drejtuar nga Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ku kanë marrë pjesë të gjitha organet e sigurisë në vend, si përfaqësues të organizatave dhe sektorëve të caktuar.

Sipas komandantit të stacionit policor në Malishevë, kapiten Azem Krasniqi, bazuar në raportet policore, situata e sigurisë së përgjithshme, e cila padyshim se gjithmonë mund të përmirësohet edhe më shumë, por Malisheva, krahasuar me komunat tjera, është ndër komunat më të sigurta dhe më të qeta, përderisa edhe zbulimi apo gjetja e rasteve të caktuara, në raport me vitin e kular, ka rritje për 20 për qind. “Kjo nuk është vetëm rezultat i policisë, por më shumë rezultat i bashkëpunimit të mirë me qytetarët, si dhe vendosja e sistemit të kamerave, ka ndikuar në masë të madhe në sigurinë e përgjithshme”, tha kapiteni Krasniqi.

Në tre muajt e fundit, sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHM), Valon Gashi, “sikur në tërë vendin edhe në Malishevë, janë shënuar shumë raste të zjarreve malore, ndërsa numri i kufizuar i punëtorëve në Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, ka ndikuar në intervenimet, por edhe pozita gjeografike e ka vështirësuar punën e tyre”. Për këtë qëllim, ka dalë edhe një rekomandim nga KKSB, ku është sugjeruar angazhimi i ekipeve shtesë, me qëllim të menaxhimit të situatave të ngjashme.

Një temë tjetër e trajtuar në këtë mbledhje, ishte gjendja në arsimin e Komunës së Malishevës, ku sipas drejtorit të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, janë dy shqetësime të theksuara, e para mos zëvendësimi i orëve të humbura, si dhe rënia në vazhdimësi e numrit të nxënësve. Sipas drejtorit Thaçi, numri i nxënësve është në rënie dhe këtu janë disa faktorë që po ndikojnë në këtë rënie, duke filluar nga mos shtimi i popullsisë, pastaj lëvizjet brenda vendit, si dhe migrimi, që është problem në vete. Për çështjen e orëve të humbura, KKSB në Malishevë, ju ka bërë thirrje të gjitha organeve përgjegjëse dhe SBASHK, për gjetjen e një gjuhe të përbashkët, për zgjidhjen e kësaj çështje, në mënyrë që nxënësit të realizojnë të drejtën e tyre për mbajtjen e orëve të mësimit dhe të mos humbin në mësim.

Sa i përket situatës me EHKK, drejtori i DSHM, Gashi, ka njoftuar se ka përfunduar faza e parë e repelimit të kafshëve, si një prej masave parandaluese, si dhe ligjëratat në shkollat e komunës sonë, ndërsa numri i rasteve të thumbuara deri më tani, është 18 raste, dhe në asnjë rast nuk kemi rrezik, apo infeksion nga EHKK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat